Shqipëria, lobim për rezolutën e Srebrenicës në OKB

Postuar në 28 Prill, 2024 15:47

Shqipëria është pjesë e grupit të miqësisë për Srebrenicën bashkë me Gjermaninë, Francën Ruandën dhe Bosnje-Hercegovinën. Në një reagim zyrtar për MCN, Ministria e Jashtme konfirmoi se shteti shqiptar është përfshirë në lobim për miratimin e rezolutës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që dënon genocidin në Srebrenicë në vitin 1995.

Shqipëria është pjesë e Grupit të Miqve për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, i cili ka përgatitur dhe i ka qarkulluar anëtarësisë së OKB-së, draftin e rezolutës mbi shpalljen e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”. Në këtë kuadër,  Shqipëria (si pjesë e Grupit të Miqve) është e angazhuar në lobimin me grupe shtetesh për një mbështetje sa më të gjerë për këtë rezolutë.

Rezoluta ishte parashikuar që të kalonte për votim më 2 maj, por me propozim të Gjermanisë është shtyrë për në një moment të dytë. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, pohoi për MCN se lëvizja nga ana e Gjermanisë ka ardhur për të shmangur votat surpriza duke qenë se ka patur një kundërlobim të fuqishëm nga Rusia dhe Serbia.

Ndërkaq nga ana tjetër edhe Kosova pret një zhvillim të rëndësishëm për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Raporti paraprak është miratuar por pritet që në vijim të merret vendimi final. Por sipas Kodhelit, nëse vendet e Kuintit dhe SHBA do të jenë të qarta në qëllimin e tyre, nuk priten surpriza.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm konfirmoi se edhe për këtë çështje, shteti shqiptar po lobon në Këshillin e Evropës dhe përplasjet publike mes kryeministrit Rama dhe Kurtit nuk kanë afektuar çështjet e rëndësisë së kësaj natyre.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.