Zbardhet keqkuptimi Meta-Lu, ndryshon pazari PS-LSI
Nuk ka asnjë përplasje politike mes ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe kryetarit të kuvendit Ilir Meta dhe aq më tepër mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të paktën këtë version jep Ilir Meta që thotë se qëndrimet e ambasadorit amerikan mund të jenë provokuar nga dezinformimi që i është bërë diplomatit amerikan nga njerëz brenda mazhorancës.
Kaq banale mund të jetë historia e ditëve të fundit, për të cilën nuk është prononcuar ende kryeministri Edi Rama, i cili vazhdon të jetë në hije sa herë projektohen përplasje mes miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe Frontit të së Keqes.
Ndoshta edhe kryeministri ka pritur nga intervista e Ilir Metës për të mësuar diçka më shumë rreth rezistencës që po i bëhet reformës në drejtësi. I njëjti ekuacion që këtë rradhë duket se nxori zbuluar ambasadorin amerikan, për të cilin Ilir Meta dha objeksionet e veta. “Të gjithë ata që mashtrojnë dhe gënjejnë dhe të gjithë këta servilët e ambasadave, të ambasadorit se edhe ambasadori ndonjëherë gabon kam përshtypjen, sepse e dezinformojnë. I kam thënë. Duhet të kemi shumë kujdes, sepse ngaqë njerëzit këtu e duan shumë Amerikën, ambasada i kam thënë, është target për t’u manipuluar. Te unë hajde sa herë të duash, atë që ta them një herë, të jesh i bindur se do ta them deri në fund, në kuptimin më të mirë të fjalës. Ambasadori, i SHBA-ve, ka një vend të veçantë në raportet tona dhe ne e kemi pranuar këtë. Po të ishte ambasador i ndonjë vendi tjetër, qëndrimet e tij mund të ishin shumë më të papranueshme, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga institucionet e vendit. Por ne e kemi pranuar këtë marrëdhënie dhe pranojmë edhe kritika. Por asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë institucionet e Shqipërisë”-deklaroi kryetari i Kuvendit. Meta nuk u duk shumë entuziast për çështjen e koalicionit në formën që u kontraktua në 1 Prill të vitit 2013. Ai tha se LSI nuk do të jetë shtojcë, duke lënë të nënkuptohet se kontrata me PS do jetë me kushte të tjera pas 18 qershorit.
Add new comment