LSI: Në sulmin ndaj Ilir Metës, ka autorësi edhe Edi Rama dhe PS
Koalicioni nuk ka probleme. Ai funksionon shumë mirë. Këto dy fjali i kemi dëgjuar disa herë së fundmi nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Dhe pavarësisht se duket e pasaktë, koalicioni mundet që të jetë duke funksionuar mirë. Por ajo që nuk po funksionon është zgjerimi me një pol i politikës shqiptare, që na pëlqen ose jo, aktualisht përfaqësohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ditët po ecin dhe në sfond është sfida e madhe e zgjedhjeve dhe e kodit zgjedhor. Është pikërisht aty ku do të përcaktohet e ardhmja e skenës politike, që siç po duket, po gjallon nga forca që duan të rikthejnë në modelin bipolar PS-PD. Dhe adresues kryesor i këtij mekanizmi shkatërrimtar për partië e vogla është me sa mund të kuptohet kryeministri dhe kreu i opozitës. Në një opinion të vetin në “Panorama”, një nga drejtueist e lartë të LSI-së, Luan Rama, shkruan se sulmi aktual ndaj partisë së tij dhe Ilir Metës, në thelb lidhet pikërisht me këtë objektiv, reduktimin e skenës në vetëm dy forca. “Nga të tre faktorët përcaktues të zhvillimeve politike e qeverisëse (Nano, Berisha, Meta), Ilir Meta, i vënë prej muajsh në qendër të goditjes, dikush duke e sulmuar, dikush duke spekuluar, dikush duke heshtur, është i vetmi që vazhdon të ndajë fituesin nga humbësi, qeverisjen nga opozita”, shkruan Luan Rama. Për të folur me letrat hapur, ata që heshtin për të sulmuar LSI-në janë vetëm një: Edi Rama. Dhe ky përcaktim e bën ekzistencën e kësaj aleance inerciale dhe çështje kohe. Por Luan Rama del edhe me një tezë që në fakt është ofertë për PD-në, të cilës i bëhet thirrje të kuptojë kahjen e lëvizjes elektorale. “ Në zgjedhjet politike të vitit 2005, e majta i humbi zgjedhjet sepse lidershipi i atëhershëm i PS-së zgjodhi të bënte luftë me Ilir Metën. Edhe në zgjedhjet e radhës, ato të vitit 2009, PS-ja përsëri humbi se zgjodhi të kishte kundër Ilir Metën, pasi nuk ia doli ta asgjësonte atë politikisht edhe me ndryshimet kushtetuese të bëra pikërisht me këtë synim në ortakëri të plotë me Partinë Demokratike. Zgjedhjet e vitit 2013 rikonfirmuan përsëri peshën dhe rolin përcaktues të Ilir Metës, i cili zgjodhi koalicionin me PS-në, çka bëri të mundur një fitore plebishitare të së majtës. Ndaj, nëse një fitore totale i ka munguar edhe njërës, edhe tjetrës, shkaku ka qenë vetëm fuqia politike që përfaqëson lëvizja që kryeson Ilir Meta. Pikërisht kjo është arsyeja e gjithë kryqëzatave të kohëve të fundit. E djathta e di shumë mirë që nuk mund të rikthehet dot në pushtet e vetme, prandaj provokon, akuzon e demonizon duke u rrekur të identifikojë të keqen me Ilir Metën, i cili nuk ishte i tillë (pra, i keq!), kur e ndihmoi të rikthehej në pushtet në vitin 2005 dhe as kur e mbajti në pushtet në 2009-n. PS-ja ndërkaq e sheh gjithë këtë fushatë si një test; po sikur ta provojmë një herë vetëm? Për më tepër, nuk do të ishte keq që gjithë kostoja e pjesës së keqe të qeverisjes të shkarkohet diku jashtë saj”, shkruan L. Rama. Nëse i besojmë kësaj që shkruan zyrtari i LSI-së, krisja është e pakthyeshme, pasi ajo lidhet me strategjitë e dy partive të mëdha. Dhe kjo përforcon idenë se beteja e radhës do të jetë kodi zgjedhor.
Comments
SHUME TE GJATE JA KE LENE
SHUME TE GJATE JA KE LENE KAPISTREN KETIJ DEBILI ILIR, SHKURTOJA PAK SE TE PRISH PUNE. E MBAN VETEN PER STRATEG ELEKTORAL, SI PUNA E KACIT, TE CILIT JA PA HAJRIN SI PS EDHE PD...
Add new comment