Peticion nga 51 pedagogë për anullimin e Ligjit të Arsimit të Lartë
Kërkesave të studentëve u shtohet edhe një peticion i pedagogëve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, të cilët kërkojnë abrogimin e ligjit për Arsimin e Lartë.
Në deklaratën e nënshkruar nga 51 pedagogë theksohet se “në vijim të qëndrimit mbështetës ndaj protestës së studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime, pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i falënderojmë ata për guximin dhe qëndresën qytetare”.
Teksa nënvizohet se problemet e sotme janë pasojë e Ligjit për Arsimin e Lartë pedagogët kërkojnë hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri, në themel të të cilit të jenë këto parime:
Garantimi i të drejtave studentore
Financimi i dijes
Cilësia e mësimdhënies
Demokratizimi i universiteteve
Autonomia e universiteteve
Rritja e transparencës
Cilësia e diplomave dhe integrimi i të diplomuarve në tregun e punës
Pas abrogimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, propozohet të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë. Studentët pritet që me rikthimin në Janar t'i rikthehen protestave për plotësimin e 8 kërkesave.
Add new comment