Joshja e rrezikshme e Jeremy Corbyn

Postuar në 21 Shtator, 2015 10:15
Anne Applebaum/The Washington Post

Shkonim sa para–prapa gjatë gjithë darkës. Po, një i njohuri im e pranoi, planet ekonomike të Jeremy Corbyn – rishtetëzimi i industrisë, vendosja e një “page maksimale” – ishin fantastike. Po, është e vërtetë, simpatitë e Corbyn për njerëzit, të cilët ai i ka përmendur si “miqtë tanë te Hezbollahu”, zor se mund të jenë të shëndosha apo racionale. Dhe, sigurisht, udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste mund të mos zgjidhet kurrë kryeministër. Por më pas ai psherëtiu: “Të paktën do të zbavitemi sërish”.

Nostalgjia, melankolia, përkatësia e një epoke kur politika qe “zbavitje”; vështrimi i kthyer pas në një kohë mitike kur “idetë kishin rëndësi”; të gjitha këto e nxitën shoqëruesin tim të darkës ta mbështeste zgjedhjen e Corbyn. Ashtu sikurse e nxiti lloji i botës tjetër që ai dëshiron, në të cilën nuk do të kemi nevojë për NATO-n, për armët bërthamore dhe madje as për ushtrinë. “A nuk do të ishte e mrekullueshme? – pyeti Corbyn përpara disa vitesh. – Çdo politikan anembanë botës… do të krenohej për faktin se nuk ka një ushtri”. Por e nxiti edhe dëshira e tij për një tjetër lloj ekonomie globale, në të cilën tregjet financiare nuk i ndëshkojnë huamarrësit borxhlinj, ku paratë mund të shtypen dhe burimet janë të pafundme.

Këto lloj fantazish nuk janë të reja: shumë njerëz ndër shekuj kanë dashur që bota të jetë ndryshe nga ajo çfarë është, dhe disa janë përpjekur ta ndryshojnë me çdo mjet atë. Njerëz të tillë nuk janë të pazakonshëm. Disa fantazi shumë të ngjashme e shtynë Greqinë sivjet dhe votuesit grekë që të mbështesnin një parti politike, Syrizën, që në fakt iu premtoi se do t’iu jepte më shumë para. Një gjë e tillë rezultoi e pamundur: shteti grek nuk ka më shumë para. Dhe askush nga jashtë Greqisë nuk ka ndër mend t’iu japë hua. Syriza u detyrua të kapitullonte dhe madje përfundoi duke premtuar se do të shpenzojë edhe më pak para.

Por edhe Corbyn mishëron një tjetër fantazi: Ëndrrën e një bote pa realitete politike. Corbyn nuk dëshiron t’iu flasë mediave të “zakonshme”. Ai tashmë ka anuluar një intervistë për BBC-në, edhe pse në të kaluarën ka folur për televizionin iranian dhe për ‘Russia Today’ dhe po refuzon t’iu përgjigjet pyetjeve që i bëhen nga të tjerët. Atij nuk i pëlqen “Momenti i Pyetjeve për Kryeministrin”, forumi tradicional i debatit në Parlamentin britanik. Aleati i tij më i afërt, që tani është kancelari në hije i laburistëve, deklaroi përpara disa muajsh se “nuk mund ta ndryshosh botën nëpërmjet sistemit parlamentar”, një koment i jashtëzakonshëm për një zyrtar të zgjedhur. Tony Blair, kryeministri i fundit laburist që i ka fituar zgjedhjet (në fakt fitoi tri të tilla), ka konstatuar i shtangur se as Corbyn dhe as aktivistët – më pak se 1 për qind e publikut votues – që e zgjodhën në votimet e brendshme të laburistëve, as që duan të flasin për mënyrën se si do të konkurrojë udhëheqësi i ri në zgjedhjet kombëtare.

Muajin e kaluar Blair shkroi se, një mik i tha atij që të mos e ngrinte këtë çështje: “Mos e përfol fitoren e zgjedhjeve; një gjë e tillë do t’i fyente vërtet ata”.

Corbyn dhe aleatët e tij kanë thënë se nuk e duan politikën e zakonshme; por në fakt ajo që nuk duan në të vërtetë ata janë politikat demokratike, me kompromiset dhe negociatat e tyre, procesin e saj të lodhshëm vendimmarrës, animin e saj të pashmangshëm drejt qendrës dhe sigurisht të mërzitshmit votues, gazetarë, politikanë të opozitës në Britani, në Shtetet e Bashkuara apo kudo tjetër, duke parapëlqyer shoqërinë e populistëve venezuelianë apo të radikalëve të financuar nga Irani. Në Parlament në mbi 30 vjet, Corbyn ka votuar kundër partisë së tij qindra herë. Teksa kolegët e tij përballeshin me vendime të vërteta dhe çështje të vështira, për të qenë në rregull me burokracinë dhe duke negociuar me aleatët, ai qëndronte në kolltuk, duke parapëlqyer të mbetej ideologjikisht i pastër. Këtë javë ai refuzoi të këndonte himnin kombëtar.

Pavarësisht frikës së Blair se zgjedhja e Corbyn e ka bërë Partinë Laburiste të pabotueshme, ky lloj politikash “parimore” mund të kenë vërtet një tërheqje elektorale, për të njëjtën arsye që puritanizmi ideologjik ka qenë gjithnjë joshës. Por në të vërtetë, ideologjia e kulluar ka qenë me raste joshëse për masat – edhe kur ka çuar drejt një dështimi, të rrezikshëm, të marrë dhe irracional. Sigurisht ajo është më “zbavitëse”, sikurse tha mikja ime, sesa shifrat e sakta apo argumentet se sa është në gjendje të shpenzojë shteti, apo të planifikosh të mbrosh shtetin e dikujt nga sulmet terroriste.

Për këtë arsye të vetme, është e rëndësishme ta shohim në sy realitetin: Corbyn mund të bëhet kryeministri i ardhshëm britanik. Por edhe sikur një katastrofë e tillë të mos ndodhë, zgjedhja e Corbyn si udhëheqës i opozitës së Madhërisë së Saj, do të thotë se të gjitha parashikimet janë tejkaluar. Çdo gjë mund të ndodhë dhe çdo gjë mund të ndryshojë nëse politikanët janë vërtet të vendosur t’i kthejnë fantazitë e tyre në realitet.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.