Luftë evazionit dhe informalitetit. Po Ministria e Financave a ka dijeni si kanë funksionuar kasat fiskale? A duhet të kemi një raport zyrtar për këtë?
Qeveria ka nisur aksionin kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, duke shpallur gjendje lufte për Shqipërinë. Në fakt, aksioni ndaj informalitetit u shty, me synim që t’i lihet kohë të regjistrohet e më pas të blejme kasën fiskale. Kjo është njëra anë e çështjes, e cila ka krijuar pështjellim dhe tension, e që në çdo rast do të duhet pritur për të parë rezultatet. Ana tjetër është ajo që ofron shteti, përveç shërbimit edhe garancia që evazioni të mbahet nën kontroll. Një nga mënyrat më të njohura është fiskalizimi dhe zbatimi i rregullave, që është kuponi. Kanë kaluar disa vite që kasat fiskale kanë vënë në përdorim dhe ekspertë me përvojë, biznesi etj., kanë njohuri mbi problemet e tyre, probleme të karakterit teknik, që duhen trajtuar në rrugë zyrtare në mënyrë që të jepet zgjidhje. Disa nga problemet e zakonshme që hasen me kasat janë: raportimi i vlerës ditore në vend të vlerës progresive, janë verifikuar kasa me NIPT të gabuar , raportim të vlerave negative. Në ndonjë qytete nuk ka munguar edhe hileja e ndjekur me energjinë, ku një kasë ka realizuar fiskalizim të dy subjekteve.
Në përvojën e biznesit nuk duhen harruar edhe raste të marrëdhënieve shumë problematike me firmat e shpërndarjes së kasave. P.sh është përcaktuar kontroll teknik i detyruar për kasat një herë në dy vjet, por ai shpesh bëhet edhe një herë në vit, duke rritur tarifën e përcaktuar. Shërbimet teknike jo rrallë nuk shoqërohen me kupon. Edhe çmimet e pjesë e janë të larta, pa folur këtu për faktin se askush nuk lejohet të blejë kasë vetë, pra në treg të lirë dhe mandej të kryejë fiskalizimin. Shpërndarja e kasave u është lënë disa kompanive, një prej të cilave aktualisht pa licencë, duke krijuar një mbyllje dhe cilësi shërbimi që krijon jo rrallë probleme.
Ndërkohë që qeveria ka lajmëruar aksionin në fjalë, pyetja është: a ka dijeni për problemet që biznesi i rregullt has në përdorimin e kasave. Dihet se ka gjoba të shpeshta për mospërdorim të kasës fiskale. Por do të ishte mirë, që Mimistria e Financave të publikonte një raport teknik mbi gjendjen e funskionimit të tyre, në mënyrë që situata të përmirësohet, por edhe një pjesë e biznesit të shikojë, sesa legjitime është gjoba për kasën. Në fillim është shërbimi, pastaj pagesa.
Add new comment