Sekreti që SHISH nuk e mban dhe nuk e krijon dot

Postuar në 17 Korrik, 2024 15:05

Ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë shefja enigmatike e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Në media është raportuar se ajo është shprehur se “shërbimet serbe dhe ruse janë armiqësore me Shqipërinë”. Kaq, pastaj takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura sepse diskutohen gjëra më rëndësi. Këtij sekreti iu zbardh diçka nga kryeministri Edi Rama që në një takim për legalizimet ka folur për një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Ka profile false që thonë nuk ka njeri, sipas z. Rama, ndërkohë që po sipas tij “ka një përpjekje të ulët për të thënë që turistët nga Kosova e kanë braktisur Shqipërinë”.

Shërbimet tona kanë ndezuar alarmin e kuq

tha z. Rama.

Me siguri që zonja Hyseni i di këto. Ajo që ne nuk mund të dimë është shumëçka, edhe pse kauza e rreme e mistifikimit të shërbimit sekret shqiptar – nëse ka një të tillë realisht – nuk mund të ngrihet më.

Kushdo që ka lexuar gazetat e viteve ’90-‘2000 e mban mend shumë mirë sesi “sekretet e Sigurimit” dolën sheshit. Nuk mbeti më letër pa u publikuar dhe operativ pa dhënë një intervistë, për të ardhur në përfundimin se sekreti i Sigurimit nuk ishte ndonjë operacion kompleks agjenturor gjëkundi, as ndonjë libër i verdhë, apo ndonjë material i denjë për kujtime. Sekreti i Sigurimit ishte krimi dhe përgjimi ndaj shqiptarëve, ishte pushteti këtu brenda.

Këtë e kanë konfirmuar edhe drejtues të asaj arme që e kuptuan nga fundi se ishin vetëm disa ushtarë që mbanin gavetën.

Të deklarosh pra sot se SHISH ka ndonjë sekret i cili madje u komunikoka në mënyrë konfidenciale tek ata lloj deputetësh që ka ai Parlament, ndjesë, por kjo është t’ja dhjesësh të gjitha estradave të Shqipërisë.

Patjetër që ka një procedurë dhe ajo do zbatuar. Patjetër që ka njerëz seriozë dhe që besojnë te puna e tyre. Por këtu nuk është çështje e individëve, por e një sistemi të tërë që është ngritur dhe funksionon duke vjedhur publikisht.

Sekreti më i madh sot në Shqipëri nuk është se nuk dihen hajdutët, ata janë sheshit dhe në institucione. Sekreti më i madh është a ka ndonjë vullnet për t’i futur në burg, t’u konfiskohet pasuria. Nëse SHISH është duke e bërë këtë, atëherë po, ia vlen që sekreti të ruhet dhe zonja Hyseni të mos flasë fare nëse ia lyp puna. Por nuk duket ky rasti.

s.zaimi

Comments

Submitted by R (not verified) on

Sekreti më i madh sot në Shqipëri nuk është se nuk dihen hajdutët, ata janë sheshit dhe në institucione....

Ne vazhden e shkrimeve, bjeri me top. Ka institucione te tjera qe jane pergjegjese e qe duhet te raportojne per ato. SHISH ka subjekt tjeter. Nuk u mor vesh per ke e ke kete shkrim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.