Votat e 25 prillit dhe efekti i nenit 162 të Kodit Zgjedhor
Rezultatet e plota paraprake të zgjedhjeve parlamentare prodhuan dy rezultate. I pari ishte në vota (në çdo qendër votimi) dhe i dyti në mandate. Kontributi i votuesve ka të bëjë vetëm me rezultatin e parë, ndërsa tek rezultati i dytë përveç rezultatit të parë efekt esencial kanë disa nene në kushtetutë dhe në kodin zgjedhor të cilët përcaktojnë procedurën e konvertimit të votave në mandate. Konkretisht, neni 64 i kushtetutës përcakton numrin e mandateve dhe sistemin proporcional rajonal, neni 74 i kodit zgjedhor përcakton zonat zgjedhore (qarqet e vendit), neni 75 i kodit zgjedhor përcakton ndarjen e mandateve sipas qarqeve (formula e proporcionalit Hamilton), neni 162 i kodit zgjedhor përcakton ndarjen e mandateve nëpër zonat zgjedhore me formulën e proporcionalit D’Hondt dhe neni 163 përcakton kriteret për fitimin e mandateve për kandidatët brenda subjekteve duke u bazuar tek vota preferenciale.
Në këtë analizë do merrem vetëm me nenin 162 të kodit zgjedhor (formulën e proporcionalit D’Hondt) dhe efektin e aplikimit të këtij neni në ndarjen e mandateve duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit. Pra analiza nuk relativizon aspak sistemin zgjedhor që përcaktohet në kushtetutë dhe nenet e tjera të kodit zgjedhor që kanë të bëjnë me procedurën e konvertimit të votave në mandate, përveç nenit 162 i cili ka edhe karakter të mirëfilltë matematik.
Metoda D’Hondt (ndryshe quhet edhe metoda Jefferson) e përcaktuar në nenin 162 të kodit zgjedhor ka qënë objekt diskutimesh e kontestimesh që në fundin e shekullit XVIII dhe fillimet e shekullit XIX, kur u përdor për ndarjen proporcionale të numrit të kongresmenëve sipas shteteve të SHBA në bazë të popullsisë të shteteve. U propozua nga z.v. presidenti amerikan Thomas Jefferson dhe u përdor disa herë. Më pas u zëvëndësua në vitin 1841 me metodën Webster (ndryshe quhet edhe metoda Saint Lague) sepse formula Jefferson kishte tendenca të lehta të disfavorizimit të shteteve të vogla (për më tepër mund të lexoni linkun Sistemi aktual zgjedhor dhe roli i metodave te proporcionalit). Në fillimin e shekullit XX politikanët nga problematikat që shfaqeshin, vërejtën që formulat e proporcionalit nuk janë thjesht problem aritmetik por kërkonin studime nga ekspertë nga fushat e matematikës teorike që të jepnin zgjidhje të nivelit më të lartë për të gjetur metodën më të mirë të proporcionalit. Por edhe për matematikanët ky problem paraqiti vështirësi. Pas disa dekadash përpjekje matematikanët (Edward Huntington, Michel Balinski, Peyton Young, …) arritën në përfundimin që metoda ideale nuk ekziston, por në një artikull te vitit 1980 (Balinski-Young) konkluzioni përfundimtar ishte që metoda më e rekomandueshme dhe më e drejtë është metoda Saint Lague. Kështu sot për ndarjen e mandateve në të gjitha vendet me sisteme politike pluraliste, ku sistemet zgjedhore janë proporcionale, kryesisht përdoren metodat D’Hondt dhe Saint Lague.
Metoda Saint Lague përdoret në Gjermani, Norvegji, Suedi, etj … madje edhe në Kosovë për ndarjen e mandateve në parlament. Është përdorur edhe në Shqipëri nga viti 2008 deri në ndryshimin e kodit zgjedhor (të vitit 2020) tek neni 163 (ndarja e mandateve për partitë brenda koalicionit). Metoda D’Hondt përdoret në Spanjë, Turqi, Hungari, Austri, Serbi, etj … dhe në Shqipëri. {Në disa vende të tjera demokratike si p.sh Franca, Anglia, SHBA, etj… përdoret sistemi mazhoritar për zgjedhjet e parlamentare}
Lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri tabela e mëposhtme paraqet votat dhe mandatet në çdo qark me aplikimin e nenit 162 të kodit zgjedhor. Tek rreshti ku paraqitet “- vota pa efekt” kemi numrin e votave që mund t’i hiqen subjektit përkatës në qarkun përkatës dhe të mos ketë aspak efekt në mandate. Po kështu rreshti ku paraqitet “+ vota pa efekt” kemi numrin e votave që mund ti shtohet subjektit përkatës në qarkun përkatës dhe të mos ketë aspak efekt në mandate.
Tabelë.1 : Aplikimi i nenit 162 të kodit zgjedhor dhe efektet e tij mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit për subjektet zgjedhore që fitojnë mandate.
P.sh. në qarkun e Elbasanit PS-ja ka mbi 20 mijë vota pa efekt dhe vetëm për afro 600 vota më shumë merr një mandat më tepër. (Këto lëvizje votash pa efekt nënkuptojnë që votat e subjekteve tjera mbesin aq sa janë). Në qarkun e Tiranës PS-ja ka mbi 21700 vota pa efekt dhe vetëm për afro 4150 vota më shumë merr një mandat më tepër.
Në qarkun e Shkodrës PD-ja ka mbi 9300 vota pa efekt dhe vetëm për afro 2100 vota më shumë merr një mandat më tepër. Ndërsa LSI, aty ku nuk merr mandat siç ndodh në të gjithë qarqet përveç Shkodrës, Tiranës dhe Fierit i ka të gjitha votat pa efekt. Në total ka mbi 60% të votave të saj pa aspak efekt, për sa i takon nenit 162 të kodit zgjedhor.
Në tabelën.1 paraqitet çdo detaj për çdo subjekt në çdo qark, pra sa vota kanë, sa mandate kanë dhe sa vota pa efekt kanë subjektet. Vlen të përmendet që partia Socialiste kishte nga përqindjet e votave të veta të sigurta 68 mandate dhe 6 mandate i mori me tepër si pasojë e konfiguracionit te votave mes subjekteve tjera. P.sh. në Berat sikur 200 votues të PD-së të kishin votuar LSI-në dhe asgjë tjetër të mos kishte lëvizur, PS do kishte humbur një mandat në favor të LSI-së.
Ky fenomen ndodh edhe në disa qarqe të tjera që bëjnë, që PS të ketë edhe 6 mandate më tepër. Sikur sistemi të kishte lejuar koalicionet e listave të partive , PD+LSI së bashku mund të kishin 67 mandate (4 më tepër sesa morën), PS-ja 70 mandate dhe PSD-ja 3 mandate.
Tani shtrohet pyetja, sikur neni 162 të kishte në përmbajtjen e tij formulën Saint Lague dhe jo formulën aktuale D’Hondt si do ta kishte lexuar neni 162 i kodit zgjedhor vullnetin e zgjedhësve? Përgjigjen e jep tabela e mëposhtme:
Tabelë. 2 : Aplikimi i formulës Saint Lague tek neni 162 i kodit zgjedhor dhe efektet e kësaj formule mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit për subjektet zgjedhore që fitojnë mandate.
Siç mund të shohim nga tabela.2 vetëm formula e proporcionalit Saint Lague (që siç theksuam përdoret në disa vende të BE dhe më gjërë) dhe jo sistemi zgjedhor proporcional rajonal, prodhon një rezultat mjaft të ndryshëm në mandate për subjektet zgjedhore edhe pse vullneti i votuesve është i njëjtë.
Në këtë rast PS nuk do kishte shumicën absolute e vetme dhe LSI nuk do kishte aq rezultat të dobët në mandate. Ky ndryshim kaq esencial nuk varet aspak nga vullneti i zgjedhësve por vetëm nga neni 162 i kodit zgjedhor. Me formulën Saint Lague edhe numri i votave për një mandat do të balancohej disi mes subjekteve zgjedhore (do të sillej diku 10mijë - 11mijë për çdo subjekt). Kurse me nenin 162 (formulën D’Hondt) sillet mes 10mijë - 11mijë vota për një mandat për subjektet PS, PD, PSD dhe rreth 27 mijë për LSI-në.
Si përfundim, pa u futur aspak në aspekte politike të sistemit zgjedhor, vetëm duke parë anën matematike të tij (konkretisht vetëm nenin 162) mendoj se formulat duhet të kalojnë më tepër nën vëmëndjen e ekspertëve që hartojnë nene të kodit zgjedhor, duke parashikuar mundësinë e rezultateve në lidhje me të cilët formula zgjedhore mund të shfaqë mjaft dobësi në konstatimin e votave të zgjedhësve. Të paktën pabarazitë e mëdha të mundshme në leximin e votës të mos jenë si pasojë e një algoritmi ligjor të pa studiuar thellësisht në funksionimin e tij, ashtu që principi i “Një njeri një votë” të mos jetë i neglizhuar aspak.
Add new comment