Gazetari e Pavarur në Shqipëri?!
Sot u publikua një shkrim marrë nga “Courrier des Balkans” që akuzon kryeministrin shqiptar Edi Rama se po eliminon gazetarinë e pavarur. Të lexohet me kujdes termi i përdorur: Gazetarinë e Pavarur.
Se çfarë raportesh ka Edi Rama me mediat, kjo dihet dhe nuk meriton të shtosh ndonjë gjë. Mjafton të kujtojmë se edhe një titër, një titull, një frazë, mund të angazhojnë personin në fjalë në një telefonatë. Por a është kjo argument që të thuhet se Edi Rama po mbyt Gazetarinë e Pavarur? Po të shohim shkrimin, i firmosur nga një gazetar jo shqiptar, ai sjell si referencë personazhe që janë opozitarë me qeverinë aktuale. Shtoji kësaj aftësinë vetëshkatërruese të kryeministrit për të konvertuar kundërshtinë në përçmim dhe urretjtje gati të personalizuar, dhe ja ku del te portreti i armikut të shtypit.
Puna është se, edhe në dritën e debateve të fundit për largimet nga puna në media të disa DREJTORËVE për të cilët “çuditërisht” prononcohet edhe politika, duhet të përcaktohet nëse ka patur ndonjëherë gazetari të pavarur në Shqipëri?
Ky vallëzim fjalësh është përdorur shpesh me humor mes gazetarëve që mes vedit sqarojnë se “ka media të pavarura, por jo të paanshme”. Dhe këtu ka një dallim që nuk kapet shpesh nga lexuesit. Do shtuar se gazetaria shqiptare, sidomos me harlisjen e madhe të interesave që qëndrojnë pas testatave të saj, ka kodifikuar kaq shumë shkrimin, raportimin dhe vijën editoriale, saqë me siguri mund të thuhet se në vendin tonë ka me të vërtet pak lexues të kualifikuar të këtij shtypi dhe të kësaj gazetarie që sa vjen e poi shërben vetëm vetes, pra pronarëve apo drejtuesve. E më pak publikut.
Për t’u kthyer te tema kryesore: Edi Ramës nuk mund t’i veshësh ndonjë akuzë të re në raportin financiar dhe klientelist me mediat nga ai që kishin paraardhësit e tij. Janë prononcimet e tij prej lektori dhe profesori të publicistikës që i mbivendosen raportit të deformuar mes medias dhe pushtetit me një “mungesë etike”, ajo që e ka problematizuar kaq shumë realitetin e tanishëm.
Por kur vjen puna tek editimi i informacionit praktika është e njëjta qëkurse në karrigen e kryeministrit qëlloi të ishte Ilir Meta: Telefonatë, pronar, kryeredaktor, publikim. Nëse kundërshton gazetari, bëhet pa emër. Titulli? Ekskluzivitet i pronarit, apo qehajait të tij në redaksi, drejtorit. Po flasim për shtypin e shkruar që për vetë formatin, ekspozohet më shumë në banalitetin e kësaj gazetarie servile, pasi në televizione që kanë programacion të zgjeruar dhe kronika jo më shumë se 1 minutë, kjo pështirosje nuk bie edhe aq në sy.
Nga kjo pikëpamje duhet të pranojmë se në Shqipëri ka media të pavarura, pra që financohen nga pronarët e tyre, por se ato nuk janë të paanashme, janë militante dhe se kështu kanë qenë. Se vizioni i pronarëve të tyre është luftë për gjobitje, apo "mbaje mirë me pushtetin". Asgjë e re këtu, njësoj sikundër profesionistët – ata që janë, për aq sa janë të tillë – nuk përfillen në editim.
Nga media kalojmë te termi i zgjedhur në shkrim: Gazetari e Pavarur. Një mundësi për këtë e jep media online. Mund të pyesim: pse nuk e shohim kontributin e gazetarëve të shkëputur nga financimet edhe në këtë sektor?
Një përgjigje është se ky stan këtë bulmet ka. Një tjetër, që ka shumë rëndësi, është statusi i gazetarit që ka mbërritur në këtë derexhe, edhe për shkak të drejtorëve për të cilët bëhet zhurmë, të shoqatave gjithfarëshe që janë aty për të marrë fonde dhe rritur pozitën negociuese me pushtetin dhe për shkak të pozitës së diskriminuar të Reporterit.
Në Shqipëri ekziston një diçka që quhet Unioni i Gazetarëve që presupozohet se duhet të mbrojë të drejtat bazike të reporterëve dhe gazetarëve. Por sot që flasim, pushteti i Tiranës vazhdon të bëjë sikur nuk kupton, njësoj si dje, se një pjesë e madhe e gazetarëve punojnë në të zezë. Dhe i ashtuquajturi Union, transparent po aq sa heshtja të cilën e shet për përultësi, nuk e ka betejë të vetën. Fundja ç’i duhet kjo bela?
Ose punojnë me dy bordero. Për ilustrim kemi rastin e Alfred Pezës dhe Ilva Tares, që me letra na dalin se kanë punuar për bukën e gojës, ose sa për të bërë emisionet dhe për të pirë një kafe te Kryesia. Është e qartë se kjo është gënjeshtër, njësoj se është e neveritshme të shikosh se po këta ulen e moralizojnë për median.
Si mundet atëherë të pretendosh gazetari të pavarur, kur statusi i këtij profesioni, reporterit sidomos, ka rënë në nivelin e një normisti?(padiskutim që ka gazetarë të mirë, por këtu flasim për një kod pune poshtërues që nuk varet nga cilësia apo karakteri individual). A ka vend të flasësh për këtë lloj gazetarie kur nuk ekzistojnë as kushtet minimale të mbrojtjes në punë? Si mund të flasësh për gazetari të pavarur(jo atë të mediave sociale) kur niveli profesional dhe ai kulturor është në fund?
Çfarë po mbyt Edi Rama atëherë? Ai po mbyt, ose po përpiqet që të mbysë zërat Kritikë ndaj tij, kundërshtarët, opozitarët, por këta janë krejt tjetër gjë nga Gazetaria e Pavarur. Një gjë e tillë nuk ekziston në Shqipëri e mesa duket edhe në ndonjë vend tjetër, nisur nga ajo që u pa në zgjedhjet e fundit amerikane. Nuk duhet të ngatërrojmë patologjitë dhe problemet karakteriale të Edi Ramës, zënkat e tij në konferenca shtypi, me ndonjë realitet ideal të gazetarëve që kullojnë djersë për të vërtetën. Nuk ka një përballje të tillë. Sikundër nuk ka në kaq vite fyerjeje, një protestë minimale, një bojkot ndaj këtij njeriu, apo ndonjë politikani tjetër, meqenëse siç dihet me pavarësinë vjen edhe Dinjiteti, apo anasjelltas. Pa folur këtu për atë kulturën e punës në redaksi, e cila me kalimin e kohës e zëvendësoi garën për lajmin, me garën për miq deputetë, apo konformizëm dhe psikologjisje të lëvizjes së syve të pronarit.
Comments
Koncepti "i pavarur" eshte
Koncepti "i pavarur" eshte utopik sepse secili gjykon qendrimet e tjetrit sipas qendrimeve personale. Per te patur nje gazetari te pavarur nuk duhet detyrimisht te kemi nje gazetari me te cilen biem dakord per qendrimet. Por duhet te kemi nje gazetari te lire per te raportuar sipas deshires se saj. Dhe pikerisht kjo sot eshte ne rrezik me shume se kurdo qe nga rrezimi i komunizmit. Dhe kuptohet qe pergjegjes eshte pushteti dhe njeriu qe e drejton.
Add new comment