Më në fund edhe kryeministri u zbërthye për CEZ-in. Pas marrjes – vesh me aleatin...
Sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në Parlament për aferën e CEZ-it. Ka folur gjatë dhe me detaje, ka sqaruar dinamikën e marrëdhënies së CEZ-it me qeverinë shqiptare dhe me kompanitë e mbledhjes së borxheve. Ka sqaruar shqiptarët se afera fsheh pazaret e Sali Berishës, që qëndron sipas tij edhe pas vendimit të ERE-s, në vitin 2010, që uli çmimin e shitjes nga KESH drejt CEZ në 1,48 lekë. Kur vjen puna për hetimin ndërkombëtar, Edi Rama, ka përcjellë besimin që ka fituar te sistemi i drejtësisë në Shqipëri. “Pyetja ime është: Çfarë patën këta që e rihapën këtë çështje? Se kjo çështje u hap dhe u shtjellua në një maratonë prej 40 konferencash shtypi në gusht të vitit 2014, me të njëjtat broçkulla nga fillimi deri në fund. Nuk kanë sjellë këtu, - dhe kjo është në fakt çudi për ta se në prodhimin e broçkullave janë të pashtershëm, - asnjë broçkull më shumë. Po ato broçkulla të gushtit 2014-të, e rikthyer përsëri dhe avazi përsëritet. Për çfarë arsye? Unë duke iu referuar fakteve besoj se ka një arsye shumë të fortë. Janë të shqetësuar pikërisht nga çështja të cilës i referohen për të akuzuar qeverinë. Janë të shqetësuar pikërisht nga hetimet që kanë nisur lidhur me çështjen, që i bënë të hidhen papritur dhe pakuptuar përpjetë dhe t’i kthehen një historie të shkuar, të cilën në 40 konferenca shtypi, pa llogaritur këtu foltoret e Parlamentit, e kishin shteruar plotësisht në pikën që nuk kishin më asnjë gjë tjetër për të thënë...Ndërkohë që, po ju lajmëroj që të jeni të sigurt që kërkesa juaj për të përfshirë hetues ndërkombëtar në këtë proces do të përmbushet plotësisht brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është republikë bananesh, kjo është një republikë kushtetuese në mes të Europës, ka legjislacionin e vet. Ne i kemi kërkuar FBI-së të shprehë disponibilitetin për të asistuar hetimin. Padyshim, jemi shumë të lumtur nëse na bashkoheni që ta nxisim Prokurorinë që në këtë hetim të përfshijë hetues ndërkombëtar. Shpresojmë që edhe nga FBI-ja përgjigja do të jetë pozitive. Kështu që brenda kuadrit legjislativ të Republikës së Shqipërisë do të kemi cilësinë më të lartë të hetimit të pavarur ndërkombëtar”, tha kryeministri. I cili kishte kohë që mbante heshtje, një heshtje që jep shumë mesazhe dhe me siguri që kaq gjë, dinë ta lexojnë të gjithë. Po si shpjegohet kjo kapardisje tani? Një përgjigje na e jep “qetësia dhe dashuria” e fituar me Ilir Metën, pajtimi me të, siç e cilësoi PD. Ka dy ditë që partia e Ilir Metës është tërhequr nga kërkesa për ndryshime, ka një ditë që DIA është njoftuar se ka tërhequr padinë në arbitrazh, është emëruar një zv. Ministër nga PDIU-ja. Me kapërcimin e ngërçit politik brenda mazhorancës, shihet se PD-ja nuk ka fuqi të prodhojë goditjen dhe shantazhin që kërkon, pasi është e qartë se hetimi është gjëja e fundit që u intereson atyre që janë në sallë. Beteja e Sali Berishës që bërtet për shifra e raporte ka të bëjë më shumë sesa vetëm me korrupsionin e ndodhur gjatë qeverisjes së tij: ka të bëjë ndoshta edhe me disa kompani të mbledhjes së borxheve që u përmendën edhe sot që ishin të privilegjuara. Çfarë qëndron pas tyre? Ose më mirë: Kush qëndron? Një përmbledhje na thotë se nëse Berisha është në hall me këtë aferë, kryeministri luajti pisët, edhe pse ka një firmë që i fal CEZ shuma të mëdha, por edhe sepse doli në podium vetëm pasi u sigurua me aleatin e vet, të cilit tentoi t’i ngrinte kurth sërish. Jo më kot, edhe njeriu i rripave të mesit, Dritan Priftin, e ka ulur shumë zërin; pas dëshmisë në prokurori thjesht preferoi të mos bënte shfaqje.
Add new comment