Të gjithë shtrohen te Nusreti (VIDEO)
Tundimit të një darke që kushton sa qimet e kokës në restorantin e turkut Nusret, njerëzit e politikës nuk i rezistojnë dot. Por edhe vetë kuzhinieri më i famshëm në botë nuk i reziston dot tundimit për t’ia treguar këtë botës.
Videoja e një zyrtari të rangut të lartë nga Partia Komuniste në Vietnam, i cili ka porositur biftek të mbuluar me ar ka shkaktuar zemërim te miliona njerëz, në një kohë kur vetë vendi nga ai vjen po përballet me mungesë ushqimi dhe përkeqësim të shkallës së varfërisë në mes të pandemisë.
Një dozë tjetër ironie i shtohet kësaj historie, kur sheh itinerarin e To Lam, ministër i Sigurisë Publike në Vietnam. Në tryezën e Nusretit ai është ulur pas kthimit nga një vizitë te varri i Karl Marksit, në Londër.
To Lam drejtoi delegacionin vietnamez në samitin e klimës COP26 të mbajtur në Glasgou, Skoci këtë muaj. Më 2 nëntor, ai i bëri nderime te varri babait të komunizmit dhe më pas u shtrua për drekë te Salt Bae, një nga simbolet e kapitalizmit modern.
Në llogarinë e Nusretit në TikTok, delegacioni vietnamez shfaqet teksa gostitet me mish që besohet se kushton deri në 2000 dollarë.
Pyetja që ngrihet për delegacionin vietnamez janë të njëjta me ato që u ngritën për homologët shqiptarë në shkurt të këtij viti: Kush pagoi për darkën që kushton jo pak?
Duke pasur parasysh reputacionin e Salt Bae për ekstravagancën, kostoja ka të ngjarë të shkojë në mijëra dollarë, raporton VICE. Ndërkohë, paga zyrtare e Lamit është 600 deri në 800 dollarë në muaj.
Ashtu si në rastin e Arben Ahmetajt, Arbjan Maznikut, Belinda Ballukut dhe Endri Fugës, të cilët darkuan në restorantin me të njëjtin emër në Dubai, edhe në mediat sociale vietnameze hidhet dyshimi se fatura do t’u ngarkohet taksapaguesve.
Vakti i delegacionit vietnamez nuk është i pari i zyrtarëve komunistë që shtrohen te restoranti i Nusretit. Një darkë e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në të njëjtin restorant në Turqi, hapi debat në vitin 2018, në një kohë kur tre të katërtat e vendit jetonte në varfëri ekstreme.
Bộ trưởng Bộ Công an Việt Nam Tô Lâm được Salt Bae chế biến và đút cho ăn món bò dát vàng trị giá lên đến 45 triệu đồng/phần trong một nhà hàng của ông này ở Luân Đôn. Cùng bàn với ông Tô Lâm là Chánh văn phòng Bộ Công an Tô Ân Xô. pic.twitter.com/hGZZqGbJZr
— Duy Bình (@DuyBnh61157516) November 5, 2021
Add new comment