Një film për prishjen me sovjetikët
Prishja e marrëdhënieve shqiptare me Bashkimin Sovjetik do ekranizohet në një film që do të asistohet nga regjisori i njohur rus Alexander Sokurov. Në projektin shqiptar, Sokurov nuk do të jetë në rolin e regjisorit, por ka pranuar të jetë pjesë e stafit realizues të filmit duke thënë se ky bashkëpunim vjen edhe si një kërkesë e kohës.
“Jetojmë në një moment kur është e vështirë të prodhosh një film të mirë dhe të metrazhit të gjatë, i vetëm. Për këtë arsye e mirëpritëm ftesën e producentëve shqiptarë për të realizuar një film, i cili nuk është vetëm historia e shqiptarëve por e gjithë atyre njerëzve që jetuan në izolimin komunist”.
Ndërsa producentja Loreta Mokini, ka zbuluar më tej se çfarë do të përmbajë ky projekt: “Filmi është mbështetur në veprën e Ismail Kadaresë, në veprën e tij është përqendruar gjithë projekti. Flet për vitet ’60 kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u prishën. Gjithë filmi do të xhirohet në Gjirokastër dhe në Tiranë. Aktorët do të jenë shqiptarë”.
Lënda historike e ka tërhequr gjithnjë sidomos me pushtetin e vdekjen e tij. “Është e pamundur të kemi këtë pushtet, sepse nuk ekziston vërtet, por ekziston vetëm në masën që njerëzit janë të gatshëm t’i nënshtrohen. A ka disa njerëz që nuk kanë zgjidhje përveçse të dorëzohen në pushtet? Jo. Gjithmonë ka zgjedhje, madje edhe gjatë terrorit të Stalinit, njerëzit kishin zgjedhje, për shembull, mund të tradhtonin ose nuk tradhtonin…”.
Sokurov zhvilloi një takim në Akademinë e Arteve me studentët ku foli për filmin dhe raportin e mediave me të vërtetëm. Një nga pyetjet e studentëve ishte: "Sa rrezikojmë ne të gënjehemi nga media dhe si e shikoni ju sot rolin e saj në raport me të vërtetën?" Regjisori iu përgjigj: "Asnjëherë nuk do të shpëtojmë nga gënjeshtra. Do të gënjehemi dhe do të na gënjejnë, por duhet të dini se gënjeshtra e medias është një tumor benjin dhe jo malinj".
Add new comment