Në Kinë shënohet viktima e parë nga gripi i shpendëve H3N8
Një grua kineze është bërë personi i parë që vdes nga një lloj gripi i shpendëve që është i rrallë tek njerëzit. Në njoftimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thuhet se gruaja 56-vjeçare nga provinca jugore e Guangdong është personi i tretë që dihet se ishte infektuar me nëntipin H3N8 të gripit të shpendëve.
Të gjitha rastet kanë qenë në Kinë, dy rastet e para janë raportuar vitin e kaluar.
Qendra Provinciale Guangdong për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportoi infeksionin e tretë në fund të muajit të kaluar, por nuk dha detaje për vdekjen e gruas, raporton South China Morning Post.
Pacientja kishte edhe probleme të tjera shëndetësore dhe një histori ekspozimi ndaj shpendëve të gjallë.
Infeksionet sporadike te njerëzit me grip të shpendëve janë të zakonshme në Kinë, ku viruse të këtij lloji qarkullojnë vazhdimisht në popullatat e mëdha të shpendëve.
Mostrat e mbledhura nga një treg i lagësht i vizituar nga gruaja para se të sëmurej ishin pozitive për gripin A(H3), tha OBSH, çka lë të kuptohet se aty mund të ketë qenë burimi i infeksionit.
Megjithëse i rrallë te njerëzit, H3N8 është i zakonshëm te zogjtë, tek të cilët shkakton pak ose fare simptoma. Megjithatë, ky lloj virusi ka infektuar edhe gjitarë të tjerë.
Monitorimi i të gjithë viruseve të gripit të shpendëve konsiderohet i rëndësishëm duke pasur parasysh aftësinë e tyre për të evoluar dhe shkaktuar një pandemi.
Add new comment