Shteti në kontratë biznesi me Balilajt, në lojë ministria e LSI-së
Banorët e fshatrave Piskovë e Grabovë në Përmet, mësuan vetëm pak javë më parë se tokat në zonën ku ata jetojnë i kanë marrë me qira njerëzit e të shumëkërkuarit Klement Balilit nga Delvina. Një kontratë qiradhënie për 90 hektarë tokë dhe afat 90-vjeçar është lidhur nga ministria e Bujqësisë në vitin 2016 me një kompani nga Delvina, sipas Top Channel.
Të shqetësuar, banorët e Piskovës u ankuan në Këshillin Bashkiak. Ata thonë se nuk kishin asnjë njoftim se tokat pranë banesave të tyre kishin dalë në ankand. “Nuk na tha askush që tokat u dhanë me qira”, shprehet Aleks Kosta, banor i Piskovës.“Banorët e këtyre fshatrave kanë reaguar. Nuk janë pyetur dhe ndjehen të përjashtuar nga ndonjë lloj tenderi që është bërë. Le të investigohet për këtë”, thotë Miranda Habili, kryetarja e Këshillit Bashkiak.
Mungesën e informimit në institucionet e pushtetit vendor për këtë ankand e konfirmon edhe sekretari i Këshillit Bashkiak.“Këshilli Bashkiak kërkoi sqarim nga kryetari i Bashkisë, i cili sqaroi se dhe ai nuk kishte asnjë njoftim për zhvillimin e këtij ankandi”, thotë Veli Mehmeti, sekretar i Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak diskutoi dhe me 10 korrik i kërkoi Kryeministrit Rama të anulojë këtë kontratë qiraje. Këshilli thotë se është bërë një padrejtësi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
“E cila ka dhënë me qira shoqërisë “Alb Universal” në zotërim të Albin Balilit, njeri i afërt i Klement Balilit, një sipërfaqe toke bujqësore prej 90,466 hektarë me kontratë 90 vjet”. Kompania “Alb Universal 95”, me qendër në Delvinë, është nën administrim të zonjës Xhesjana Ballaci, e cila e mori në zotërim në janar të vitit 2016 nga shtetasi Albin Balili.
Add new comment