Në ç'kohë po jetojmë?

Postuar në 14 Gusht, 2015 21:29
Leonard Mitro

Të gjithë e shohim dhe e prekim kohën që po jetojmë, qeverinë që zgjedh gushtin për të bërë pushime në grup, kryeministrin që lahet dhe fotografohet në det, ministrat që dalin në suplemente duke u kremosur nga gratë në plazh, vohën e djersës dhe radhët e gjata  për të marrë një pasaportë në zyrat e shtetit shqiptar, infermieren që pret t’i fusësh 5-mijëshen në xhep për çdo barrë lindjeje apo vaksinë që nuk gjendet në raft, gjyqtarët që ndryshojnë vendimin nga darka në mëngjes, policin që del vend e pa vend për të të ndëshkuar me gjobë apo siç e thonë tani  me termin "penalitet", kryetarin e bashkisë që hyp e zbret nga urbani me sportivitet, Aldrin Dalipin, më në fund kryetar të zgjedhur me votat e socialistëve në Këshillin Bashkiak, Elez Gjozën e dopingut, administrator të bashkisë, Nishanin President, Bamir Topin që theket si i majtë, Edin dhe Ilirin bashkë, Alfred Pezën deputet  i Rilindjes në Peqin, pikiatën në tatime e dogana dhe dështimin e “bletës së artë”, porositë për drejtorët të mbledhin vota pa hesap, Liza Tabakun me zarfat në çantë, testin atletik për mësuesit e edukimit fizik, popullin që mbjell dhe policinë që korr hashash, autostradë me palma dhe azilantë që kthehen mbrapsht...E kështu me radhë, këto janë të mirat e të ligat e kohës që po jetojmë. Ka dhe shumë gjëra që jo të gjithë i shohim, por që janë të kohës sonë. Është dhe qeveria që ku e lë e gjen, qeveria që flet për një kohë që ka ikur dhe një kohë që ka ardhur. Një gjuhë me të cilën flasin që nga i pari i qeverisë deri të ministri më i fundit. Rasti më i freskët është ai i ministres së Arsimit Lindita Nikolla që duke komentuar kthimin mbrapsht nga Presidenti të Ligjit për Arsimin e Lartë ka folur për një kohë të perënduar sipas optikës së saj për meritën dhe konkurrencën në arsim.

“Koha kur konkurenca dhe merita abuzoheshin papushim në emër të një autonomie të kufizuar vetëm në kuadrin e papërgjegjshmërisë ndaj prindërve e studentëve, ka marrë fund.”  Lindita Nikolla, 14 Gusht 2015

Në fakt nga këndvështrimi deklarativ ai që e përdor më shpesh këtë frazë është kryeministri Rama, për të cilin koha ka ikur për shumë gjera.

"Koha kur kryeministri i Shqipërisë e kërkon Prokurorinë si ushqim për qen ka mbaruar në 23 Qershor",  Edi Rama, 6 Mars 2015

“Ka ikur koha kur Qeveria vendoste gjoba elektorale për biznesin”, Edi Rama, 15 Prill 2015

“Koha e tallavasë me financat dhe me paranë ka ikur dhe është koha për të përveshur mëngët dhe për t`i nxjerrë qoftë të ardhurat, qoftë edhe të ardhmen përmes punë”.Edi Rama, 14 Mars 2014

“Koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashke me atë pushtet në 23 qershor 2013”  Deklaratë e kryeministrisë në 29 Prill 2015

“Përgëzime policisë për arrestimin e grabitësve që morën famë si “babagjyshat e Vitit të Ri”. Po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur”, Edi Rama, 17 dhjetor 2014

“Ka ikur koha kur fitoheshin zgjedhjet me miell”, Ilir Meta, 28 Maj 2015

Po shqiptarët në  ç"kohë po jetojnë? Në televizor dhe gjithandej në zyra e vila qeveritare shohin që kanë ikur ca të tjerë e kanë ardhur ca të tjerë...

l.mitro

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.