Si financohet LSI nga paratë publike

Postuar në 13 Qershor, 2017 19:17

LSI është partia që përflitet më shumë për lidhjet klienteliste dhe përfitimin nga paratë publike. Të paktën në nivel perceptimi shihet si forca që operon me kuota punësimi në entet dhe agjencitë publike. 

Rrjeti investigativ BIRN ka zbardhur një prej mënyrave sesi kjo parti financohet nga paratë publike. Kështu për vitin 2016 LSI ka pranuar financim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor nga të paktën një donator- njëherazi edhe përfitues i tenderave publikë nga lista me 42 financues.

Neni 89 i Kodit Zgjedhor kufizon partitë politike që të përfitojnë fonde nga kompani apo aksionerë kompanish, të cilët në dy vitet e fundit kanë fituar fonde publike, kontrata apo koncesione me vlerë mbi 10 milionë lekë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe në transaksionet e kryera nga thesari i shtetit tregojnë se njëri prej donatorëve të LSI; kompania Xhast shpk ka përfituar tendera publikë me vlerë më të lartë se 10 milionë lekë.

Xhast shpk është një kompani ndërtimesh dhe shërbimesh, që sipas QKB është themeluar në vitin 2001 nga Agim Kraja-aktualisht këshilltar i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në vitin 2016, kjo kompani ka dhuruar 1 milionë lekë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u renditur në një ndër katër financuesit më të mëdhenj të deklaruar.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në thesarin e shtetit tregojnë se Xhast shpk ka fituar tendera publikë në vlerën e rreth 255 milionë lekëve për periudhën 18 maj 2012-shkurt 2017. Por dy prej tenderave të fituar janë në tejkalim të vlerës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Më 18 qershor 2015, kompania Xhast rezulton të jetë paguar në vlerën e 10.8 milionë lekëve nga komuna Golaj e qarkut të Kukësit. Ndërsa më 22 qershor 2016, e njëjta kompani ka kryer një transaksion prej më shumë se 16 milionë lekësh me Bordin e Kullimit në Lezhë.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN në lidhje me mundësinë e favorizimit të kompanisë Xhast në fitimin e tenderave publikë. I kontaktuar përmes llogarisë aktive në rrjetin social Facebook dhe numrit të telefonit të kompanisë të publikuar në QKB, edhe administratori Agim Kraja nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Kompania Xhast shpk nuk është donatori i vetëm i LSI që ka përfituar fonde publike. Dy financues të tjerë të deklaruar, të cilët janë njëherazi edhe aksionerë kompanish kanë fituar tendera publike në institucionet e drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë viteve 2013-2017. Megjithatë, vlerat e përfituara prej tyre  janë brenda kufizimeve të Kodit Zgjedhor.

https://www.reporter.al/klientelizmi-politik-donatori-i-lsi-se-fiton-mil...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.