Kërcënimi “pa bereqet” i Ramës për Berishën dhe Bashën
Në emisionin Top Story i ftuar për të komentuar ngjarjet e fundit në parlament kryeministri Rama deklaroi se po të kishte nën kontroll Gjykatat e vendit, Lulzim Basha dhe Sali Berisha do të ishin para drejtësisë për 21 Janarin. Një deklaratë që bëhet në një kontekst politik të ngarkuar nga tensioni që opozita po krijojn në parlament dhe presioni amerikan për të votuar reformën në drejtësi. Por deklarata e kryeministrit i ngjan më tepër një kundërveprimi për të amortizuar sadopak strategjinë e tensionit që po ndjek opozita sesa një paralajmërimi real për atë që pritet të sjellë reforma në drejtësi për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Një dërgim i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës para drejtësisë nuk mund të bëhej pa mbështetjen e amerikanëve dhe këta të fundit janë treguar të kujdesshëm për të mos bërë dallime mes kryeministrit dhe kreut të opozitës. Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry gjatë vizitës në Tiranë u takua si me kryeministrin ashtu dhe me Lulzim Bashën, duke legjitimuar në një farë mënyre imunitetin e kreut të opozitës përballë çdo skenari që lidhet me arrestimin e mundshëm të tij. Ajo që e pengon Edi Ramën të çojë para drejtësisë Bashën dhe Berishën është Ilir Meta. Partia Socialiste kur ishtë në opozitë nuk e njohu vendimin e Gjykatës për pafajësinë e Ilir Metës lidhur me videon Meta-Prifti dhe për të qenë koherente me qëndrimet e saj, duhet që edhe partnerin e koalicionit ta çonte përpara Gjykatës. A mundet ta bëjë këtë Edi Rama?
Add new comment