Klimë lufte mes Iranit dhe SHBA
Orët e fundit kanë sjellë lajme të reja nga gjiri Persik, kur pasnjoftimeve se SHBA ka vendosur të dislokojë 1000 trupa shtesë, pason tjetri: Irani ka rrëzuar një dron të SHBA me argumentin se kishte shkelur hapësirën ajrore iraniane. Drejtues të lartë të Gardës Revolucionare janë cituar sot të jenë shprehur se Irani është gati t’i japë fund arrogancës ushtarake globale, ndërkohë që ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, vendi që qëndron pas tensioneve në Lindjen e Mesme, ka deklaruar se nuk ka interes për një luftë me Iranin.
Ajo që po bëhet e qartë është skenari i një lufte të dyanshme: arabët që ndërhyjnë me trupa dhe nga toka dhe SHBA që bën punën e vet nga ajri. Është ajo strategji që ndoqi Rusia në Siri. Në këtë kuadër, presidenti rus, Vladimir Putin e ka cilësuar një ndërhyrje eventuale në Iran si katastrofike dhe si katalizatore të një dhune që do të sjellë me vete valë të tëra refugjatësh. Sipas presidentit rus qëndrimi i Teheranit zyrtar është në përputhje me detyrimet e Marrëveshjes Bërthamore dhe se përpjekja për ta izoluar këtë vend ka pasoja.
Irani është pjesë e vazhdueshme e politikës së jashtme amerikane që nga viti 1979, kur në këtë vend erdhën në pushtet islamikët Ajatollah Khomeinit. SHBA ishte humbësja kryesore e këtij ndryshimi dhe që në atë kohë, Irani ka qenë forca lëvizëse pas kundërshtimit që element shiitë i kanë bërë politikave amerikane në rajon. Irani akuzohet se ka ngritur në nivel shtetëror dhe ka bërë politikë shtetërore terrorizmin me financimin dhe mbështetjen e grupeve të tilla si Hezbollahu. Aktualisht Irani ka ndikim thelbësor në tre zona krizash: Siri, Liban dhe Jemen. Me kontrollin në LIban, Irani indirekt mban presion të lartë sigurie mbi Izraelin, një shtet që ka lidhje shumë të ngushta me SHBA.
Add new comment