Po Diana Bejko ç'mendon për skandalin e CEZ? Zv/ministrja u shkarkua se nuk pagoi 13 mijë lekë drita
U bë kokë turku për të legjitimuar moralin e qeverisë përballë ndjesisë së represionit që shkaktoi aksioni kundër debitorëve të energjisë elektrike. Të gjithë e mbajmë mend lajmin e bujshëm të 17 dhjetorit të kaluar kur kryeministri Rama shkarkoi nga detyra zv/ministren e Mjedisit, Diana Bejko pasi rezultoi të kishte 13 mijë lekë detyrime të papaguara për një shtëpi në plazhin e Velipojës. Me këtë akt kryeministri dha shembullin e forcës ose forcën e shembullit për një shtet të së drejtës ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
Tolerancë zero. Zv/ministrja vrapoi dhe i shlyeu detyrimet, por ishte vonë, me njollën që mori nuk mund të ishte pjesë e një kabineti që kujdesej deri estetikisht për dosjet e kuqe të ministrave. Diana Bejko u bë e para zyrtare që mori kosto publike ndoshta të pamerituara për 13 mijë lekë detyrime të papaguara, e megjithatë mbajti përgjegjësinë politike për të ikur nga detyra.
Në fund të fundit vonesat në faturat e energjisë elektrike deri diku janë të kuptueshme edhe për një zv/ministër që pret ditën e rrogës.
E megjithë kundërshtitë u pranua si një standard, që pavarësisht rreptësisë, do udhëhiqte mazhoranën në një qeverisje me duar të pastra. Me pak fjalë qeveria ndëshkoi veten për një “skandal” që medemek e zbuloi vetë. Por koha po nxjerr në sipërfaqe skandale që bëjnë fjalë për miliona euro afera korruptive të zyrtarëve dhe politikanëve të lartë të qeverisë që shkoi dhe asaj që është.
Më i fundit është ai me kompaninë CEZ dhe implikimin e disa zyrtarëve në përfitime që lidhen me kompaninë DIA, që fitoi të drejtën për mbledhjen e borxheve që shqiptarët i kishin kompanisë çeke. Një nga të përfolurit është edhe kreu aktual i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, i cili dyshohet se ka ndikuar në uljen e çmimit të energjisë që KESH do t’i shiste CEZ, në mënyrë që DIA e Kastriot Ismailajt të fitonte të drejtën për të mbledhur borxhet e CEZ.
Aferat e lidhin atë me pushtetin e mëparshëm, por fakt është se ai aktualisht është zyrtar i qeverisë socialiste, e cila ka qenë në dijeni të skandalit, pasi negocioi marrëveshjen e mirëkuptimit me CEZ për faljen e borxheve. Dyshohet për miliona euro afera ku është i përfshirë Ahmeti, i emëruar nga kjo mazhorancë, e megjithatë kryeministri Rama bën sikur nuk di gjë, nuk ka dëgjuar asgjë dhe nuk kupton asgjë. Bën shurdhmemecin. Po Diana Bejko çfarë mendon vallë?
Add new comment