Veliaj: Kullat, një mundësi fantastike për Teatrin
Erjon Veliaj është besnik i modelit të vet, nuk e tradhëton skenarin mbi të cilin ka ngritur gjithë profilin si pioneri i ndryshimit, njeri i mirë, i qetë, i përulur, babaxhan, pa rrena, punëtor, shërbëtor i popullit, dhe mbi të gjitha i suksesshëm.
Kësisoj pretendon se duhet besuar apriori edhe për qëllimet e mira që thotë se ka në çështjen e Teatrit Kombëtar, ku ka shtruar rrugën për t’i dhënë kompanisë “Fusha shpk” truall publik nga tetatri për të ngritur disa kulla. E quan mundësi fantastike që në territorin e Teatrit të ngrihen kulla dhe me gjuhën prej babaxhani relativizon debatin të cilin e konsideron cic mice.
“Jam shumë i inkurajuar nga dëgjesa që patëm me aktorët sepse patëm një ulje tensioni, lamë mënjanë mëritë e vjetra, nisëm një faqe të re të diskutimit. Nëse me këtë mirësi mendojmë si të shfrytëzojmë një shans fantastik për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri, duke lënë mënjanë cic-micet e duke menduar për të mirën e përbashkët, që pas 20-30 vitesh të jemi krenarë që kur kishim vendimmarrjet në dorë, morëm një vendim të drejtë për ta modernizuar qytetin, siç po bëjmë edhe në fusha të tjera”-tha Veliaj nga një aktivitet i arkitekkturës në Pragë.
Zotëria në fjalë në rolin e mirëbërësit ka dhe një mision tjetër, të legjitimojë si të lavdishme periudhën kur Tirana qeverisej nga kryeministri aktual, Edi Rama. “Kemi rikuperuar vitet e gjumit në Tiranë dhe i kemi rikthyer Tiranës lavdinë e viteve 2000-2011, ku me administratën e Edi Ramës emri i Tiranës doli për herë të parë si një qytet që po kapërcente datat dhe sot është në një fazë modernizimi”
Ku i dihet më vonë ky personazh do ulet të shkruaj dhe historinë e Tiranës dhe Shqipërisë, kuptohet me optikën e tij të cic-miceve dhe keqkuptimeve siç i pasqyron buletini i përditshëm I lajmeve nga bashkia, ndërsa me kalemin tjetër ai, mentori i tij dhe SHPK-të private bëjnë të tjera llogari.
Add new comment