Shtabi i Ushtrisë Greke reagon për rekrutët me shqiponjë
Shtatë të rinj shqiptarë në Greqi, që janë thirrur për të kryer shërbimin ushtarak, janë fotografuar duke krijuar simbolin e shqiponjës.Ata kanë marrë nënshtetësinë greke dhe sipas ligjit duhet të shërbejnë nën armë për nëntë muaj.Publikimi i fotografisë në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të shumta, edhe nga media greke, duke e detyruar shtabin e përgjithshëm të ushtrisë greke që të pozicionohet publikisht.
Në një komunikatë për shtyp, lëshuar në orët e vona të së dielës, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë bën me dije se i ka identifikuar të shtatë rekrutët, të cilët janë paraqitur javën e kaluar në qendrën stërvitore në Mesologji, me kontigjentin që duhet të kryejë betimin më 2 shkurt.
Qendra stërvitore në fjalë i përket regjimentit special, me ushtarët e gardës kombëtare që rrinë të veshur me fustanella dhe përbëjnë një nga imazhet më karakteristike e të fotografuara nga çdo turist që viziton Athinën.Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë njofton gjithashtu se kjo çështje do të hetohet më tej. “Akti i shtatë rekrutëve do të kihet parasysh gjatë dhënies së specialiteteve, por edhe për caktimin e tyre në repartet ushtarake ku do të kryejnë shërbimin”, përfundon njoftimi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë greke.
Ngjarja ka zënë vendin kryesor në disa prej gazetave të djathta greke të së hënës. Në konceptin e tyre, shtatë rekrutët me origjinë shqiptare “kanë bërë një provokim”, pasi “simboli i shqiponjës është identifikuar me synimet territoriale ndaj Greqisë”.Ndërkaq, shumë më të ashpra janë komentet në rrjetet sociale greke, ku shumë prej komentuesve kërkojnë që ndaj rekturëve të merren masa ekstreme, si dëbimi nga Greqia, deri në heqjen e nënshtetësisë”.
Add new comment