Mos ma cenoni qiellin!

Postuar në 08 Prill, 2016 16:42
Dorina Hoxha

Konteksti nuk i shkonte këtij moti të kthjellët në ditë pushimi, kurse çekanët bënin një zhurmë bezdisëse, përreth ishte bërë një mjergull plurur rëre. Shkaku ishte i thjeshtë: nga ana tjetër e rrugës po ngrihej një kantier ndërtimi, po punohej, makina të mëdha shkarkonin çdo dy orë mbetje inertesh e betonesh për të sheshuar vendin. Këtu punohej, por askujt nuk i’u interesonte kjo katrahurë pluhuri e betoni që shkarkohej në mënyrë të njëpasnjëshme duke lënë kështu një hendek të thelluar indiference dhe mallkimesh nga gratë që nuk ndenin rrobat e sapolara dhe shfrynin nën zëshëm. Ajo që përbënte shkatërrim për disa për të tjerë ishte rifillim. Inertet që shkarkoheshin kishin qënë dikur ndërtime, mania për projekte afatshkrutra ndërtesash kishte sjell edhe një evazion nihilizmi ndërtimor, shkatërro pastaj ndërto. Kantieri i ndërtimit përkarshi shtëpisë sime kishte lëvruar edhe biznesin e skrapit për Xhekun dhe djemtë e axhës së tij. Xheku është një djalë 13 vjeçar që nxjerr kafshatën e ditës me shitjen e hekurishteve në pikat e skrabit. Në hyrje të kantierit ishin parkuar dy zetorë të vegjël të konsumuar, bëja çudi për qarkullimin e tyre në një rrugë ndërqytetase. Në hapsirën e gjërë shikoja Xhekun që me disa vegla për thyerjen e betonit tërhiqte disa fije hekurash të gjata, ndërkohë djemtë e axhës së tij po gërmonin diku posht zonës së Xhekut. Dy zetorët ishin ngarkuar mirë me material për skrap, dhe u nisën ndërkohë për pak minuta Xheku dhe banda e tij e skrapit u zhduk.

Dikur ajo hapësirë kishte qënë e vdekur nga vëmendja e njerëzve, ishte e virgjër por tani inertet prej betoni po përdhosnin atë fushë të gjelbër që në periudhë pranvere merrte një pamje tjetër e nën perëndimin e diellit reflektonte një gjallëri natyre të prekshme. Ndryshimet na marrin mendimet, na vrasin kujtimet, na tjetërsojnë këndvështrimet. Kështu ndodhte edhe me pamjen që shpalosej nga kopshti i shtëpisë sime. I frikesha prej 6 vitesh këtij ndryshimi, e doja të pandryshueshëm këtë pamje që më kujtonte fëmijërin time, familjen dhe bisedat me prindërit e mi, tashmë kjo nuk ishte më e mundur im atë nuk jetonte, pronarët e atyre tokave me të drejt pronësie mund të vepronin ta shfrytëzonin si të dëshironin. Kujtimet e mia nuk kishin certifikatë pronësie si të atyre, por kishin një certifikatë universale besimi në përkohëshmërinë e këtij zhvillimi ndërtimesh dhe një certifikatë universal dashurie për jetën dhe njerëzit që më rrethonin. Problem nuk ishte Xheku i vogël me “bandën” e tij, as ky aspekt zhvillimi por tek fenomeni i përdhosjes së kujtimeve në mënyrën më brutale. Më dukej sikur me këtë kantier inertesh po më varroseshin të gjitha kujtimet fëminore.

Është e nevojshme të kapemi pas disa objekteve dhe peisazheve të pandryshueshme që na rikthejnë në vëmëndje moment nga koha jonë e shkuar. Një vend pa histori është si një pemë pa fryte, kurse një qënie pa objekte kujtimesh është fuqi tërmeti pa epiqëndër, një forcë e shpërndarë kuturu mendimesh dhe emocionesh.Rrrjedh koha, rrjedh edhe pasiguria që mund të të shfarosin imazhin fëminorë të ngritur me fanatizëm në çdo mendje njerëzore. Në këtë botë pasigurish, e vetmja siguri që na ngroh shpirtin janë perceptimet dhe imazhet përreth ambjenteve që përjetojmë në fëmijëri, imazhet të cilat na nguliten fortë në mendje dhe që pavetëdijshëm shërbejnë edhe si tullat e para të fortesës sonë ndjesore dhe psikologjike. Çekani i Xhekut binte mbi beton ndërkohë nihilizmi nuk isha unë dhe banda e tij e skrapit. Me dy ditë gërmime nëpër inerte, Xheku do të siguronte vetëm 3 ditë bukë dhe mund të i’a lejonte vetes ndonjë frut si portokalli apo mollët për gjyshen e tij të sëmurë.

Më dhimbsej Xheku për fëmijërinë e humbur të tij dhe për barrën e madhe të përgjegjësisë që mbante duke rendur si ato milingonat në kërkim të ushqimit, kurse Xheku në kërkim të materialeve të skrabit. Unë dhe xheku kishim të përbashkët vetëm faktin se të dyve na ishte cënuar fëmijëria, xhekut duke i tejkaluar me shpejtësi e vështirësi kjo fazë, ndërsa mua duke më shembur të vetmen fortesë të qëndrueshme ndjesore që e ruaja me fanatizëm. Dikur vargu i kodrave mbuluar me pisha të pacënuara përkashi ballkonit të shtëpisë sime ishin oaz dhe muzë qetësie dhe frymëzimi për bisedat me tim atë, sot një mur blloqesh i ndërtuar së jashtmi, kishte shkatërruar fortesën time ndjesore së brendshmi. Disa minuta qëndrova e ulur në të njëjtën karrike të 15 viteve më parë dhe e vetmja gjë që shikoja të pandryshuar në memorien time fëminore ishte ajo hapësirë qielli përmbi kokën time e cila qëndronte e ende e virgjër nga aspekti vizual deri sa edhe ajo një ditë të mbipopullohet nga trafiqet qiellore. Duke shpresuar në mos ardhjen kurrë të atij zhvillimi që do na cënonte edhe atë pakëz liri mendimesh që ngjit aromën e familjes, bisedave dhe dashurive në skajet e lagëta si për ti kapur diku në një cep qielli dhe për ti ruajtura të pacënuara nga asnjë qënie ndjesore dhe vepruese ashtu sikur unë dhe ashtu sikur xhekët në vazhdim të kësaj sage shekullarizuese… Ashtu e e nostagjisur sa isha pëshpërita nën vehte paragrafët e një kënge që më erdhi atë çast ndërmend: - Më jepni pakëz siguri, në këtë botë ku siguri nuk ka!

 

Comments

Submitted by Roy (not verified) on

super shkrim, super trajtim, por mjere ne ku jetojme o goc,

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.