Me kë po bën biznes qeveria e PS për mbetjet?
Prej javësh po konsumohet një situatë absurde që lidhet me ndryshimet që qeveria i bëri ndryshimit të ligjit për importin e mbetjeve. Sot para parlamentit u zhvilluan protestat e radhës, një e grupimeve të ashtuquajtura ambientaliste dhe tjetra e shoqatave të biznesit që janë pro ligjit. këta të fundit me argumentin se ligji është i domosdoshëm për ecurinë e biznesit
Nga ana tjetër ligji për momentin qëndron në sirtaret e kuvendit pas kthimit për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, i cili nuk hezitoi edhe këtë radhë të shfaqë ngjashmëritë rastësore me qëndrimet e opozitës. Kjo e fundit u zgjua me vonesë, por gjithsesi vendosi t'u bjerë daulleve kundër ligjit me llogarinë për të fituar diçka politikisht.
Ajo që vështirëson ekuacionin është kundërshtia brenda qeverisë për Ligjin.
Fjala është për qëndrimin e LSI-së, e cila nuk po i lëshon rrugë "pazarit" për kalimin e ligjit në parlament. Qeveria u mundua të marrë edhe një çertifikatë nga Komisioni Europian për standardin e ligjit, duke bërë publik një letërkëmbim të Eduart Shalsit me zyrën e KE-së, por kjo nuk mjaftoi.
Pengesa e vetme për qeverinë duket se është LSI pasi në terma praktikë qeveria po e bën gati terrenin për zbatimin e ligjit me nxitimin për ngritjen e impianteve të riciklimit të Fier dhe Elbasan. Banorët e kanë kundërshtuar, por kjo nuk ngre shumë peshë, përveç dilemave nëse është dikush që qëndron pas tyre. Një ligj që po tentohet të miratohet në fund të mandatit dhe pak muaj para zgjedhjeve. Mbetet të qartësohet se në gjithë këtë panorama përplasjesh kush po lufton me kë dhe për cilat interesa?
Add new comment