Radikalizmi islamik, problem në Shqipëri

Postuar në 09 Prill, 2016 14:32
Bisedoi: Emirjan Çekrezi

Në Shqipëri ka një problem të radikalizimit islamik dhe të përfshirjes së disa qytetarëve në formacionet xhihadiste e terroriste në Lindjen e Mesme dhe ky problem kërkon përgjigje të nevojshme të strukturave të sigurisë dhe të mbarë shoqërisë, mirëpo orientalizmi nuk ndihmon aspak, në mos e përkeqëson problemin. Pikëpamja orientaliste e përplasjes së Perëndimit me islamin është pikërisht gjykimi i gabuar që e bën më të lehtë rekrutimin e disa myslimanëve prej rrjeteve xhihadiste Enis Sulstarova i ka kushtuar kohë orientalizmit, duke sjellë në një studim raportet historike me këtë periudhë. Autor i librit “Arratisje nga Lindja”, Sulstarova ndalet në një intervistë më poshtë jo vetëm në orientalizmin si disiplinë, por dhe përplasjet e sotme fetare.

Ç’është orientalizmi dhe si është formuar ai?

Orientalizmi lindi si një disiplinë akademike në disa vende perëndimore për studimin e gjuhëve, kulturave dhe historisë së Orientit. Nga ana e tij, Orienti është një koncept shumë i gjerë gjeografik dhe që ka ndryshuar mjaft përgjatë historisë. Dikur rajoni i Ballkanit njihej si Orienti i Afërt, por ky term nuk përdoret më. Kur flasim për Orientin, nuk duhet të harrojmë se ai ka qenë dhe ende është edhe një njësi imagjinare, një zonë e mbushur me imazhe të luksit e pasurive marramendëse, të shkretëtirave dhe karvanëve me deve, të aventurave dhe aventurierëve si Marko Polo, të piramidave, Taxh Mahalit e Murit të Madh, të haremeve dhe geishave, të profetëve të Biblës e feve ekzotike, të mbretërve mitikë si Solomoni apo Prester Xhoni, të perandorëve historikë si Aleksandri i Madh dhe Xhenxhiz Khani, të satrapëve orientalë, sheikëve e sulltanëve, të qilimave fluturues, xhindeve e dragonjve etj. Kështu, jo vetëm tekste gjuhësore e studimore, por edhe krijime artistike perëndimore – romane, përralla, filma, filma vizatimorë etj. – me motive nga Orienti, mund të grupohen në atë që e quajmë orientalizëm. Këtyre mund t’u shtohen edhe traktate politike e gjeopolitike mbi Lindjen e burimet natyrore të saj, mbi marrëdhëniet e Perëndimit me fuqitë lindore, mbi luftën kundër terrorizmit islamik etj. Nisur nga moria e teksteve për Orientin, kritiku palestinezo-amerikan Eduard Said e zgjeroi rrethin kuptimor të orientalizmit, duke ndërthurur tre përdorime që i bën ai këtij termi. Së pari, kemi traditën akademike perëndimore mbi Orientin, që nisi me studimin e gjuhëve e kulturave klasike e më pas mori pamjen e studimeve rajonale (area studies). Së dyti, orientalizëm është mënyra e të menduarit sipas kategorive Perëndim e Lindje, ku marrëdhënia midis tyre rrallëherë është simetrike, ngaqë supozohet se Lindja është thelbësisht inferiore e madje e kundërt me Perëndimin. Kuptimi i tretë i orientalizmit ka të bëjë me tërësinë e institucioneve që merren me Orientin, për ta kontrolluar dhe për të pasur autoritet mbi të, që nga aparati kolonial apo ai i mandateve perëndimore e deri te organizatat e mendimit (think tank), opinionistët e mediave, këshilltarët politikë të specializuar për Lindjen e Mesme që shërbejnë pranë qeverive etj. Shihet qartë se shndërrimi që Saidi i bëri kuptimit të orientalizmit është polemik dhe normativ. Polemik, sepse akuzon një pjesë të mirë të orientalistëve për bashkëfajësi me sistemet koloniale perëndimore në Lindjen e Mesme e gjetkë dhe për përkrahje të neo-kolonializmit në ditët tona. Kritika e Saidit është normative, sepse, nën ndikimin e veprës së tij, tashmë epiteti “orientalist” është kthyer në diçka negative, ngjashëm me epitetin “racist”.

Si është i ndërtuar orientalizmi? Cilët janë konceptet mbi të cilat ai vepron?

Orientalizmi, si një ligjërim perëndimor mbi Lindjen, bazohet mbi ndarjen “unë” dhe “tjetri” apo “ne” dhe “të tjerët”. Meqenëse vetja përkufizohet përmes dallimit nga tjetri, edhe Perëndimi shpeshherë ka parë te Lindja një pasqyrim negativ të cilëve që i ka veshur vetvetes. P.sh., Perëndimi krenohet me arsyen dhe shkencën, ndërsa te Lindja ka parë irracionalizëm dhe misticizëm. Për të dhënë një shembull, një orientalist francez, Ernest Renan, i cili mbahej si një nga dijetarët më në zë të shek. XIX, shkruante se “myslimani ka përbuzjen më të thellë për edukimin, për shkencën, për gjithçka që përbën shpirtin europian”. Kontradiktën midis këtij konstatimi dhe hovit që përjetuan shkenca dhe artet në “epokën e artë” të historisë së islamit, ai e zgjidhte duke thënë se ajo që rëndom quhet qytetërim islamik ishte në të vërtetë një qytetërim “arian” i grekëve dhe persëve, sepse mendja semite (arabo-çifute) ishte e paaftë për të rrokur parimet shkencore. Sigurisht që pohime të tilla të hapura nuk i gjen lehtë te shkencëtarët e ditëve tona, mirëpo ato i ndeshim te gazetarët dhe analistët e gjeopolitikës.

Kur është shfaqur orientalizmi në historinë e Shqipërisë? Cila është vepra e parë dhe si është parë i huaji në atë vepër?

Përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj, më duhet që të sqaroj se orientalizmi, sikurse edhe të tjera ide, ka qarkulluar nëpër kultura të ndryshme, duke u bërë pjesë e imazheve për veten dhe të tjerët. Meqenëse Perëndimi ka përfaqësuar modelin e shoqërisë dhe të qytetërimit modern, këndvështrimi orientalist për botën është imituar edhe nga vende që nuk kanë qenë në Perëndim, por që me anë të modernizimit kanë dashur t’i ngjasojnë shoqërive perëndimore. Në librin tim, të titulluar Arratisje nga Lindja, e kam shpjeguar se fillesat e orientalizmit shqiptar duhen kërkuar te periudha e Rilindjes Kombëtare, në të cilën formohet nacionalizmi shqiptar dhe identiteti modern kombëtar i shqiptarëve. Përfytyrimi i kombit shqiptar kishte si element përbërës përkatësinë e lashtë europiane të tyre, që nënkuptonte aspiratën për të krijuar një shoqëri moderne. Në këtë mënyrë u zhvillua te rilindësit edhe ligjërimi orientalist mbi turqit si pushtues aziatikë e barbarë që mbanin të shtypur një popull fisnik që dikur ishte flijuar për Europën. Po t’i referohemi asaj që thamë më sipër mbi përkufizimin e orientalizmit në veprën e Saidit, më duhet të saktësoj se në rastin shqiptar kemi të bëjmë me huazimin e të menduarit me anë të kategorive Perëndim dhe Lindje, jo me një traditë të ngulitur akademike të studimit të Lindjes dhe as me vullnetin për të pushtuar dhe për të sunduar mbi vendet e Lindjes. Duke ardhur te pyetja juaj, nuk mund ta them me siguri se cila është vepra e parë shqiptare ku shprehet dyzimi Perëndim-Lindje si karakteristikë e ligjërimit orientalist shqiptar. Unë kam zgjedhur që ta hulumtoj orientalizmin shqiptar në vepra qendrore të nacionalizmit shqiptar të periudhës, siç janë Istori e Skënderbeut nga Naim Frashëri dhe Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet nga Sami Frashëri. Këto vepra që nga ajo kohë kanë ushqyer e formuar identitetin kombëtar shqiptar, prandaj mbeten të rëndësishme edhe sot.

Në cilën periudhë të historisë shqiptare, fenomeni i orientalizmit arrin pikën kulminante?

Hulumtimin tim në libër dhe në artikuj me të njëjtën temë, e kam organizuar sipas katër periudhave të historisë sonë moderne: Rilindja Kombëtare, vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar, komunizmi dhe koha e tanishme e tranzicionit paskomunist. Në secilën periudhë kam analizuar orientalizmin e elitave kulturore dhe politike në Shqipëri. Mua më rezulton se kulmi është periudha e tanishme. Më saktë, kemi dy kulme, të dyja në periudhat kur Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme modernizuese, që janë legjitimuar me idenë e oksidentalizimit apo perëndimorizimit të shoqërisë sonë. E kam fjalën për vitet ’20-’30 dhe për kohën e tanishme, sepse gjatë atyre viteve, sikurse edhe sot, ideja e Europës ka luajtur një rol të madh normativ në politikën dhe kulturën shqiptare. Analizën e idesë së Europës në shkrimet e intelektualëve të të dyjave periudhave e kam bërë edhe në një libër tjetër, Jam Evropë! Gjithsesi, për ta kufizuar përgjigjen te pyetja juaj, më duhet të them se orientalizmi sot është në një pikë shumë më të lartë krahasuar me atë të viteve ’20-’30. Gjithmonë ekziston rreziku që në analizat që bëjmë të mbivlerësohet e tashmja ndaj të së kaluarës, mirëpo mendoj se ka së paku tri arsye për majën më të lartë që ka arritur sot orientalizmi shqiptar. Së pari, ideali i Europës apo i Perëndimit duket se është i materializuar te Bashkimi Europian dhe procesi i integrimit shihet më shumë se anëtarësim në një organizëm politik e ekonomik me standarde të caktuara: anëtarësimi në BE shihet si një pranim në një qytetërim, si një certifikim i identitetit tonë europian, si një qepje e çarjes historike që kemi pësuar për shekuj e shekuj me radhë etj. Arsyeja e dytë, përvoja traumatike e komunizmit në Shqipëri është konceptuar nga elita shqiptare si një periudhë tjetër lindore, madje joeuropiane, që i shtohet asaj osmane, e për pasojë refuzimi ndaj Lindjes e gjithçkaje që zgjedhim ta etiketojmë si “lindore” apo “orientale” është absolut, ndoshta më shumë se sa në vendet e tjera ish-komuniste ku vihet re njëfarë nostalgjie për atë kohë. Arsyeja e tretë, është rreziku i terrorizmit islamik, i parë si një kërcënim i ri që na vjen nga Orienti, sidomos atëherë kur nuk bëhet dallimi midis islamit dhe xhihadizmit si ideologji politike me rrënjë fetare. Në këtë mënyrë, legjitimohen klishetë orientaliste, pra paragjykues e përbuzës për popuj dhe kultura të Lindjes, edhe kur nuk ka asnjë motiv të qenësishëm për ta bërë këtë. Për të dhënë një shembull, është bërë zakon që kundërshtari politik të portretizohet si “lindor” – në vitet ’90 më shumë si komunist, ndërsa tani më shumë si islamik. Sigurisht që edhe krahasimi me turkun vazhdon, siç ishte thirrja e kryeministrit Rama që ministrat e kabinetit të tij të mbysnin “turkun” që kishin brenda vetes, ndërkohë që Këshilli i Ministrave mblidhet rreth një tryeze të stolisur me fotografinë e një harte të shek. XVI, e cila e paraqet Europën të stilizuar si një mbretëreshë.

Cilët janë personazhet më tipike orientale në kulturën shqiptare dhe cilat janë cilësitë e orientalit që shpërfaqen në këtë kulturë?

Orientali është “tjetri”, për shkak të paraqitjes që e ngjason me të tjerë orientalë, si turqit, arabët etj., ose për shkak të vetive të karakterit që ka përftuar nga ndikimi oriental. Po të shikojmë p.sh. letërsinë, aty personazhet orientale shqiptare janë beu dhe klerikët myslimanë – hoxhët e dervishët. Mjafton të lexojmë tregimin “Vjeshta e Xheladin beut” të Mitrush Kutelit dhe aty gjejmë plot përçudnime që i vishen personazhit të beut. Më vonë ato i gjejmë tek autorë të realizmit socialist si Jakov Xoxa, Fatmir Gjata etj. Më tej, sidomos në publicistikën e sotme, tipare lindore i vishen elitës së komunizmit, besimtarëve myslimanë, fshatarëve, banorëve të ndonjë krahine të caktuar (p.sh. Kavaja, Shkodra, Shqipëria e Mesme). Ndonjë publicist shprehet me hidhërim se populli shqiptar ka mbetur lindor në thelbin e tij, me përjashtim të një grushti “oksidentalësh” te të cilët sigurisht bën pjesë edhe publicisti ynë. Tipare që shihen si orientale apo me origjinë orientale janë injoranca, përtacia, patriarkalizmi, dyfytyrësia, korrupsioni, mizoria, mungesa e ambicies, mosrespektimi i ligjit, egoizmi etj. Me një fjalë, gjithçka që gjykojmë se nuk shkon mirë në shoqërinë tonë dhe çdo mangësi që ka Shqiptari në raport me Europianin. Një lloj antropologjie popullore.

Si shfaqet dhe si përfaqësohet orientalizmi në realizmin socialist? Cili ishte dhe si ishte orientali në këtë kohë?

Specifika e orientalizmit gjatë komunizmit ishte mungesa e një referimi të hapur te Perëndimi, i cili në atë kohë ishte armiku. Megjithatë, komunizmi pretendonte se po e modernizonte Shqipërinë dhe se trashëgimia e tij ideore – sikurse edhe e komunizmit në përgjithësi – ishte në traditat përparimtare dhe revolucionare të Europës. Në këtë kuadër, stereotipat orientaliste u përdorën për të portretizuar jo vetëm turkun, por edhe armikun e klasës, beun, si edhe obskurantizmin e klerit mysliman. Te letërsia e Kadaresë vëmë re se edhe revizionistët sovjetikë e kinezë orientalizohen përballë Shqipërisë socialiste, e cila shfaqet me kulturë europiane edhe pse është kundërshtare e kapitalizmit. Kjo bie në sy sidomos te romani Koncert në fund të dimrit, tek i cili kërcënimi kinez ndaj Shqipërisë merr tonet e një beteje apokaliptike për të dominuar Europën dhe “arsyen europiane” dhe për të arritur atë që e nisën Xhenxhiz Khani e më pas osmanët, por që nuk e realizuan dot. Madje, po në këtë roman disa përfaqësues të klasës borgjeze të përmbysur paraqiten si adhurues të Kinës revizioniste, sepse kjo e fundit kishte mbetur shpresa e tyre e vetme për përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Pra, orientalizmi, është një ligjërim produktiv për krijimin e përfytyrimeve kolektive mbi identitetin tonë europian përballë tjetrit oriental, edhe pse në këtë rast del se Partia e Punës dhe udhëheqja e saj po e mbronin vendin ndaj “kinezërive”. Sigurisht që çështja është më komplekse se kaq, ngaqë mund të argumentohet se Kadareja po i dërgonte sinjale të fshehura udhëheqjes së Partisë për t’u afruar me Perëndimin dhe këtij të fundit që ta konsideronte ndarjen e Shqipërisë prej Kinës maoiste si një e mirë që po i bëhej mbarë Europës. Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ideja e Europës, nën ndikimin e sukseseve të komuniteteve europiane, por përdorej në të dyja anët e Perdes së Hekurt për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik apo komunizmin në përgjithësi. Partitë komuniste perëndimore në emër të “eurokomunizmit” (të anatemuar nga Enver Hoxha si antikomunizëm) po e braktisnin përfundimisht orientimin marksist-leninist dhe bindjen ideologjike ndaj Moskës. Në vende satelite, si Çekosllovakia, Hungaria e Polonia, disidentët po qarkullonin idenë e “Europës Qendrore” të rrëmbyer e të robëruar nga “Lindja”. Ndoshta në këtë kuadër, mund t’i interpretojmë edhe referimet te ideja e Europës që gjenden te romani i Kadaresë. Gjithsesi, mesazhet e tij janë ndërtuar përmes përfytyrimit të një beteje primordiale të Europës si qendra e arsyes me Azinë si qendra e barbarisë.

Ç’është orientalizmi bashkëkohor? Si është i ndërtuar ai?

Orientalizmi bashkëkohor, ai i viteve të tranzicionit paskomunist, ka si shënjestër Turqinë, Lindjen arabo-islamike dhe Lindjen sllavo-komuniste në planin e jashtëm dhe “orientalët” brenda shoqërisë shqiptare. Në librin tim argumentoj se ka një damar islamofob në orientalizmin shqiptar bashkëkohor që nuk vihet re në periudhat e mëparshme. Kuptohet se në këtë zhvillim ka peshën e vet edhe gjeopolitika e sotme, përfshirë terrorizmin islamik dhe luftën globale që po zhvillohet kundër tij. Gjithsesi, përshtypja ime është se në veçanti, shqiptarët që janë praktikues të islamit, janë nën akuzën se radikalizimi i tyre mund të pengojë integrimin e Shqipërisë me Perëndimin. Sigurisht që në Shqipëri ka një problem të radikalizimit islamik dhe të përfshirjes së disa qytetarëve në formacionet xhihadiste e terroriste në Lindjen e Mesme dhe ky problem kërkon përgjigje të nevojshme të strukturave të sigurisë dhe të mbarë shoqërisë, mirëpo orientalizmi nuk ndihmon aspak, në mos e përkeqëson problemin. Pikëpamja orientaliste e përplasjes së Perëndimit me islamin është pikërisht gjykimi i gabuar që e bën më të lehtë rekrutimin e disa myslimanëve prej rrjeteve xhihadiste. Prova më e mirë për të kundërtën është vetë drejtimi i rrjedhës së refugjatëve sirianë: ata te Perëndimi shohin shpëtimin prej murtajës që po shkatërron jetët dhe vendin e tyre. Kapitulli i fundit i studimit tuaj titullohet “Mjerimi i orientalizmit”. Pse ky cilësim dhe ku konsiston ky mjerim? Mjerimi është intelektual në radhë të parë, sepse orientalizmi është tashmë i diskredituar në mjediset përparimtare dhe te shkencat sociale në Perëndimit. Ai mbahet gjallë përmes islamofobisë e ksenofobisë së partive të skajshme e ksenofobe që te shqiptarët shohin një rrezik potencial për Europën. Mirëpo, motivi kryesor për të kundërshtuar orientalizmin duhet të jetë humanizmi, besimi se njerëzit meritojnë të trajtohen me dinjitet, pavarësisht nga prejardhja e tyre gjeografike, kulturore, fetare etj. Këtë argument e gjeni më të shtjelluar në librin tim.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.