Reforma në drejtësi, kronika e dështimit të paralajmëruar

Postuar në 06 Qershor, 2016 13:27
Agron Alibali

"Kusht paraprak i korrupsionit... është rënia apo tatëpjeta e demokracisë pjesëmarrëse" ose të drejtpërdrejtë, shkruan në një analizë të shkëlqyer gazetari, politikani dhe juristi i shquar italian, Eugenio Scalfari. "Korrupsioni nuk ekziston ose ai reduktohet në maksimum kur populli është me të vërtetë sovran", konkludon ai në analizën e mprehtë që i bën kësaj dukurie, si dhe erozionit të demokracisë në Itali dhe Evropë ["La corruzione in Italia e l'Europa spaccata e moritura", Repubblica, 1 maj 2016].

Kush trembet nga demokracia e drejtpërdrejtë?

Eshtë e qartë se reforma e sukseshme në drejtësi nuk mund të njëmendësohet pa pjesëmarrjen e popullit në të, si kusht themelor i demokracisë së drejtpërdrejtë. Mirëpo problemi është se një pjesë e elitave europiane dhe shqiptare kanë alergji ndaj pjesëmarrjes së popullit në vendimmarrje, sidomos kur bëhet fjalë për çështje me rëndësi kapitale, sikurse është reforma në drejtësi për rastin e Shqipërisë. Zvicra është një ndër demokracitë më të zhvilluara, të përparuara dhe të konsoliduara sot në Europë. Një nga themelet e saj janë referendumet, apo e drejta e ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë. Mirëpo një politikan i lartë u shpreh me rezerva ditët e fundit ndaj demokracisë pjesëmarrëse zvicerane. "Çmenduri" - citohet t'i ketë deklaruar ai një reviste zvicerane. Dhe më tej: "Për çdo ide që keni ju do të mbani referendum...", që nuk ka nevojë për koment. [Das Magazin, No. 22/23, 4 qershor 2016]. Sot jemi dëshmitarë të trysnisë së pashembullt dhe të koordinuar të politikanëve dhe diplomatëve të huaj për reformën në drejtësi. Nuk ka dyshim se ata kanë qëllime të mira e pozitive. Por nuk besojmë se ata kanë dijeni me hollësi për përmbajtjen e amendamenteve kushtetuese, sepse përndryshe do të ishin më të rezervuar në komentet e tyre. Për fat të keq, modeli i propozuar për të luftuar korrupsionin në Shqipëri nuk mund të funksionojë dhe, kësisoj, reforma aq shumë e trumbetuar është e destinuar të dështojë. Po pse?

Mangësitë e modelit të propozuar

Së pari, modeli i propozuar ka defekte serioze në substancë. Të pretendosh se ndikimi i politikës ndaj gjyqësorit mund të eliminohet është thjesht iluzion. Të gjithë kandidatët për postin e presidentit të SHBA në zgjedhjet e këtij viti theksojnë se zgjedhja e tyre do të jetë thelbësore për emërimin e pesë gjykatësve të Gjykatës së Lartë, jurisprudenca e të cilëve do të ndikojë në 100 vitet e ardhshme. Kurse në Shqipëri, kinse me synimin për të insuluar pushtetin gjyqësor nga ndikimi i politikës e kriminalitetit, modeli faktikisht eliminon kontrollin e ekzekutivit nëpërmjet ministrit të drejtësisë duke krijuar de facto një shtet brenda shtetit. Modeli mbështetet tek disa organizma kushtetuese që në thelb kontrollojnë vetveten. Në krye të tij vendoset misioni ndërkombëtar i monitorimit, që e kthen Shqipërinë 100 vjet prapa. E thënë ndryshe, roja e vreshtit të drejtësisë do të këqyret nga dy nivele të tjera rojesh vreshtash. Sikur të mos mjaftojnë këta, përmbi ta do të jetë edhe një roje e katërt i huaj. Mirëpo, a nuk do të ishte më mirë që drejtësinë ta ruanin e kontrollonin vetë qytetarët shqiptarë? Së dyti, modeli i propozuar është proceduralisht i mangët. Ndryshimet kushtetuese janë hartuar nga dy ekspertë të huaj që, normalisht, nuk duhet të kishin pranuar të ndërhynin në Kushtetutën e një vendi, të cilit nuk i përkasin, dhe nuk i njohin historinë, traditën kushtetuese apo ligjet. Për më tepër, Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka tagër për të punuar vetëm për reformën në drejtësi. Ai nuk ka atributet për të rishikuar Kushtetutën, siç parashikon Neni 177. Rrjedhimisht, aktet dhe vendimet e tij në lidhje me Kushtetutën janë ultra vires, jashtë kompetencave, pra janë nul. Çdo person juridik i autorizuar ligjërisht mund të kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese aktet dhe vendimet e tij në bazë të parimeve të shqyrtimit kushtetues dhe gjyqësor [judicial review].

"Kushtetuta duhet të kuptohet nga populli"

Së treti, amendamentet kushtetuese bien ndesh me parimet themelore të konstitucionalizmit, sipas të cilave Ligji Themeltar duhet të jetë produkt vendas, i thjeshtë dhe konciz. Kushtetuta "duhet të kuptohet nga populli", pat nënkuptuar gjykatësi i shquar amerikan Marshall shumë vite më parë. Këto cilësi thelbësore të çdo kushtetute ai përmblodhi qartë si më poshtë: "Nëse Kushtetuta do të përmbante me hollësi të madhe të gjitha nëndarjet që ushtrohen prej pushteteve të saj të mëdha, si dhe të gjitha instrumentet me të cilat ato mund të ekzekutoheshin, atëhere ajo do të përçonte stërzgjatjen e një kodi ligjesh, dhe mendja njerëzore mezi do ta përqafonte. Ndofta ajo nuk do të kuptohej kurrë nga popullit. Natyra e kushetutës kësisoj, lyp që atje të shënohen vetëm parimet e saj themelore, të përcaktohen objektet e saj të rëndësishme, kurse elementet e vegjël që përbëjnë këto objekte të deduktohen nga natyra e vetë objekteve".

Për lehtësi, citimin e japim edhe në anglisht:

"A Constitution, to contain an açurate detail of all the subdivisions of which its great poëers will admit, and of all the means by which they may be carried into execution, would partake of the prolixity of a legal code, and could scarcely be embraced by the human mind. It would probably never be understood by the public. Its nature, therefore, requires that only its great outlines should be marked, its important objects designated, and the minor ingredients ëhich compose those objects be deduced from the nature of the objects themselves..." [17 U.S. 316 (1819)].

Amendamentet kushtetuese të propozuara janë aq të stërzgjatura, aq të komplikuara, sa ato mund të krahasohen jo vetëm me një kod, por madje me një rregullore. Duke huazuar fjalët e gjykatësit amerikan Marshall, "ato ndofta nuk do të kuptohen kurrë nga populli". Së fundi, qëllimi i Aneksit famëkeq të Kushtetutës është rivendosja e besimi publik tek gjyqësori. Por si mund të arrihet kjo pa pjesëmarrjen e vetë publikut? Rruga e vetme e reformës së suksesshme në drejtësi është fuqizimi dhe zgjerimi i demokracisë, duke ia dhënë popullit pushtetin për kontrollin e gjyqësorit nëpërmjet mekanizmit të demokracisë së drejtpërdrejtë. Përvoja vendase për këtë ekziston, ashtu sikurse kontrolli i sovranit praktikohet me sukses edhe në shumë jurisdiksione të tjera në botë. Aneksi i Kushtetutës duhet të eliminohet në tërësi. Në bazë të dispozitave ekzistuese, me akte ligjore e duke përmirësuar Kodin Zgjedhor, sidomos kreun për referendumet, kontrolli dhe konfimimi i gjyqësorit mund të parashikohet që të kryhet me efektivitet të plotë e tërësisht nga vetë popullit.

Ngutje apo cilësi?

Të gjithë mbajmë mend reformën zgjedhore, të ndërmarrë me pompë nga OSBE-je dhe ODIHR-i. Rezultatet e saj sot janë të qarta: arritja e vetme ka qenë erozioni i demokracisë pjesëmarrëse, rritja e distancës midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve, kalimi i së drejtës së kandidimit në duart e kryetarëve të partive, e jo në duart e popullit, dhe krijimi i një demokracie partiake, e jo përfaqësuese. Dështim mund të thuhet se ka qenë edhe reforma e pushtetit vendor, pasi eliminoi rrethet si njësi të vërteta të demokracisë vendore, që ngjiznin fshatin me qytetin, dhe që siguronin përfaqësimin e duhur të interesave të qytetarëve e fshtatarëve sipas traditës më të mirë vendase. Edhe sot duket se ngutja është e kundërta e cilësisë, pasi gabime të ngjashme po bëhen edhe me reformën e shumëtrumbetuar në kushtetutë e drejtësi. Nëse nuk eliminohet Aneksi, dhe nëse amendamentet kushtetuese nuk thjeshtësohen, bazuar në traditën kushtetuese vendase e në parimet e së drejtës krahasimore kushtetuese, si dhe nëse nuk zbatohen parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë, atëhere me keqardhje mund të pyesim nëse reforma në drejtësi do të jetë dështim tjetër i paralajmëruar?

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.