Ikën Lajçak, danezi Sorensen do të përfaqësojë BE-në në dialogun Serbi-Kosovë
Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, pritet të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Emri i tij është dërguar për miratim te vendet anëtare të BE-së nga Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE për politikë të jashtme dhe siguri. Sorensen do të marrë vendin e të dërguarit aktual Lajçak, mandati i të cilit përfundon më 31 janar.
Kush është Peter Sorensen?
Me përvojë në strukturat e BE-së, i cili deri më tani ka mbajtur postin e këshilltarit të lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale. Emri i tij nuk është i panjohur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, çka me sa duket ka ndikuar në emërimin e tij. Më herët ai ka qenë përfaqësues i posaçëm i Brukselit për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Sorensen po ashtu ka shërbyer si shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu danezi ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e UNMIK-ut. Sakaq ai ka qenë po ashtu përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Një tjetër detyrë e mbajtur prej tij në Ballkan ka qenë në misionin e OSBE-së në Kroaci.
Add new comment