Ndryshimi mes Taulant Ballës dhe Bujar Nishanit? Taulanti nuk është bërë akoma president
Ka kohë që flitet, por sot një dokument i publikuar në portalin “lapsi.al” konfirmoi që Taulant Balla, një nga drejtuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është një ndër sekserët kryesorë të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. 80 punësime mbi kriterin e besueshmërisë politike, ndërkohë që kjo mazhorancë, pabesinë e ka ngritur në institucion: ndryshoi Kodin e Punës për të garantuar instrumentet ligjore që t’ua fusë mirë atyre që heq nga puna. Nuk kanë më të drejtë të rikthehen. Mirëpo çështja nuk qëndron dhe aq këtu. Dokumenti i publikuar nga “lapsi.al” nuk ka edhe ndonjë vlerë pasi këto gjëra dihen. Ai fiton vlerë kur vihet në ballafaqim me atë llapaqenërinë politike të ish-opozitës socialiste dhe të këtij deputeti kur dikur akuzonin mazhorancën PD-LSI për largime dhe emërime në punë. Shikoni se çfarë thotë Taulanti vetëm në tetor të 2013-ës kur dilte në podium me një dokument në dorë: “Është hera e fundit që po nxjerrim disa dokumente nga arkiva e paudhësive të qeverisë së kaluar. Po i nxjerrim sot përsëri për t’i kujtuar publikut sesi janë sjellë këta ish-ministra me administratën publike, që sot derdhin lot krokodili. U ndërrofshin mazhorancat zgjedhje pas zgjedhjesh, por kurrë mos ndodhtë ashtu siç ka ndodhur me administratën publike 8 vitet e shkuara. Kam një letër tjetër këtu, akoma më e rëndë se personi që e dërgon është sot Presidenti i Republikës në fakt”(http://www.gazetatema.net/web/2013/10/18/urdhri-i-nishanit-per-bodenhiqn...). Natyrisht, Bujari që është president, “shprehu keqardhje për këto sulme politike ndaj institucionit të Presidentit”, ndonëse përgjatë 8 viteve në qeverisje dokumentet partiake të punësimit që mbanin firmën e tij kanë dalë disa herë në media. Ku qëndron ndryshimi mes Taulantit dhe Bujarit? Asgjëkundi. Vetëm te historiku i mustaqeve dhe te fakti që Taulanti nuk është bërë akoma President(më poshtë dokumenti).
Add new comment