Rikthimi i aleancave fluide...
Ka shumë fjalë për aleanca fluide, për mesazhe politike mes Ilir Metës dhe PD-së. Shenja ka disa, të paktën nga kreu i LSI-së, i cili përdor një kod komunikimi që nuk e ka ndryshuar. Mund të pyetet se cila është arsyeja e takimeve thuajse të përditshme mes Edi Ramës, që është kryeministër dhe Ilir Metës? Sikurse mund të hamendësohet për arsyet se përse Ilir Meta nuk lë rast pa dalë me qëndrime të ndryshme nga aleati i vet, apo edhe duke e përgënjeshtruar atë? Rasti i penalizimit të shpifjes është më i fundit, kur Meta përpiqet të shfaqet si arsyeja e munguar e mazhorancës; ndryshimet në qeveri janë po ashtu një rast tjetër. Sot, bashkëpunëtori i Metës, Spartak Braho, ka hedhur një tjetër shashkë. “Besoj se nën udhëheqjen e zotit Berisha, edhe opozita do të votojë pro strategjisë së re të mbrojtjes”, tha ai duke folur në Parlament. Vetë Berisha ka bërë thirrje për revolta me një argument social: “A gjeni kund në botë të dënosh tjetrin për kuponin tatimor? Të dënosh tjetrin 10 mln lekë se nuk i korrespondojnë letrat me pllakat, i dalin pak më pak. A gjeni kund në botë një terror të tillë ndaj biznesit mo? Mirë ai, po ju si ka mundësi të heshtni në këtë mënyrë. Gjeni një dhe na thoni, po ndjekim këtë shembull. Por ndjek shembullin e Kolekës, shembullin e Enver Hoxhes, që e kënaqin vetëm hekurat, burgu për të tjerët”- deklaroi Berisha. Fraza "do bëjmë shtet", me sa duket është keqkuptuar edhe nga vetë kryeministri në kuptimin e vet.
Add new comment