Në Republikën Onkologjike Socialiste të Shqipërisë

Postuar në 15 Korrik, 2024 16:05

E marrim se çdo gjë që thuhet për Fredi Belerin është e vërtetë. Në parantezë përsërisim: ai nuk duhej lejuar të kandidonte. Aty zë fill historia. Por e quajmë se ai është i ligu i të ligjve që i ngeci atdheut të dashur të trojeve të Himarës që synohet të socialistllarizohet.

Sërish, Beleri nuk është e keqja për Shqipërinë. Sepse ai nuk gënjen dot askënd për atë që është. Ai nuk i gënjeu himarjotët, as vuniotsit, as lëbërit e Kurveleshit që e votuan. Sepse ata e njohin edhe si emër, por edhe si mbiemër. I ndihmoi për ta njohur edhe kryeministri që e telendisi gatë fushatës. Por ata e votuan. Pse? Sepse me intuitë – a nuk thotë z. Rama se shqiptarëve nuk ua hedh kush për politikë? Edhe himarjotët do kenë mësuar nga shqiptarët – e kuptojnë se Beleri është një e keqe më e vogël sesa Goro dhe Edi Rama. Madje në këtë vend që jetojmë, kushdo, edhe ata të burgosurit e 41 bis, Burrelit, Peqinit dhe Rrogozhinës, janë e keqe më e vogël se lëngata e flamës që ka mbërthyer këtë vend. Kaq është e vërteta e thjeshtë që nuk pse të stërhollohet. 

Mirëpo, në përpjekjen për të lëpirë qurret në fytyrë që morën nga Greqia, socialistët e Edi Ramës, ose më saktë ky vetë, po synojnë ta shpallin Belerin armik të Shqipërisë. Armik do të thotë dikush që angazhohet kundër identitetit, kulturës, historisë dhe interesave ekonomike të një komuniteti. I ka këto cilësi Beleri? Sigurisht që jo. Sepse Shqipëria nuk ka armiq, është shumë e parëndësishme për të qenë e denjë për armiq. Shqipërinë dhe shqiptarët e shumta i përçmojnë, apo përbuzin, por këto me gjasë janë pjesë e meritës sonë. Mjafton të shohësh se çfarë i kemi bërë vendit.

Më groteskja: e shpall armik edhe një personazh si Frrok Çupi, i cili ka një histori të vetën të qëndrimeve publike që nëse i sheh pak fare me kujdes, kur nuk ke se çfarë të bësh, të japin të kuptosh se lajmet për lëvizje në aksin e Tokës janë të vërteta. E tjerr Frrok Çupi armiqëinë e Belerit me një shkrim që nëpër të, të kujton pleniume dhe mbledhje ku nuk dihej se për kë trokiste ora.

Sot që në mëngjes ai doli nga porta e burgut, hipi në makinën luksoze të ambasadorit të Greqisë, u bëri karshillëk gazetarëve shqiptarë dhe foli vetëm me gazetarë grekë. Eci përtokë e fluturoi për qiej, i lirë si një zog. Edhe pse Fred Beleri vepron, urren, dashuron e merr frymë si një armik i Shqipërisë

shkruan Çupi.

Që në mëngjes sot Beleri nga Rinasi fliste për Syri.net, Rtsh dhe News24. Ç’a të thuash! Po nuk e pashë unë, nuk ka ndodhur, ja parimi i publicistikës së Shën Thomait.

Por më e bukura është kjo:

Në pranverën e vitit 2023, Beleri shfaqet nga një ishull nën një flamur të Vorio- Epirit dhe bën thirrje ‘të helenizojmë Himarën!’. (Vorio Epiri është organizata famëkeqe që ka për qëllim pushtimin e Jugut të Shqipërisë). Në Himarë e presin dy grupime politike dhe e kurorëzojnë si kandidat për kryetar Bashkie. Në rrugën drejt idesë së pushtimit të Shqipërisë blen vota me paratë e Greqisë. Burgoset, por Greqia i del në mbrojtje e bën luftë të madhe. Greqia, në emër të Belerit, kërcënon dinjitetin e Shqipërisë, si të ishte vendi ynë një send pa vlerë

Nuk e dimë kush e ka vënë atë në kllapa, por Çupi duhet t’i dalë për zot pasi ka emrin aty. Vorio Epiri nuk është organizatë, por rajon gjeografik që përkon me Shqipërinë e Jugut. Organizata të caktuara që mëtojnë autonominë e Vorio Epirit – firmosur më 1914 nga Mehdi Frashëri në Korfuz – kanë sajuar një flamur. Ndjesë: Kanë adoptuar FLAMURIN E ZOGRAFIT! Nuk e di Çupi këtë dallim dhe nuk ka faj. Sepse vendimi është marrë: Beleri është armik! Tani të nisim rrahjen me artilieri.

Ose e di, po sa rëndësi ka: për hajvanët shqiptarë po shkruan.

Beleri fliste për Helenizmin e Himarës, jo helenIZIMIN. Ehuuuu! Çikërima do merremi ne tani. Unë them ujku ti kërkon gjurmët.

Kështu ecën kjo punë.

Megjithë rezervat që duhet të ketë kushdo për emrin e Belerit në jetën publike, ne duhet të pranojmë se rasti i tij është ndër të rrallët që ia dhjeu mirë Edi Ramës i cili po e çon në mbytje Shqipërinë. Jo se kjo është një fitore, por ilustron kufijtë e pushtetit të tij që është kryekëput retorik, simbolik, ekzibicionist dhe sidomos PUBLICISTIK. E gjejmë besoj tani kush është Armiku i Vërtetë i të Shëndetshmëve në Republikën Onkologjike Socialiste të Shqipërisë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.