ENE UHIBBUKE!

Postuar në 16 Nëntor, 2015 13:33
Ahmet Dursun

“Për të luftuar terrorizmin, të gjitha shtetet duhet të kontribuojnë!”… Jo… Jo. Sepse sot me mënyrën se si drejtohen shumica e shteteve është utopi të presësh një kontribut të tillë. Terrorizmi gjen hapësira të blerta të kullosë kur ai luftohet nga shtetet që kanë një regjim të ngjashëm me vetë atë dhe, në kësi rastesh, humbjen më të madhe e pësojnë të pafajshmit. Por lufta më e lehtë dhe më efikase ndaj çdo terrori ka qenë e mbetet ajo që bëhet individualisht… është i vetmi rast kur terrorizohet terrori.

***

Presidenti Hollande, ashtu si në rastin e vrasjeve makabre të punonjësve të revistësCharlie Hebdo, edhe për masakrën e së premtes së zezë ka marrë mesazhe ngushëllimi prej çdo udhëheqësi nëpër botë, qoftë ky i një vendi të vogël e i panjohur, e deri nga liderët e fuqive të mëdha. Këto mesazhe, me një përmbajtje standarde, shfaqin keqardhje, mbështetje, dënojnë me forcë këtë akt dhe çdo akt tjetër terrorist. Mes tyre ka edhe disa liderë, që si për të treguar se kanë lexuar Viktor Hygoin, i vjedhin disa fjalë mjerimi; “ndiejmë dhimbje, trishtim të thellë, me lot në sy, jemi të pikëlluar”… etj. Është më se e kuptueshme se asnjëri prej tyre nuk ka se si të ketë të njëjtin përjetim si Presidenti Hollande për qytetarët e Republikës së tij, ashtu sikurse edhe Presidenti Hollande nuk mendohet ta vuajë në ato përmasa humbjen e të rinjve të vrarë, ashtu si të afërmit e tyre… sepse zjarri përcëllon më shumë në vendin ku bie.

***

Sot, shumica e vendeve – në veçanti ato myslimane – udhëhiqen nga liderë, të cilët në rastin më të mirë në emër të demokracisë e deformojnë çdo ligj për t’u ushtruar trysni kundërshtarëve politikë, mendimtarëve, si dhe mbi median. Janë shtypës të pamëshirshëm të dinjitetit njerëzor, madje duke i dhunuar qytetarët e tyre psikologjikisht, fizikisht, si dhe materialisht vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Në marshimin e njehsimit kundër terrorizmit, pas ngjarjes në Charlie Hebdo, prania e shumtë e liderëve që ushtrojnë përditë terror ndaj qytetarëve të tyre, – që përveç ngjyrës së korbit të flamurit të IS i mbartin të gjitha tonalitetet e tjera të zezave – e zbehu shpresën e çdo njeriu për të luftuar terrorizmin. Lënia në rreshtat e fundit, apo aq më keq mospërfshirja e opozitave të vendeve që sundohen me autokraci, u perceptua si mbështetje e të këqijve ndaj një të keqeje më të madhe siç është IS-i. Ashtu si në rastin e Charlie Hebdo edhe për makabritetin çnjerëzor të ndodhur në 13 nëntor, sërish do të mblidhen miliona. Është çasti më i volitshëm për të prishur lojën e ndyrë të terroristëve të IS-it, por po aq edhe atyre që i mbështesin dhe në heshtje i imitojnë ata.

Ditën e homazheve, në krah të Presidentit Hollande duhet të qëndrojnë veçse mendimtarë me integritet të lartë moral të vendeve myslimane dhe jo vetëm. Atyre duhet t’u jepet fjala dhe ata duhen përkrahur duke i lënë në një vetmi të frikshme gjithë ata udhëheqës autokratë që u kapën dorë për dore në 10 janar dhe në 13 nëntor që shkaktuan plot 129 viktima të pafajshme, falë flirtimit të pandërprerë me IS-in. Përfshirja e elitave të mendimit me ndikim në shoqëritë e tyre do ta izolojë të keqen më shumë se çdo bombardim. Do t’i hapë rrugë çdo individi të guxojë të votojë për ata individë që të keqen e kanë luftuar po aq sa ai.

E gjithë bota, por në mënyrë të veçantë Perëndimi, çdo ditë po bie në grackën e ngritur nga ISIS, e jo vetëm. Ata po e emërtojnë luftën e tyre si të shenjtë, ndërsa për shumë të tjerë ky term po përkthehet si terrorizmi islamik. Për aq kohë sa ky term përgjithësues do të vazhdojë të përdoret, gjithnjë do të ketë grupe psikopatësh që luftojnë dhe shtete që i mbështesin. Një qytetërim për t’u quajtur vërtet i tillë, është i detyruar të ndihmojë në ringritjen e një tjetër qytetërimi të rënë përtokë, pasi pa të, as vetë nuk është. Sot, IS bashkë me mbështetësit, pra udhëheqësit zyrtarë të vendeve të tyre, nuk janë më shumë se 100 mijë, ndërsa bota që i beson islamit, mbi 1 miliard. Mospërsëritja e akteve të tilla është dëshira e vetme e tyre. Për ta mundur terrorizmin ditën e homazheve, çdokush në Paris duhet ta ngrejë zërin sa më shumë me shprehjen “Ene uhibbuke!” që arabisht do të thotë: “Të dua”.

Pavarësish se…

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.