Propagandimi i Zonës Rajonale Ekonomike, Kokëdhima: Mallrat lëvizin pa doganë që në vitin 2007
Kryeministri nuk kishtë sot argument më të mirë kundër komenteve se në Samitin e Triestes u sanksionua lidershipi serb në Ballkanin Perëndimor, sesa akuza e zakonshme për mediat. Kjo ndonëse interpretimi për krijimin e Jugosllavisë së Re u hodh në qarkullim nga gazeta gjermane “Die Welt”.
Edi Rama i cilësoi qesharake kundërshtitë ndaj idesë së tregut të përbashkët rajonaj, apo zonës ekonomike siç u quajt, mirëpo kritikat në këtë drejtim apo dyshimet nuk janë asnjëherë qesharake. Askush deri më sot nuk ka propozuar një model që do japë garanci 100% në ekonomi dhe kur shumëkush ka dyshime për skemën e propozuar ai duhet dëgjuar. Për të mbrojtur vendimin e vet, nëse ka qenë i tillë, kryeministri nxori para mediave një përfaqësuese që siç tha ai drejton një departament që ndjek këto zhvillime. Kaq. Ky është komunikimi për një vendim që mund të jetë ndër më të rëndësishëmit.
Mirëpo duket se kjo e Triestes dhe lëshimi që po i bëhet Serbisë, do të kthehet në çështje politike. Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Ramës, Koço Kokëdhima shkruan sot në profilin e tij në Facebook se Zona Rajonale Ekonomike nuk ka vlerë, pasi që në vitin 2007, me marrëveshjet e tregëtisë së lirë mallrat qarkullojnë lirshëm.
“Propozimi i Samitit për të bërë një bashkim doganor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me lider Serbinë, për Kosovën është provokativ ndërkohë që Serbia akoma nuk e ka njohur pavarësinë e saj.
Nga ana tjetër, të thuash se ne po bëjmë zonë të lirë ekonomike me lider Serbinë, kjo është e pamjaftueshme. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në vitin 2007. Mallrat lëvizin lirisht dhe pa dogana mes vendeve ballkanike... Opinioni shqiptar i ka mësuar informacionet për propozimet e Shqipërisë në këto samite nga mediat e Beogradit dhe të Berlinit, jo nga qeveria jonë”, shprehet Kokëdhima.
Add new comment