Perandoresha e BE-së/ Strategjia e Von der Leyen për të çimentuar pushtetin
Ekipi i ri i Ursula von der Leyen flet shumë për dëshirën e saj për një mandat të dytë të papenguar në krye të Komisionit Europian. 26 komisionerët e rinj janë finalizimi i një strategjie disamujore publike dhe private për të shuar zërat kundër të mandatit të saj të parë si presidente.
“Ajo do të ketë edhe më shumë kontroll mbi gjithçka,” tha një zyrtar i BE-së, i cili, ka folur në kushte anonimati për Politico.
Personalitete të mëdha si Thierry Breton i Francës dhe Frans Timmermans i Holandës janë mënjanuar.
Von der Leyen u etiketua gjatë mandatit të parë si presidentja që mori vendime të njëanshme, tejkaloi kompetencat dhe largoi liderët e tjerë të BE-së nga vendimmarrja. Këto i dhanë pseudonimin Mbretëresha Ursula në Bruksel.
Ajo e shmangu tërësisht PE-në, kur doli në një konferencë shtypi për të njoftuar cilët ishin komisionerët e përzgjedhur, emrat e të cilëve i dinte vetëm ajo.
Të njëjtit qëllim i shërbeu edhe “pazari” me presidentin Macron për komisionerin e Francës, një detyrë që iu hoq Thierry Breton, i cili pasi u detyrua të jepte dorëheqjen, u pasua nga Stéphane Séjourné me më pak përvojë. Në këtë mënyrë, kritiku i saj më i madh brenda Komisionit u eliminua.
“Kushdo që mendonte se ajo mund të kishte ndryshuar stilin e saj, vullnetin e saj për të mbajtur kontrollin e rreptë, ka qenë më e pakta naiv”, tha një diplomat i BE-së.
Ndërsa pretendoi se riorganizimi i komisionit do të lejonte një bashkëpunim më të madh midis komisionerëve dhe nëpunësve të tyre civilë dhe do t'u jepte atyre një "përgjegjësi të barabartë" për të përmbushur prioritetet e tyre, qëllimi mund të jetë në të vërtetë një tjetër. Diplomatët dhe zyrtarët e BE-së, duke përfshirë disa nga punonjësit e saj në Komision, thonë se struktura e saj e re do të lejojë Von der Leyen të zbatojë strategjinë “përça dhe sundo”.
Ajo u ka dhënë poste disa bensikëve si Maroš Šefčovič i Sllovakisë, Valdis Dombrovskis i Letonisë dhe holandez Wopke Hoekstra që të jenë "qentë roje" që mbajnë nën kontroll kolegët e tyre të rinj, thotë një diplomat tjetër i BE-së..
Von der Leyen po përpiqet të forcojë akoma më tej pushtetin e saj dhe kjo nuk është diçka e papritur.
Ajo diti të shfrytëzojë me shkathtësi dobësimin e pushtetit që krijuan zgjedhjet e këtij viti në vendet kryesore të BE-së. Le të kujtojmë këtu humbjen e madhe të Macronit në zgjedhjet evropiane të qershorit përballë të djathtës ekstreme, shqetësimin e Olaf Scholz për të ardhmen e tij dhe preokupimin e kryeministrit polak Donald Tusk me politikën e brendshme.
"Nuk duhet t'i mësoni von der Leyen se si të luajë lojën e pushtetit," tha diplomati i tretë i BE-së. "Ajo e pa vakumin e lënë nga kryeqytetet evropiane dhe e përdori."
Megjithatë, von der Leyen nuk do të jetë në gjendje të drejtojë plotësisht Evropën e vetme për pesë vitet e ardhshme.
Asaj i duhet drita jeshile e Parlamentit Evropian për ekipin e saj, në mënyrë që ata të mund të fillojnë punën. Von der Leyen duhet t'i mbajë liderët evropianë dhe ambasadorët e tyre në Bruksel mjaft afër për të siguruar që ata do të jenë në të njëjtën gjatësi vale me planet e saj për të ardhmen e Evropës.
Add new comment