HEC në Nivicë, Ministria e Kulturës e miraton. Kryetari i Bashkisë kundër
Me një vendim të datës 23 nëntor të vitit 2015, Ministria e Kulturës ka autorizuar/miratuar projektin e ndërtimit të HEC DRIZA 1 në pellgun ujëmbledhës të përrenjve të Nivicës dhe Gusmarit, në Bashkinë e Tepelenës. Sipas vendimit me numër 241, të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, që ka hyrë në fuqi menjëherë, shoqëria duhet të kontribuojë për sistemimin e ambienteve të banesës së Myfit Kaçubajt, Qendër Nivicë, nën mbikëqyrjen e specialistëve të DRKK-së Gjirokastër. Në pikën 3 të këtij vendimi, thuhet se: “Gjatë procesit të zbatimit, siç parashikon dhe legjislacioni për trashëgiminë kulturore, punimet të mbikëqyren nga specialistë të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik”.
Projektet e kësaj natyre që kalojnë për miratim në Ministrinë e Kulturës, u druhen “rrënojave” që mund të dalin gjatë punimeve. Në rastin e Nivicës, Ministria e Kulturës e ka miratuar projektin, me kushtin procesi të monitorohet prej tyre. Në zonën e Nivicës, aty ku kërkohej civilizimi antik shqiptar, tashmë është autorizuar ndërtimi i një hidrocentrali.
Vendimi në fjalë, që i ka shkuar Ministrisë së Kulturës për miratim nga Ministria e Energjetikës, nuk është bërë me dijeninë e kreut të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, ai mohon të ketë dijeni, madje shprehet tërësisht kundër, pasi një HEC në Nivicë, sipas tij e shkatërron zonën dhe trashëgiminë e saj. Ai shton se, “Nuk ka ardhur asnjë njoftim për këtë. Unë nuk di asgjë fare”. I pyetur parimisht nëse është dakord, ai tha: “Unë jam kundër ngritjes së HEC-eve, sepse është vend turistik dhe po përpiqemi ta fusim gjithë zonën në guidë turistike bashkë me Zagorinë, pasi i gjithë Kurveleshi është vlerë e rrallë jo vetëm për Tepelenën”, tha kreu i bashkisë, Tërmet Peçi.
Udhëtarët
“Disa milje mbi luginën gjendet qyteti i Nivicës, që ka më shumë se 600 shtëpi. Në këtë vend ka rrënoja të konsiderueshme, të cilat për nga përshkrimi, gjykoj t’i përkasin një prej qyteteve të Kaonias antike. Në të njëjtin rajon malor, ka disa fshatra të tjerë, të populluar kryesisht nga barinjtë, ndërsa kopetë janë të mëdha e të shumta mbi këto male. Më kanë informuar se rreth 30,000 dele i përkasin fshatit Bënçë dhe pjesa tjetër zonave përreth. Më duhet të rrezikoj, edhe pse me kujdes, se pasazhi i Polibit mbi Foiniken të cilën ai e përshkruan si një nga qytetet më të forta dhe më të fuqishme të Epirit, mund të ketë qenë diku rreth e Tepelenës”,- në vitin 1816, Sir Henruy Holland ose doktor Holland, përmendte në shkrimet e tija edhe Nivicën.
Nivica nuk ka ngelur as jashtë vëmendjes, por zona ende nuk i është nënshtruar ndonjë gërmimi arkeologjik, ndërsa banorët përreth kanë gjetur herë pas herë objekte bronzi, hekuri dhe qeramikë çka të bën të mendosh për një vendbanim të rëndësishëm të periudhës IV -II p.r.s.
Kanionet
Kanionet Nivicës ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të rrethit të Tepelenës. Kanë gjatësi deri në disa kilometra, gjerësi mesatare rreth 15 m, ndërsa thellësia arrin deri në disa dhjetëra metra. Janë formuar nga erozioni i përroit të Nivicës, pjesë e atij të Bënçës, në shkëmbinjtë gëlqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar. Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka edhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dyja anët e tyre, i bëjnë ata tërheqës. Kanë vlerë të madhe turistike. Vizitohen sipas rrugës automobilistike Tepelenë-Progonat-Nivicë.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment