Dështim i plotë/Koalicioni jep vetëm një arsye për ekzistencën e vet: Sali Berisha
“Te dashur miq, skenari Papandreu ne zhvillim te shpejte ne Shqiperi. Doganat dhe shteti drejt falimentimit te pashmangshem. Muajin qe kaloi realizojne vete 75% te planit te ri. Keshtu, ne muajin shtator u mblodhen 2.2 mld me pak se plani i ri dhe 5.2 mld me pak se plani i vjeter. Si nente mujor 4 mld me pak se sa vitin e kaluar. Kontrabanda e klaneve qeveritare po falimenton me shpejtesi ekonomine shqiptare!”. Kështu shkruan sot në Facebook ish-kryeministri Sali Berisha. Deklarata dhe mesazhe në një kohë tensioni, në një moment krize të vërtetë të sistemit, ku të gjithë akuzojnë të gjithë. Ku më pak se kujtdo i ndihet zëri Partisë Socialiste dhe kryeministrit të saj, forca që kanë përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi. A ka shanse skenari Papandreu? Ndoshta, pasi Shqipëria ka kapur fundin, ekonomikisht dhe politikisht. Por nëse në Greqi, skenari katalizoi transformin të skenës politike, kjo që parashikon, apo nxit e sugjeron Sali Berisha, është thirrje për kthim të pushtetit në duart që e kishin para 2013-ës. Duke e marrë skenarin destabilizues e duke e sjellë në realitetin shqiptar, me siguri që do të mendojmë edhe një fuqizim të ri të krimit, pasi në ndryshim nga vende me strukturim institucional të konsoliduar, destabilizimi i rendit partiako-politik, në Shqipëri shoqërohet me destabilizim të rendit publik. Ka shumë zëra këto ditë që apelojnë për kujdes dhe bashkim PS-LSI, për vijim të qeverisjes, për të vlerësuar se kjo është një e keqe më e vogël nga autokrati që bërtet. Ka ndonjë tjetër që thotë se Berisha i druhet reformës në drejtësi, ku humbet monopolin dhe ndihet i kërcënuar. Të tjerë shtien në punë urrejtjen patologjike, apo edhe iluzionin se e majta është forca qytetare. Nga të gjitha këto rrëke të logjikës, të dala nga puseta e ndërgjegjës etatiste të së majtës, po të shohësh me kujdes, mbetet vetëm Berisha. “Faji i tij kolosal”, mëkatuesi dhe i inkriminuari ka mbetur aty si i vetmi justifikim i aplikueshëm se përse ky koalicion duhet të vazhdojë të funksionojë. Nuk ka më asgjë. Brroçkullat programore të Rilindjes janë tanimë në proces fshirjeje, për t’u dorëzuar tek inercia dhe llogaria e një partie si LSI. Berisha mund të akuzohet për çdo gjë, jo vetëm pse kështu e do zakoni tanimë, por do pranuar se është apo nuk është ai, vendi po shkon drejt destabilizimit. Kësaj radhe ekonomia dhe situata në përgjithësi është drejt implozionit dhe njerëz si ai thjesht sa kërkojnë të përfitojnë. Ndoshta një rrugë tjetër e qeverisë mund të relaksonte gjithë këtë stres të shoqërisë, që e ekspozon atë ndaj të gjitha reagimeve emocionale. Ka ende kohë. Por duhet filluar nga pranimi i gjendjes, do ndalur vrapi për t’iu fshehur situatës. Përndryshe do vijohet me kartën Saliu, të cilën ia urojmë PS-LSI ta konsumojnë edhe për ca.
Add new comment