Të thuash "Jo" pa ta kërkuar njeri, esadizmi në versionin zyrtar
Një ditë pasi Brukseli e ngeli në klasë qeverinë shqiptare, gazeta gjermane "Bild" publikon një intervistë me kryeministrin shqiptar duke theksuar se zoti Rama ka vendosur t'i thotë "Jo" Europës për ngritjen e një kampi refugjatësh.
"Qeveria shqiptare hedh poshtë propozimin për ngritjen e qendrave të pritjes për emigrantët dhe refugjatët që duan të arrijnë në shtete e BE"- citohet të ketë thënë Edi Rama.
Do ishte krejt normale sikur kryeministri ynë t'i kishte thënë "Jo" një kërkese të tillë, kësaj radhe ndoshta pa emocione dhe djersë të ftohta si në rastin e armëve kimike. Por vetë qeveria dhe personazhi që kemi kryeministër e kanë fryrë publikun gjithë këto ditë me deklarata se nuk kanë marrë kurrë një kërkesë dhe një propozim zyrtar nga BE apo ndonjë vend anëtar për ngritjen e një kampi refugjatësh.
Ditë e re, zakon i ri mesa duket. Në gazetën gjermane lexojmë se kryeministri shqiptar refuzon kategorisht Europën për emigrantët. Këtu ka dy të vërteta, ose qeveria na ka gënjyer kur thoshte se s'kishte kërkesë për kamp refugjatësh ose kryeministri ka probleme të theksuara me gënjeshtrat që ka sajuar dhe i beson dhe vetë.
Kujt i thotë "Jo" kryeministri, Austrisë, Gjermanisë apo Italisë? Vetë zotëria i ka quajtur fantazi dhe lajme të rreme publikimet për kampe refugjatësh në Shqipëri. Nisur nga këto konsiderata të paktën mund të mendojmë që Rama po u thotë "Jo" fantazive që sipas tj kanë qenë të fabrikuara nga esadistët. Një lloj esadizmi dhe ky, po të fantazojmë se Rama fillimisht mund të ketë thënë po për kampet e emigrantëve ose mund të jetë vetëofruar. Nuk duhet përjashtuar ky variant dhe në të ardhmen ndoshta një ndjesë ndaj Esad Pashës. Historia dhe personazhet që prodhojmë po e tejkalojnë.
Nëse do ishte vërtet kështu, pra që kryeministri të refuzonte Brukselin mund të ngushëlloheshim me faktin që për herë të parë qeveria Rama i thotë "Jo" një oferte të pakërkuar nisur nga përvoja me konçesionet dhe oferta të këtij lloji ku më e fundit është ajo e kompanisë "Fusha shpk" për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e 7 Kullave apo konncesionin e metrologjisë së katburanteve.
Ndoshta do ishte një tregues se qeveria po shkëputet nga një praktikë ku zyrat e shtetit po negociojnë për interes të privatëve, larg çdo transparence dhe konsultimi me publikun. Të thuash "Jo" në një moment kur planideja për hotspote refugjatësh në Ballkan u hodh poshtë në minisamitin e pak ditëve më parë është minimalisht donkishoteske.
"Tirana nuk do të pranonte kurrë qendra të refugjatëve dhe emigrantëve në territorin shqiptar, edhe nëse ato ofrohen në këmbim të pranimit të Shqipërisë në BE"- thotë ndër të tjera Edi Rama në gazetën "Bild". Edhe kjo zor se kjo mund të besohet, aq më tepër kur zoti Rama ka menduar deri për atletet e bardha për të impressionuar Europën ta pranojë në gjirin e saj.
Add new comment