Ndamja krahinore e popullit shqiptar - Gegnia

Postuar në 28 Prill, 2019 13:40
Rrok Zojzi - Etnolog

 

Gegnia ose Gegëria, si grup i madh krahinash etnografike

Me emnat “Gegë” dhe Gegni”, si e quejnë vehten dhe vendin e tyne banorët e veriut të Shqipnisë kuptojmë ma të madhin grup nga dy grupët e krahinave etnografike që morën pjesë në formimin e kombëtar të popullit shqiptar. Ky grup përmbledh të gjithë veriun e Shqipnisë, tue u nisë nga lumi Shkumbin dhe  tue u shtri në veri përtej kufijve politikë deri në kufinin etnik të popullit shqiptar thellë në Jugosllavi. Ky emën nuk u përgjithësue menjëherë, por shkoi tue ndjekë kambë-kambë zhvillimin ekonomiko - shoqnor, aq sa në periferi porsa kishte arritë.

Nga mbeturinat që ruen populli mund të gjurmojmë ma thellë tue ndjekë edhe krahinat ma të lashta që deri në një farë shkalle u shkrinë në mes tyne për me formue grupin e madh të krahinave etnografike të quejtun Gegni. Këto krahina paraardhëse të Gegnisë qenë: Gegnia, që i dha emnin këtij grupi të madh dhe që ndodhet në jugë të tij gjatë bregut verior të Shkumbinit.

Leknia ose Dukagjini, që shtrihet si një brez i gjanë gjatë bregut jugor të Drinit. Malësia mbi Alpet e Veriut, në bregun verior të lumit Dri Fushat bregdetare të Shqipërisë së Veriut, të cilat nuk formojnë një unitet etnografik, por paraqiten si njësi të vogla e të shkëputuna në mes tyne Fushat lindore (Rrafshi i Dukagjinit dhe fusha e Kosovës).

Gegnia, si grup i vogël krahinash etnografik

Në gojën e popullit dëgjojmë në përdorim të përditshmë tri forma të këtij emni. “Gegët”, “Gjegë”dhe “Malet e Gege” Që të tre këta emna kanë një burim të përbashkët nga emni “Gegë” që përdoret dendun në veriun e Shqipnisë si emën njeriu. Ky emën mendohet se paraqet formën e shkurtueme të emnit “Gregor”, por kjo mund të jetë ndonjë përshtatje kristiane mbasi emni Gegë ka mundësi të jetë pagan). Edhe në qoftë se si emën njeriu ky emën mund të jetë i vjetër, si emën fisi apo krahine nuk asht shumë i vjetër. Ndër dokumentat e materialet mesjetare nuk përmendet në asnjë rast krahinë me këtë emën. Për herë të parë më 1570 përmendet “Giuro Gegovich” si i parë i një krahine në mes Budues e Pastroviqve (Mal i Zi), por edhe ky emën ka gjasë të jetë ma tepër emën familjeje ose vëllaznie se sa krahine…

Emni ”Gegni” sot përdoret më një kuptim të gjanë për të gjithë veriun, por nuk përdoret me fuqi të njajtë në të gjithë vendin, p.sh Malësia në skajin ma verior shumë pak e njeh të vetin këtë emën, kurse Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit thuejse aspak

Gjithnjë pleqtë thonë me krenarinë e atij që don të dallohet nga të tjerët se: “na nuk jemi gegë, gegët janë përtej maleve (e kanë fjalën për Malin e Shenjtë)… ndërsa në Mat Dibër, Martanesh ose në Çermenike thonë vetvetiu na jemë gegë dhe vendi ynë quhet Gegni". Emni “Malet e Gegëvë” ose “Malet Gegë” na e vërteton edhe ma qartë bazën e vjetër të emnit Gegni. Ma fort se Gegni krahinat e Matit, Dibrës, Çermenikës, Martaneshit etj. e njohin vendin e tyne me emnin “Malet Geg ose Gegëve”. Me kalimin e kohës “Malet e Gegëve” humbi si shprehje etnografike, por ngeli si shprehje gjeografike, ku qëndron mjaft i fortë. Të mbështetun në fuqinë e emnit Gegni dhe në shprehjen gjeografike që muer emni Malet e Gegëve mund të jemi të sigurtë se baza e vjetër e Gegnisë shtrihej mes Dukagjinit dhe Tosknisë. Qe të përcaktojmë ma me saktësi kufijtë e shtrimjes së këtij grupi të vjetër të njoftun me emnin Gegët ose “Malet e Gegëve”, po gjurmojmë ma tutje në të dhanat e popullit në lidhje me të dhanat historike.

Mbi territorin e Maleve të Gegëve ose të Gegnisë në mesjetë shtrihej principata e Arbnit. Familja e Topiajve, me ndeje në Krue, mbante titullin “Principes Albanie”, “Gospodin Rabanski”, ”Dominus Albanie“ etj.).

Ma vonë këtë principatë me titullin e saj trashëgoi familja e Kastriotëve, e cila e mbajti deri më pushtimin turk. Pas rrimarrjes se fuqisë nga Kastriotët, del rishtas principata e Arbërit me Skanderbegun si princ të saj. Me pushtimin e ri nga turqit zhduket kjo principatë për të mos u përmendë ma. Kujtimi i saj ka ngelë vetëm në administratën kishtare “Chiesa Albanese”, e cila vazhdon edhe për disa shekuj ma vonë, dhe në popullin e saj që vazhdon të thirret “arbnesh” dhe për disa kohë. Nga të dhenat historike shohim se principata e Arbinit nën Kastriotët shtrihej mes Shkumbinit dhe kthesës nga perëndimi të lumit Mat dhe se kjo përputhej plotësisht me grupin e krahinave etnografike të Gegnisë ose Maleve të Gegnisë.

Popullsia e Gegenisë përbahet edhe prej mjaft të ardhunve, por numri i tyne pak a shumë balancohet edhe me anas të vjetër ose autoktonë. Anas ku ma pak e ku ma shumë kemi në çdo fshat. Si anas mbahet edhe krahina bullgaro-maqedone që gjëndet në Gollobordë e cila nuk njeh prejardhje të veten dhe e quen vehten autoktone. Të ardhunit në pjesën ma të madhe janë nga Leknia ose Dukagjini, i cili ndikoi shumë në traditat e krahinës; në numër shumë të kufizuem pat edhe të ardhun nga Malësia; ndërsa ardhjet nga jugu, Tosknia ose Myzeqeja mungojnë fare.

2. Dukagjini ose Leknia

Në përdorimin e përditshëm të popullit dëgjojmë tre emna të ndryshëm:” Lekët”, “Lekni”, dhe “Dukagjin”, të cilët herë përdoren si etnonime, herë si toponime, herë përdoren njeni mbi tjetrin etj. Emni”Lekët” asht mjaft i dëgjuem përgjithësisht në veri, por diku ma i fuqishëm e diku ma i dobët. Në zonën mes Shkodrës (ma tepër Lezhës dhe Tiranës), dëgjohet me fuqi ma të madhe se gjetiu. Tue vazhdue në jugë, gjithnjë dobësohet deri në Elbasan, ku zhduket fare. Ky emën vjen nga emni i njeriut “Lekë” që në shqipe asht forma e shkurtueme e emënit “Aleksandër”. Emni “Lekë“, si emën njeriu asht mjaft i përdorun veçanarisht në grupin e Malësisë, si “Lekët e Hotit”, por nuk ka fare gjasa të jetë i tyne, pse asgja nuk e lidh me atë vend dhe me atë grup njerëzish: as toponomia, as etnomia, as gojëdhanat, as gjenealogjitë e vjetra të fiseve.

Emni “Lekë” ose “Lekët” në shumësin e caktuem ka ma tepër një kuptim etnomik se sa toponomik. Emni “Dukagjin” që asht shumë ma i përhapun, e sqaron ma tepër problemin e bazës etnike të këtyne emnave. Emni “Dukagjin” ka gjasë që rrjedh nga Duka e mesjetës Gjin Tanushi (1281) “Ducam Ginium Tanischum”). Ky emën la gjurmë të shumta si toponime të vogla vendesh dhe fshatesh, por me një kuptim shumë të gjanë krahinor ngeli vetëm krahinë e Pukës, si një emërtim i së kaluemes, si kujtim i një krahine të vjetër që tashma nuk ekziston. Nga dokumentat që kemi prej shek. XII shohim se emëni Dukagjin nuk përmendet as si emën etnomik as toponomik. Nga dokumentat bizantine ma parë dhe sllave ma vonë, deri në shek. XII krejt zona ku përshkrohet rruga e madhe Shkodër–Prizrend, zona ku ma vonë shfaqet principata e Dukagjinëve, quhet me emnat Pulatum, Pulat, Pilat etj.)  kurse në jug të saj shtrihej Arbnia që kishte të vetin edhe Oroshin e Fandin.)

 Kufini midis këtyne dy principatave shtrihej në malet e Pukës; e të Mirditës…po të ndjekim shtrimjen e kanunit të Lekë Dukagjinit, arrijmë të përcaktojmë kufinjtë e këtij grupi krahinash që u trashëgue nga mesjeta; nga jugu ky grup ndahet prej Gegnisë, tue fillue nga kreshta Shar, Korab, ku buron ujët e Veleshicës, afluent i djathtë i Drinit, dhe zbret gjatë këtij lumi deri në Drin; ndjek teposhtë rrjedhjen e Drinit, deri ku derdhet në Dri lumi i Mallës, afiluent i majtë; ndjek në përputhje me rrjedhjen e Mallës deri në qafë të Drajësm dhe ngjiteti gjithnjë në kreshtën e maleve Kunorë-Dejë; nga kjo kreshte zbret ku merr ujët e parë lumi i Urakës dhe, tue ndjekë rrjedhjen e tij, bie në Mat; lumi i Matit i bahet si vijë kufini gjatë gjithë rrjedhjes së tij që nga ky afiluent derisa derdhet ne det. Nga veriu ky grup veçohet prej Malësisë, nëpër një vijë që përshkon rranzat e Alpeve të Veriut, nga lindja dhe jugu, ose, tue i përcaktue ma me saktësi, tue fillue nga kufini i Shqipnisë, ndjek rrjedhjen e Drinit deri në Va të Dejës ; prej këtej kalon mbi kreshtën Shita e Hajmelit–Velje e Lezhës dhe zbret prap në Dri (afër Lezhës) dhe ndjek rrjedhjen e tij deri në det. Nga përëndimi kufinin e bante bregu i detit që nga gryka e Drinit deri në grykë të Matit.

Nga lindja ky grup shtrihet deri në qafën e Duljes në mes të Metohisë dhe Kosovës, tue përfshi mbrendë fushën e Metohisë që ende sot e quen populli “Rrafshi i Dukagjinit”. Mbi kufijtë lindorë të këtij grupi Griesebah dhe Hanh) njohim si Dukagjin edhe Prizrendin, Gjakovën e Pejën që shtrihen në Rrafshin e Dukagjinit. Në kohën e sulltan Sulejmanit, sanxhaku u Dukagjinit kishte si qendër Pejën dhe Koroneli ven Pejën si qëndër të sanxhakut të Dukagjinit. Populli i këtij grupi në të gjithë shtrimjen e tij territoriale, ruen kujtimin se janë të një fisi nga një babë i largët i përbashkët. Po të pyesim çdo plak nga Mirdita, të tregon si babë të parë një fare “Murr Dedi”; po ashtu pleqtë e bajrakëve të Ohrit njohin të pare të tyne “Murr Dedin”; po të kalojsh në Berishë (në veri të Pukës), edhe ata të thonë se janë pasardhësit e “Murr Dedit”; po të ngjitemi ma nalt, në Mertur të Gurrit, gjithnjë e lidhin prejardhjen e tyne me këtë babë të përbashkët; po ashtu edhe krahinat e tjera të këtij grupi. Për ma teëpr Mirdita, Shala e Shoshi tregojnë se Murr Dedi pat një djalë që quhej Dit Murri dhe se ky pat tre djelm që quheshin Mir Diti, Zog Diti dhe Mark Diti që formuen njeni Mirditën, tjetri Shalën e i treti Shoshin.

Populli i kësaj krahine përveç prejardhjes, ruen edhe kujtimin e vendbanimit të parë të tij. Ata tregojnë me bindje të plotë edhe vendin prej kah u shpërngulen. Të gjithë një goje thonë: na jemi të ardhun prej kah lindja; vendi ynë ka qenë “Rrafshi i Dukagjinit “si thotë populli ose “fusha e Metohisë”, siç thirret në letersi. Atje kemi pasë vendin tonë që e lëshuam të ndjekun prej luftash dhe u futëm në këto male. Se këto janë të ardhun nga lindja e jo nga veriu, si Malsia, e tregojnë edhe kangët e kreshnikëve, e cila ka si pellg të ngjarjeve të saja krahinën e Bosnjës. Se kjo popullsi asht e ardhun nga fusha, e vertetojnë edhe traditat e saja. Në  përgjithësi Dukagjini, megjithëse sot banon në një zone malore, nuk e quan vehten malësorë as vendin e tij malësi. Kjo popullsi, megjithese rron në një vend malor, të përshtatshëm për blegtori, ruen tradita të forta jete bujqësore. Këtë e vrejti edhe populli që la fjalën “malësori shkon mbas bishtit të dhenit dhe dukagjinasi pas bishtit të shatit” .

Si Malësia ashtu edhe Gegnia, në të dy krahët e Dukagjinit trashëguen grupimin shoqnor në “male” të  lidhun më kullotën dhe jetën blegtorale, kurse Dukagjini që ndodhet në mes tyne nuk njeh këtë grupim të jetës blegtorale as nuk trashëgoi tradita nga ky organizim ekonomiko-shoqëror. Populli i Dukagjinit paraqitet si trashëgimtarë i principatës mesjetare të Dukagjinëve bazuar në ekonomi dhe territor të përbashkët krijoi edhe kulturën shoqnore që shprehet në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Por edhe mbasi u vendos në këto male popullsia pëson një emigrim të dytë nga represioni turk.

Gojëdhanat popullore flasin për një emigrim të dytë. Popullisa, për t’i shpëtuar egërsisë së pushtuesit pjesërisht iku nga veriu dhe u rrjeshtu gjatë Drinit, ku u vendos , siç kemi sot Berishën, Merturin e Gurit etj. Kurse pjesërisht iku nga jugu, tue ndjekë luginën e Fandit dhe u vendos në vendin e Mirditës, Bajrakëve të Ohrit, të Malësisë së Lezhes etj., ku i kemi edhe sot. Banorët e sotshëm të Shalës, të Shoshit, të Gimajve, të Lekajve të Merturit etj. kapërcyen Drinin dhe u futën nga veriu në tokën e Malësisë, ku zunë vend, kurse pjesërisht Luma zbriti ma në jugë dhe vëllaznia e Pëshkashit kaloi Matin dhe u vendos në tokën e Gegnisë. Me këtë emigrim lidhen legjendat e bukura të ndamjes së tre vëllazënve në Midhë të Pukës, legjenda e Shalës së shkjeptë në Puke etj.

Me këtë emigrim të dytë, veçanarisht në drejtim të jugut, tue shty ma tej kufijtë e Arbnisë, përveç gojëdhanës popullore që e paraqet me legjenda të bukura kemi edhe gojëdhana të tjera në lidhje me grindjet në mes familjes së Kastriotëve dhe Dukagjinëve për çashtje kufinjsh. Këto grindje pasqyron ma vonë për 12 famulli që i përkisnin episkopatit të Krujës (Arbnisë) dhe tashti i quen të vetat ai i Lezhës (i Dukagjinit). Grindja u trashëgue edhe në shekullin tonë në mes Matit e Dibrës, nga një anë, e të Mirditës, nga tjetra, për krahinën e Lurës. Por migrimit kemi edhe emigrim, hyrje nga malësia brenda vendit të Dukagjinit. Nga lindja fiset malësore të Gashit dhe Bytyçit kapërcyen lumin e Tropojës u shtrinë mbi pllajat e nalta deri te lumi i Skatinës, tue e shkeputë këtë krahinë nga Dukagjini e tue u bamë pjesë e Malësisë. Po kështu fisi i Thaçit kapërceu Drinin dhe u vendos pranë Iballës; mirëpo nuk arriti ta bënte këtë vend pjesë të Malësisë, por u ba vetë pjesë e Dukagjinit.

Sipas relatoreve të shek. XVII, Iballa e quan Dukagjin vendin, por jo dukagjinas popullin. Populli i Dukagjinit gjithnji nga vend i ri ku u vendos pësoi lëvizje të reja… drejt fushave bregdetare (Zadrimë) dhe shumë familje të tjera në fushat lindore (veçanarisht në Rrafshin e Dukagjinit); mjaft familje u vendosen në Gegni dhe ma pak në malësi. Lëvizjet u shoqënuan me humbjen e emnva të përbashkët, si Dukagjini, Lekët ose Lekët dhe lindën mbi këtë vend një tok njësish të vogla me emena të veçantë që përfaqsojshin krahina te reja që linden mbi këtë territor. Me kalimin e kohës sidomos gjatë pushtimit turk rishtasi filloi përqëndrimi i krahinave të Dukagjinit, por në këtë rasë vetëm ata që ndodheshin nga jugu. Bërthëmë e parë u bë Mirdita me tri vëllaznitë e saja: Oroshin, Spaçin, e Kushmenin. Qe të shpetojshin nga detyrimet turke dhe të gëzojshin lirinë iu mbështetën Mirditës edhe Fandi e Dibri, tue u ba Mirdita me 5 bajrakë. Ma vonë iu mbështetën edhe 3 bajrakët e Ohrit, tue e ba Mirdita me 8 bajrakë.

Nga fundi i shekullit XIX iu mbështetën Mirditës edhe 4 bajrakët e Malësisë së Lezhës, tue u ba Mirdita me 12 bajrakë të pavarur nga pushtuesi. Nga ky përqëndrim nisi nji afërsi kulturore mes grupit të quejtun Mirditë, kuse grupet e tjera që nuk arritën të bashkoheshin me këtë grup, si Berisha, Merturi, Hasi, Luma etj., vazhduen të zhvillojshin ma tutje  veçoritë kulturore të veçanta që krijuen, kurse grupet e tjera u shkëputen, si Dukagjini i Ri, Merturi etj. në Malësi të madhe dhe në Palabardhë në Mal të Zi etj. i ikën larg bazës së vjetër të traditave të ërbashkëta.

Malësia

Me emnin “Malësi” ose “Malci”për vendin dhe malësorë ose malcorë për banorët e tij kuptojmë të tretin grup krahinash etnografike që u shkri me të tjerët për të formue grupin e madh të veriut të Shqipënisë. “Malësi” ose “Malci” është një emër i përveçshëm që i jepet vetëm krahinës së njohun në gjeografi me emnin “Alpet e Veriut”, por emëni nuk asht një emën gjeografik që ka kuptimin fizik të disa malëve, por asht emen me kuptimin etnografik ku fjala “mal” ka kuptimin e një grupi njerëzish dhe fjala “malësi” ka kuptimin e disa grupeve të tilla. Ky grup krahinash etnografike ka si bazë vetëm zonën që në gjeografi njifet me emnin “Alpet e Veriut”: Alpet e Veriut kanë si vijë kufini lumin e Tropojës, Drinin, dhe rranzat e maleve nga perëndimi. Po Malësia si grup etnografik u përfshin nga jugu edhe pllajën e naltë mes lumit të Tropojës dhe të Skatinës dhe nga perëndimi fushat gjatë liqenit të Shkodrës. Kështu kufijtë e këtij grupi mund të përcaktohen: nga jugu lumi i Skatinë dhe Drini deri në Va Dejës, që e ndajnë nga Dukagjini; nga lindja një vijë që ndjek rranzën e Cukalit deri në Shkodër dhe prej Shkodre nëpër liqe deri në kufinin politik të atdheut tonë, ku shtyhej ma thellë, tue përfshi edhe një pjesë të mirë të Malit të Zi. Mbi këtë territor shtrihej principata mesjetare që në dokumenta historike quhet “Pulatum”, “Pilot” etj., nën familjen e Shpanëve.

Kjo principatë, simbas dokumentave bizantine e sllave të shek. XII, shtrihej që nga kufini verior i Malësisë dhe deri në rugën e madhe Shkodër-Pukë- Prizrend në jugë, ku puqej me Arbninë në një vijë të përbashkët kufini që i humbi gjurmat ndër malet e Pukës). Me daljen në skenë të principatës së Dukagjinëve, filloi të përmblidhej Pulati nga veriu dhe Arbnia nga jugu, tue shkëputë nga njeni-tjetri dhe tue lëshue vend në mes tyne principatës së Dukagjinëve ose Leknisë. Kjo e fundit me zhvillimin e plotë të saj, shtyni kufijtë e saj në veri deri në Drin dhe në jug deri në Has në verilindje e në Bishkash në ugperëndim.

Nga kjo ngjarje Pulati i vjetër në shek. XVI-XVII nga një territor shumë i gjanë paraqitet i përmbledhun deri ku shtrihet sot Malësia, Kelmendi, Hoti, Shkreli që quhen në vj. 1635 Pulat) dhe ma poshtë Kopliku në vj. 1416 i përkiste Pulatit)  kurse nga jugu në një dokument të vj.1570 thuhet se në veri të Drinit shtriheshin malet e familjes Shpan ose Pulat), në një dokument të vj. 1634 P. Bonaventura thotë: qeshë afër Pulatit, një të shtime altilierie këndej Drinit). Bardhi në relacionin e tij të vj.1638 thotë nga Apripa e keqe kalova Drinin e hyna në tokën e Pulatit, dhe prapë ma poshtë thotë: 7 milja larg Gashit kalova dhe dola nga toka e Pulatit). Sospello në relacionin e vj.1650 thotë: Gashi në Pulatin e sipërm). Malësia e sotshme, me gjithë se trashëgoi pjesërisht territorin e Pulatit të hershëm, përveç toponimeve që lidhen me të, nuk ruen asnjë kujtim as lidhje tjetër me Pultin e lashtë jashtë kufijve.

Përbamja etnike e popullsisë së këtij grupi paraqitet shumë e thjeshtë; në luginat e thella ku natyra fali në prehen të maleve sheshe të papunueshme, banonte një shtresë e vjetër popullsie, e cila kujtohet sot nga gojëdhanat dhe legjendat popullore, nga toponimet e ndryshme nga mbeturinat e vendbanimeve, si dhe mbeturina popullisie që e mbajnë vendin të të rrjedhun, nga kjo shtresë e lashtë. Kjo popullsi paraqet mbeturinat e banorëve të mesjetës të krahinës që quhej Pulat. Mbi vendin dhe popullin e këtij grupi mesjetar u derdh një popullsi e re e ardhun në formë valësh të njëpasnjëshme, si blegtorë nomadë me forma të organizueme të rendit fisnor. Këta quheshin: fisi i Kelmendit, i Shkrelit, i Kastratit, i Hotit, i Grudës etj. që paraqiteshin si grupe të veçanta popullsish me dukuri jetese dhe zakone të ndryshme. Për vendin e prejardhjes të gjithë dëshmojnë anën e veriut, dhe pikërisht rrethet e Bosnjës . Në lidhje me këtë, këto fise trashëguen ciklin e madh të rapsodisë së Qeto-Basho Mujit që si fushë të zhvillimit të episodëve të saja kishte rrethin Bosnjës. Asnjë grup tjetër historiko-etnografik i Shqipnisë nuk e trashëgoi këtë rapsodi, përveç fiseve që e quajnë plotësisht të veten. Këto fise ka gjasë që zbritën këtu ndër shekujt e parë të mijëvjeçarit që sapo kaloi, pse ndër shekujt XII-XIV fillojnë të përmenden ndër dokumenta historike në këtë vend. Anasit dhe të ardhunit kaluen një kohë harmonie mes tyne; të parët shfrytëzojnë sheshet e ulta, brigjet e luginave për bujqësi, kurse të dytët shfrytëzojshin kullotat e nalta për blegtori. Kushtet e reja të jetës së ngulun ndikuen edhe në jetën ekonomike, shoqnore dhe politike. Mbi sistemin fisnor, që mbështetej në lidhjen e gjakut në mes të njerëzve lindi një sistem i ri me lidhje territoriale në mes tyne. U formuen grupe të reja popullsie që nuk u thirrën ma fise , por “male”. Popullsia e Malësisë u përmblodh në 12 male që janë Tripsh, Pipri, Kuçi, Vasojeviçi, Kelmendi, Hoti, Gruda, Shkreli, Kastrati, Krasniqja, Gashi, Bytyçi. Në disa raste fisi u përmblodh me malin, si në Kelmend, në disa të tjera një fisi u nda në 2-3 male, si p.sh. Shkreli e Bytyçi etj., në disa raste një mal u formue nga pjestarët e dy fiseve, si, p.sh Gashi etj. Termi përmbledhës krahinor Malësi për vendin dhe malësorë për banorët zevendësoi të vjetrin Pulat, që nga shekulli XVII. Mes këtij grupi çfaqet e drejta kanunore e përbashkët për të gjithë që quhet “Kanuni i Maleve”, që paraqitet i ndryshëm nga ai i Lekë Dukagjinit. Drejtimi i përbashkët politik gjen shprehje në “kuvendin e pleqve të maleve” përfaqësuar nga 12 pleqtë (tradita e 12 pleqve u trashëgue deri në kohë të afërme në Kosovë e Metohi). Asht qartësisht e dukshme se vetëm kjo shtresë popullsie asht trashigimtare e drejtpërdrejtë e rapsodisë së madhe shqiptare të “Kangëve të Kreshnikëve” te “valleve me shpata”, “lahutës” etj.

Malësia pësoi dhe ushtroi ndikime reciproke mbi grupet e afërme, dhe veçanarisht mbi atë të Leknisë ose të Dukagjinit. Fise malësore Gash dhe Bytyç kapërcyen lumin e Tropojës që formon kufinin e Alpeve të Veriut nga jugëlindja dhe zbritën deri në lumin e Skaticës dhe u vendosen me banim të përhershëm në këtë vend që i takonte Dukagjinit, tue e shtri kufinin e e Malësisë mbi këtë zone. Nje grop tjetër malësorësh, fisi i Thaçit, kaloi ma poshtë Drinin dhe nguli banimin në tokën e Dukagjinit, por këto humbën të drejtën e kullotës verore në Malësi, u shkëputën krejtësisht nga grupi i vet dhe u banë pjesë e popullsisë së grupit të Dukagjinit. Edhe nga perëndimi zbritën grupe malësorësh në fushat gjatë liqenit të Shkodrës, tue i popullue edhe ata dhe tue u ba pjesë e Malësisë megjithë se janë fusha të ulta. Anasjelltas popullsia nga Dukagjini u dyndën në territorin e Malësisë. Në shekullin XVII tri grupe popullise nën presionin e turqëve gjetën strehim në tokën e Malësisë, nga jugu Merturi kaloi Drinin dhe u vendos në luginën e lumit Nikaj, një grup tjetër i përbamë nga dy vllazni” Shoshi dhe Shala u vendos në luginën e lumit Leshnicë; një grup i tretë Gimaj-Lekaj prapë nga jugu u fut në territorin e Malësisë dhe zuni vend pranë të dytëve në luginën e Leshnicës. Banorët e rij të ardhun pa lufta në token e Malësisë, sollën traditat dhe emnin e Dukagjinit në zemër të Malësisë. Kjo popullis e ardhun nuk u shkri me popullisinë e Malësisë, por ruejti traditat e veçanta të veta dhe formoi një krahinë të re etnografike në zemër të Malësisë, tue u nda atë në dy grupe : 9 male në veri, që u quejtën “Malësi e Madhe” dhe 3 male në jugë që u quejtën “Malësi e Vogël” kurse në mes tyne si një pykë u formue grupi i tretë, i  quejtun “Dukagjin” , që për me u dallue nga baza e tyne filluen ta quejnë Dukagjini i Ri, kurse bazën Dukagjini i Vjetër.

Nga kjo ndamje u shkatuan shumë keqkuptime:

Disa mejtuen se Malësia e Madhe dhe e Vogël u cilësuen prej strukturës gjeografike të maleve, tue mendue se në Malësi të Madhe kemi male ma të mëdha e në Malësi të Vogël ma të vogla, kurse në të vërtetë asht e kundërta Malësia e Vogël paraqet karakter alpin ma të egër e ma të vrazhdë se Malësia e Madhe. Emni Malësi e Madhe i ngeli pse ajo përfshin 9 male, kurse Malësia e Vogël përfshin vetëm 3 male.  Disa të tjerë, veçanarisht albanologë të huej që nuk u thelluen në fenomenin e zhvillimit të ngjarjes, nuk e muernë më mend se si mund të ishte Malësia e Madhe larg asaj të Voglës dhe me një krahinë tjetër etnografike, në mes tyne prandaj emnin Malësi e Vogël e vunë mbi Dukagjin tuj bashkue Malësinë e Madhe me Malësine e Vogël (Dukagjini)

Me këtë ranë në një gabim ma të madh. Populli Dukagjinit, në zemër të Malësisë, që ruen traditat e prejardhjes se vet nga Leknia ose Dukagjini i vjetër, nuk e quen vendin e tij: “Malësi” as vehten ‘malësorë’, pse ai nuk e njeh organizimin shoqnor të “Maleve” (shih Lekninë) dhe për ma tepër trashëgoi një lloj urrejtjeje për malësi dhe malësorë. Prandaj vendosja e emnit “Malësi e Vogël” mbi Dukagjinin asht krejt arbitrare.

Disa të tjerë e cilësuaen ma drejtë tue e quejtë Malësinë e Madhe “Malësi e Shkodrës” dhe Malësinë e vogël “Malësi e Gjakovës”, kurse në mës vendosën Dukagjinin. Si përfundim kemi se popullsia e Malësisë përbahet nga tri grupe etnografike që quhen:

Malësia e Madhe ose e Shkodrës

Dukagjini ose Dukagjini i Ri

Malësia e Vogël ose e Gjakovës.

Asnjë njësi ndonësë bashkëjetuan për 3 shekuj nuk arrijtë të formojnë një unitet. Secila prej tyhne uajtën veçoritë e tyne etnografike dhe zhvillune një jete të pavarun në çdo aspekt. Malësia e Madhe ose e Shkodrës ruajti ma të pastra traditat fillestare të kulturës, kurse Malësia e Vogël ose e Gjakovës e ndjeu ma fuqishëm ndikimin oriental. Kështu këto dy pjesë shkuen tuj u largu njena-tjetrës. Dukagjini megjithëse rujti traditat fillestare, ra mjaft nën ndikimin e dy blloqeve të Malësisë, gja që u çfaq në kanun, në doke dhe zakone, në kulturën materiale etj… Dukagjini ra nën ndikimin edhe të folmes së Malësisë. Pulti ra krejtësiht nën ndikimin e Dukagjinit, ashtu edhe Toplana, Temali, Nikaj pjesërisht. Nga ky proces unifikimi në zhvillim e sipër, pa u krijue një unitete i mbrëndshëm i plotë Malësia i kaloi unitetit të madh të Gegnisë.

Fushat bregdetare të veriut të Shqipërisë

Shtrihen mes vargut të maleve nga lindja dhe të bregut të detit nga perendimi, tue fillue që nga bregu i majtë i liqenit të Hotit në veri dhe deri në bregun e djathtë të Shkumbinit në jugë. Popullsia e këtyre zonave nuk formoi asnjehere një njësi etnografike, por u paraqit kurdoherë me krahina të vogla etnike. Banorët e fushave bregdetare bane pjesë në një krahinë me banorët e maleve ma të afërta. Gegnia llogariste të veten fushat midis Matit e Shkumbinit; Dukagjini fushat midis Matit, Drinit dhe Lezhës. Malësia fushat gjatë bregut të majtë të liqenit të Shkodrës. E marrun në përgjithësi popullsia që banon sot ndër fushat bregdetare të veriut të Shqipnisë, simbas kujtimeve që ruen vetë populli, asht një popullsi krejtësisht e re dhe e ardhun gjatë 3 shekujve të fundit. Vetëm fushat e Zadrimës, në mes Lezhës dhe Shkodrës dhe në ato në mes të Shkumbinit dhe të Ishmit kemi një sasi të vogël popullsie që e quan vehten vendas e hershme dhe gjithë të tjerët janë të ardhnun. I njajti fenomen paraqitet edhe në fushat lindore të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës, ku edhe atje e tanë popullisa po ashtu asht e ardhun. Malësorët bazu në gojëdhana ndryshuan edhe peisazhet e fushave ku u vendosen.

Në shek. XVIII malësorët hapen pyjet e Ishullit të Lezhës, Ishullit të Shëngjinit, të Bregut të Matës etj. E njejta gja edhe me fushat e Rrafshit të Dukagjinit që qenë ballkane (të pabanueshme). Gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX filluen të vendoseshin me banim të përhershëm sa në fushat e bregut të liqenit të Shkodrës, aq gjatë fushave mes Drinit e të Ishmit, malësorët e Malësisë së Madhe që u dhanë tiparet etnografike të Malësisë këtyne dy fyshave. Nga këto lëvizje popullise që pësuen fushat bregdetare morën 4 shprehje të ndryshme etnografike:

  • fushat e liqenit të Shkodrës, pa pullsi vendase, të popullueme dendun me të ardhun nga Malësia e Madhe;
  • fushat mes Shkodrës dhe Lezhës me një sasi vendasish të hershëm, por më shumë banorë të ardhun nga grupe të ndryshme etnografike;
  • fushat mes të Drinit dhe të Ishmit, pa banorë të vjetër, por të popullueme dendun nga malësorë që zbritën nga Malësia e Madhe;
  • fushat në mes Ishmit dhe të Shkumbinit me banorë vendas dhe të ardhun nga Gegnia.

Nga këto 4 grupe ato gjatë bregut të liqenit të Shkodrës në veri do t’i quejmë si një grup të përbashkët me Malësinë e Madhe, mbasi paraqiten si një unitet traditash; gjithashtu atë të fushave në mes Ishmit dhe të Shkumbinit do ta quejmë një grup të përbashkët me Gegninë. Ndërsa fushat në mes dy Drinave (Shkodër –Lezhë) do t’i quejmë si krahinë etnografike e veçantë, mbasi nuk lidhen me asnjerin nga grupet e tjera; gjithashtu fushën në mes Drinit dhe të Ishmit, me gjithë që me tradita lidhet me Malësinë e Madhe, po e quejmë krahinë etnografike të veçantë. Kështu nga fushat bregdetare të Shqipërisë së Veriut kemi dy krahina etnografike:

Fushat mes dy Drinave

Fushat në mes Drinit dhe Ishmit

Shënim: Punimi në fjalë është botuar fillimisht në revistën "Etnografia Shqiptare" në vitin 1962. Këtu po e sjellim ashtu siç e publikon revista "Gegnia"  pa shënimet sqaruese. 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.