Thaçi për “The Telegraph”: Serbia hapa përpara për njohjen e Kosovës
E përditshmja e njohur britanike “The Telegraph” ka realizuar një intervistë me zv/kryeministrin e parë, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ai mbuloi disa tema të rëndësishme, duke filluar nga kriza e emigrantëve, lufta kundër ekstremizmit, dialogu me Serbinë, integrimet evropiane dhe Gjykata Speciale.
I pyetur për raportet mes Serbisë dhe Kosovës, zëvendëskryeministri Thaçi përsëriti se “ne nuk mund të harrojmë gjenocidin e kryer nga një regjim i ndyrë. Dhe dua të ritheksoj se për hir të drejtësisë, ne kurrë nuk do të mund të barazojmë kriminelët me viktimat”.
Derisa Hungaria po regjistron një rekord të ri të valës së emigrantëve, zëvendëskryeministri Thaçi rrëfeu për The Telegraph arsyet pse Samiti i kancelares gjermane Angela Merkel është i rëndësishëm në raport me çështjen e emigrantëve. Hashim Thaçi i tha gazetës britanike se shteti i tij i vogël – më i varfëri dhe më i riu në Evropë – është i vendosur për të ndihmuar në këtë drejtim. “Si udhëheqës politik i një ish-force guerile, ndjej vetëm dhimbje kur t’I shoh njerëzit duke ikur nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën”, tha zëvendëskryeministri Thaçi, i cili ishte një nga udhëheqësit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shtoi se emigrantët druajnë se do të mbeten të izoluar apo të lënë në fatin e tyre, të vetëm në atdheun e tyre.
Thaçi theksoi se në të njëjtën kohë, problemet e mëdha botërore kërkojnë zgjidhje të mëdha globale dhe se kosovarët mund të jenë pjesë e zgjidhjes. “Më 1999, BE ishte feneri i të drejtave të njeriut në Kosovë. Ne së bashku me BE-në do të jemi fenerë për emigrantët nga të gjitha vendet. Kosova pjesë e koalicionit global kundër ekstremizmit radikal,” theksoi Thaçi duke nënvizuar se “Kodi shtetëror telefonik, një hap më shumë drejt njohjes së Kosovës nga Serbia”.
Add new comment