Cani flet për buxhetin 2016: Do ta paraqesim në fund të tetorit, pas konsulencës me FMN-në
Në fund të muajit tetor do të prezantohet projektbuxheti i vitit 2016. Këtë e deklaroi sot ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Deklarata e Canit u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndihmën financiare për projektin “Instalimi në Ministrinë e Financave i programit DMFAS 6 të UNCTAD –it dhe ngritja e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të borxhit në Shqipëri“, me ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf. Sipas tij, p/buxheti do të konsultohet edhe me ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili pritet të mbërrijë në vendin tonë në gjysmën e dytë të muajit tetor. “Ekipi i FMN-së duhet të mbërrijë në Tiranë në pjesën e dytë të muajit tetor. Ne do të konsultojmë buxhetin bashkë me ekipin e FMN-së për të patur një mirëkuptim jo se FMN-ja e çertifikon atë”, deklaroi ministri Cani. Ai informoi edhe mbi pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të FMN-së në fillim të muajit tetor. P/buxheti i vitit 2016 pas miratimit nga qeveria në fund të muajit tetor do të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare të Kuvendit. Komisionet parlamentare do të shqyrtojnë p/buxhetin në parim dhe nen për nen gjatë muajit nëntor për t’u miratuar më pas në seancë të posaçme plenare në fillim të muajit dhjetor. Ky buxhet hyn në fuqi nga data 1 janar 2016.
Add new comment