Doktor Adhamudhit nuk i ka mbetur se çfarë të krrejë që të shpëtojë veten

Postuar në 02 Mars, 2023 12:46

Kryeministri Edi Rama është shfaqur sot në Kuvendin e Shqipërisë për t’iu përgjigjur kërkesës për mocion me debat nga opozita lidhur me çështjen "McGonigal".

Siç mund të merret me mend, z. Rama i ka ikur përgjigjeve për pyetjet reale për natyrën e njohjes me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së në New York, marrëdhënien e tij me të dhe lidhjen eventuale mes fakteve në akuzë të pagesave për lobim dhe dijenisë së tij mbi këtë çështje.

Por përmbi të gjitha, z. Rama bëri një parashtresë moralizuese përmes së cilës vuri në kandar llojin e politikës që ndiqet aktualisht në Shqipëri, të cilën e sheh të deformuar, të pistë, të gjymtuar etikisht dhe për të cilën u zotua se do të ndërmarrë të gjitha veprimet për ta kuruar nga ai që e quajti “virus”.

Vjen pra dita mbi këtë tokë dhe Edi Rama flet në cilësinë e Doktor Adhamudhit për kura finale. Për kurën e shpirtit, të ligjërimit, të kuptimit dhe perceptimit të gjërave që si një guru i mirë i sheh si patologji fillimisht te vetja.

Mesa duket shoku dhe beniamini i Tom Doshit, Elvis Roshit, grupit të Lezhës, mentori i Taulant Ballës dhe ustai i Belinda Ballukut, eprori i Damian Gjiknurit dhe i të gjithë skotës nën hetim, nën përgjim, me dosje të hapura e të shpartalluara, po përjeton një etapë të re personale. Kush ka parë serialin “The Last of us” e di sesi në uverturën e tij kemi një shpjegim për atë se çafrë bën një kërpudhë, e cila teksa në formë mykotike depërton në sistemin qarkullues të një gjallese, nis dhe e përmbyt atë me haluçinogjenë për t’i marrë kontrollin.

Spërklat e para të korruptimit moral të përhapura nga ky individ i trembur për vdekje nga çdo ditë e re që lind, tashmë janë bërë përrua i rrëmbyeshëm i paturpësisë së dikujt që e di shumë mirë se asgjë nuk mund të korrigjohet më, as të kthehet pas, por vetëm të nekrotizohet në mënyrë kapilare për të amputuar çdo lloj degëzimi të ri. Është e qartë se ky njeri është sëmurë edhe vetë, rëndë madje, se nuk arrin dot më të ndërtojë një horizont të ri logjik për veten, por ditë e natë, ka në krah vetëm një grup bashkëpunëtorësh në kulla dhe porte dhe përballë një gërmadhë opozitare të cilën e sheh si truallin e vetëm që nuk duhet legalizuar.

Zoti Rama harron se mbarë vendi e njeh si Edi Rama, dikush që ka duart prej më shumë se dy dekada të zëna me buxhetin e shtetit, se historia e tij si zyrtar dhe I zgjedhur është botërisht e njohur përmbi çdo lloj kat’harsisi formal, ndjese apo gjoja kthese.

Është faktkeqësia e këtij vendi, e kësaj shoqërie që flamën e ka të gjatë, molën e ngrehinës së vet e ka epidemike, koloni të pashtershme dhe që e liga që vjen dhe manifestohet si një hile, dredhi e përjetshme nuk lë gjë të dalë në sipërfaqe. I pari vetë z. Rama, që sot pretendoi se do të na bëjë një kthesë për të kuruar virusin e politikës, kishte mundësinë e artë që të bindtte këdo se e ka seriozisht pendesën duke thënë të vërtetën për çështjen McGonigal. Të vërtetën e tij, atë që di ai, siç e di ai. Në të kundërt, z. Rama zgjodhi demagogjinë, gënjeshtrën, dredhinë, para se të rrëfehej, ai bëri avokatin e vetes me nuhatjen se ndoshta kjo çështje mediatikisht dhe publikisht nuk e afekton më edhe aq sa më parë. Ky na qenka Lideri i madh i shqiptarëve?

Në aferën e inceneratorëve z. Rama qëndroi 10 orë në komision parlamentar, duke iu përgjigjur çdo pyetjeje, sepse jo vetëm ndihej i pastër, apo dinte të mbrohej, por edhe deklaroi se nuk do të mbronte askënd që ishte përfshirë në të. Sot pas një elegjie për politikën e sëmurë, iku. Shkau drejt punëve që e presin dhe Shqipërisë që është e uritur për zhvillimin e sjellë prej tij.

Do të ishin të gjithë seriozë me atë që z. Rama thotë, nëse aty do të mund të shquhej sadopak serioziteti dhe regëtima sado e vdekur e një drite mirësie personale dhe njerëzore, e për rrjedhojë edhe politike, e dikujt që po abzuon me besimin që i është dhënë dhe që mandej ka ditur ta manipulojë, si pakkush në këtë vend. Por nuk mund të jesh serioz dhe të mirëkuptosh dikë që pasi u fsheh me muaj, shfrytëzon karrigen për të deklaruar se nuk i jep kujt llogari.

Sigurisht që kjo nuk e cenon votën ndaj tij, sepse ky njeri një gjë të mirë e solli: na bëri të kuptojmë se vota nuk relatohet përherë me demokracinë, as me progresin, por edhe me stanjacionin, regresin dhe kriminalizimin. Se vota nuk është e drejtë e ushtruar, por një mekanizëm i kompromentuar rëndë kur ai që e kërkon ka vetëm një projekt: të parazitojë, të thithë e të thithë paranë publike, ekonominë e një vendi si një këpushë, duke përmbysur kontratën sociale në ligj xhungle.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

I gjithe kuvendi ku ka ligjeruar Edvin Rama, pozite dhe Opozite jane hajdute dhe maskarenj.
Ne ate kotec te gjelave dhe pulave te majme nuk ka asnje njeri te paster.
Me kujtohet "gjeniu" I vetshpallur i pastertise se duarve, M Murrizi qe nuk pranoi te dorezonte mandatin. Ishte me i korruptuari nga te gjithe, biles I denuar per korrupsion, marrje ryshfeti kur ishte drejtues i doganave.
Njeri pa moral qe fliste si te gjithe hajdutet e kuvendit, " kapeni hajdutin".

Keta nuk do te zhduken kurre, nder dekada do t'i kemi, sepse i bekon Amerika.
McGonigal nuk e polli Rama por Washingtoni. Ky i pari nuk ka bere as me shume e as me pak se c'ka bere Biden me djalin e tij dhe shume nga stafi I tij ne Ukraine.
Kur regjimi i shtepise se Bardhe me aparatciket e tij permendin "democracy " nenkuptojne shtrirjen e hegjemonise se tyre, te cilen e bejne me politikane te korruptuar e hajdute.

SPAK, eshte nje organizate e krijuar nga Amerika per te frikesuat cdo politikan dhe per te mos lene asgje te pavarur ne qeverisjen e vendit.
Ne Shqiperi pavaresia dhe demokracia ka marre fund.
Sikur te na donte shume Perendimi, do te mundohej dhe ndihmonte ne krijimin e Sindikatave punonjese qe mungojne. E nuk do te financonte ne pederastizimin e shoqerise civile dhe shkaterrimin e familjes.
Kur Avokat I Beqiri i paraqiti SPAK dosjen per vjedhjen e floririt te shtetit ne 1997 nga Sali Berisha me deshmine e Izet Haxhise, Spak e hodhi poshte.
Nga Ambasadoret e atlantikut nuk vjen fryme lirie por arome pederastie dhe hajdutllek. Ata qe kakarisin McGonigal McGonigal e bejne sepse jane xheloze qe nuk kishin shanc te ishin miq te tij ose kane frike se ai I ka dosjet e tyre sikur Epstein kishte per personelin e regjimit te Shtepise se Bardhe.
Shqiptaret besojne tek Amerika me shume se ne Zot, kjo eshte trashgimi e servilizmit dhe e puthadores nder breza.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.