Trumpi i Holandës
Geert Wilders nuk shquhet vetëm për flokët e zbardhura me peroksid. Njeriu që mund të bëhet kryeministër i Holandës ka qenë prej kohësh një nga politikanët më të njohur brenda dhe jashtë vendit. I njohur ndryshe si Trump-i holandez, ai është bërë i famshëm për fushatën e ashpër kundër emigracionit, Bashkimit Evropian dhe veçanërisht Islamit.
Pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të së mërkurës, gjithçka që i duhet të bëjë është të bindë parti të tjera të bashkëpunojnë me të.
Wilders e ka nisur karrierën politike si deputet në 1998, fillimisht për VVD-në e qendrës së djathtë, ku ishte mentor i Mark Rutte, përpara se të largohej nga partia dhe të krijonte Partinë e tij për Lirinë në vitin 2006. Kjo e bën atë deputetin më jetëgjatë në parlamentin holandez. Ai e ka cilësuar Islamin "ideologji totalitare" dhe i ka quajtur marokenët "llum". Retorika anti-islame e ka bërë atë objektiv të ekstremistëve, duke e detyruar të jetojë nën mbrojtje të posaçme gjatë gjithë kohës e duke lëvizur nga një shtëpi e sigurt në tjetrën për dy dekadat e fundit.
Premtimi kryesor i fushatës së tij ishte ndalimi i "cunamit të azilit", i cili sipas tij është bërë shkak për probleme të ndryshme sociale, përfshirë mungesën e banesave në vend dhe kostot e larta shëndetësore.
Ndryshe nga figurat e tjera të ekstremit të djathtë, Wilders nuk mohon çështjen e klimës, megjithëse beson se qeveria ka shpenzuar shumë për reduktimin e emetimeve të CO2. Ai ngul këmbë që termocentralet e qymyrit dhe gazit të mbeten të hapura dhe propozon të ndalojë ndërtimin e parqeve diellore dhe turbinave me erë si dhe kërkon tërheqjen e Holandës nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Si euroskeptik i linjës së ashpër, Wilders ka propozuar një referendum "Nexit" për largimin nga BE dhe dëshiron të heqë dorë nga rregulloret e BE-së për azilin dhe migracionin.
Rikthimi i ekstremit të djathtë
Zgjedhjet holandeze janë të fundit në një seri të tillash që po ndryshojnë peizazhin politik të Evropës. Partitë e ekstremit të djathtë janë edhe njëherë në rritje në Itali, Gjermani dhe Francë.
Fitorja e Wilders është pasuar menjëherë nga urimet e Marine Le Pen në Francë dhe Viktor Orbán në Hungari.
Në lindje të Europës, fitorja e tij pritet me shqetësim, pasi Wilders e ka vlerësuar presidentin rus dhe e ka dënuar atë që e cilëson “rusofobia europiane”.
Pavarësisht njëfarë distancimi pas nisjes së luftës në Ukrainë, ai tha pak para zgjedhjeve se nuk ka ndërmend të furnizojë Kievin me armë apo me para pasi i duhen më shumë për vendin e vet.
Në lidhje me vatrën e re të konfliktit në Lindjen e Mesme, Wilders mban anën e Izraelit, madje ka kërkuar mbylljen e zyrës diplomatike që vendi i tij ka në Ramallah, qyteti nën Autoritetin Palestinez.
Kryeministër në pritje
Wilders ka marrë 25% të votave, jo pak për sistemin elektoral holandez të fragmentuar. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një qeveri, ndaj atij i duhen do ose tre parti aleate në koalicion. Partitë në Holandë e kanë shmangur afrimin me të, megjithatë si partia me përqindjen më të lartë, kësaj radhe ka më pak gjasa të shmanget.
Në fjalimin e fitores, ai u shfaq më i hapur, duke pranuar të sakrifikojë një pjesë të retorikës së tij parazgjedhore. “Unë e kuptoj shumë mirë që partitë nuk duan të jenë në një qeveri me një parti që kërkon masa antikushtetuese,” tha ai. “Ne nuk do të flasim për xhamitë, Kuranin dhe shkollat islame”.
/ Me shkurtime nga Politico.eu /
Comments
Eshte mendjelehtesi ta
Eshte mendjelehtesi ta konsiderosh Donald Trump si esktremist te djathte. Ky zoteria i Holandes eshte i tille, por jo Trump. Prandaj krahasimi eshte i pavend, per te mos thene i lig.
E djathta dhe e majta ne ShBA eshte ndryshe nga ajo ne Europe. Partia Demokratike amerikane eshte ekuivalenti i nje partie te qendres se djathte, pak a shume, ne Europe; kurse Partia Republikane eshte thjeshte e djathte. Donald Trump perfaqeson linjen tradicionale te forte republikane, qe per europianet perkthehet ne ekstrem te djathte, me menjelehtesi nganjehere, por me shume me qellim.
Ne ShBA Trumpi-n e cilesojne mediat kundershtare si ekstremist te djathte, gjithe duke abuzuar me kuptimin qe i jepet kesaj fjale ne Europe dhe pjesen tjeter te botes; dhe kjo behet per te patur sa me shume mbeshtetje per ta eleminuar politikisht.
E quajne shpesh edhe diktator; e kane krahasura me diktatore fashiste. Kjo jo vetem qe nuk ka lidhje aspak me te verteten, por eshte nje poshtersi shume e madhe. I bie ndesh logjikes elementare.
Donald Trump, para se gjithash, eshte nje biznesmen. Nje biznesmen ne politike, nuk mund te behet KURRE diktator; eshte ne natyren e brendshme te biznesmenit qe e perjashton nje jgje te tille.
Diktator ne politike mund te behet nje artist, sic ishte pak a shume Musolini, nje piktor sic ishte Hitleri, nje shkrimtar sic ishte Stalini apo edhe Enveri yne, por KURRE nje biznesmen.
Ta veshtrojme nga e kunderta. Kur nje diktator fillon e sillet si nje biznesmen, duke lene menjane bindjet dhe ideologjine e tij, atehere per te thuhet si po fillon e zbutet, se po tregohet i arsyeshem dhe per diktaturen e tij se po fillon e merr trajta njerezore...
Nje fakt, qe behet cmos qe te anashkalohet: Donald Trump ka shume votues, si nder afroamerikanet, nga latinoamerikanet dhe emigrantet ne pergjithesi. Ata e dine shume mire, se te pakten ky nuk eshte hipokrit si kundershtaret e tij, por e quan djallin me emrin e vet dhe mundohet te jape zgjidhjen e tij per problemet, bazuar mbi realitetet dhe jo demagogjite.
Ne si shqiptare kemi nje shembull per kete. Theksimi i zhvillimit ekonomik te Kosovesh dhe Serbise me projekte te qarta ekonomike, sipas Trump eshte qelesi i nje paqeje te vertete dhe te qendrueshme. Eshte nje aksiome e provuar nga historia tashme, se sa me shume mireqenie te kete nje rajon, aq me shume zbehen problematikat naconaliste, qe nga ana e tyre fillojne e acarohen kur ka renie ekonomike.
Add new comment