Marifetet e tregut të veprave të artit, "Vajza me balonë" del në ankand me 6-fishin e çmimit fillestar
Në vitin 2018, një vepër e artistit të rrugës, Banksy, u shit në ankand për 1 milionë paund (1.4 milionë dollarë). Vetëm pak minuta pas zhurmës së çekiçit që shënon kalimin e veprës te blerësi i ri, “Vajza me balonë” nisi të pritej në copa, pa e prekur ende njeri. Vepra ishte pajisur me një mekanizëm vetëshkatërrues, i cili nuk funksionoi mirë, duke e lënë pikturën gjysmë të prerë në shirita. Vetë autori që prej vitesh ruan anonimatin la të kuptohej se diçka nuk shkoi dhe plani nuk u çua në fund.
Tre vjet pasi la të habitur të gjithë pjesëmarrësit në ankand, “Vajza me balonë” është sërish në shitje. Shtëpia e ankandeve Sotheby's thotë se ajo mund të vlerësohet deri në 6 milionë £ (8.3 milion dollarë), gjashtëfishi i vlerës së mëparshme.
Vepra mbetet gjysmë e copëtuar në kornizën e saj. Një ngjarje e paprecedent në historinë e ankandeve të veprave të artit, vetëshkatërrimi i “Vajzës me balonë” hapi një debat të madh. A ishte ai një kritikë për çmimet e kripura në një treg arti që vlerëson institucionet mbi artistët, apo thjesht një marifet PR i mirëmenduar?
Ajo që ndodhi para syve të kritikëve dhe blerësve të interesuar qëndroi në faqet e medieve për disa muaj me radhë. Vetë Banksy publikoi në mediat sociale disa video që nxitën akoma më shumë spekulime për qëllimet e tij. Sotheby's thotë se vepra artistike përgjatë kësaj kohe ka qenë subjekt i 30 000 lajmeve (pa këtë që po lexoni).
Matthew Israel, kritik arti, thotë për CNN se ishte edhe një formë proteste, por edhe pak PR.
Ishte PR gjenial që e lejoi Bansky të vazhdojë të jetë pjesë e debatit ... dhe gjithashtu ngriti pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me artistët dhe tregun e artit - siç ka bërë Banksy prej shumë vitesh.
Artisti anonim i rrugës ka vënë në skenë disa marifete që ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën sesi i vihet çmimi një vepre. Në vitin 2013, ai shiti vepra të tij në Central Park, Nju Jork, së bashku me shitësit e tjerë në rrugë. Me një çmim prej vetëm 60 dollarë, veprat tërhoqën pak interes nga kalimtarët dhe në një video që publikoi më pas, ai tregoi se kishte mbledhur vetëm 420 dollarë në total.
Në rastin e "Vajzës me balonë", rebelimi i Banksy-t është vënë në pikëpyetje, pasi është Sotheby's ai që përfitoi më shumë nga kaosi që shoqëroi shitjen. Shtëpia e ankandeve tha se stafi i saj nuk kishte asnjë ide për atë që artisti kishte planifikuar. Megjithatë, Israel, si shumë të tjerë, ka dyshimet e tij.
Mendoj se ka diçka pas kësaj. Mbetet e paqartë se si (Sotheby's) nuk e ka vënë re se mekanizmi copëtues ishte futur në kornizë. Disa thonë se pesha e pazakontë e kornizës do të kishte ngritur dyshime në çdo rast. Dhe në këtë pikë do të vinim në diskutim mënyrën se si shtëpia e ankandeve e inspekton gjendjen e veprave të tjera artistike që njerëzit ofrojnë dhe blejnë?.
Identiteti i ofertuesit fitues mbetet gjithashtu një mister, megjithëse Sotheby's e ka përshkruar blerësin si një koleksioniste femër nga Evropa dhe një kliente e vjetër e shtëpisë së ankandeve.
Disa muaj pas ankandit 2018, Muzeu Frieder Burda në Baden-Baden, Gjermani, u bë hapësira e parë publike që mikpriti veprën e artit. Aktualisht ajo është në turneun që i paraprin shitjes, duke filluar në Londër këtë fundjavë dhe më pas në Hong Kong, Taipei dhe Nju-Jork.
Banksy, ndërkohë, ka qenë produktiv gjatë gjithë pandemisë. Ai ka lënë “markën” e tij në trenat e metrosë në Londër dhe, kohët e fundit, edhe në qytetet bregdetare britanike. Këtë pranverë, piktura "Game Changer" - një dedikim për punonjësit e kujdesit shëndetësor që ai ia dhuroi një spitali në Southampton, Britani të Madhe – u vlerësua me 16.7 milionë paund (23.1 milionë dollarë) në Christie's.
Add new comment