Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Shqipërisë part time
Pas takimit të Korçës mediat zhurmuan gjithfarë axhendash, por pa qenë në gjendje të shkojnë përtej asaj që ishte thënë më parë për “shportat” e drejtimeve kryesore siç i quajti ministri Bushati. I cili edhe njëherë sot, ka pushuar së qeni ministër i Jashtëm i Shqipërisë, përderisa lajmet për atë që ndodhi i mësojmë nga homologu i tij grek, Nikos Kotizas.
Nga Kotzias mësojmë se do të ketë një takim në Davos mes Edi Ramës dhe Alexis Tsipras, që nuk është gjithsesi takim dypalësh, por në kuadër të një samiti dhe se “çështje të bartura prej 70 vjetësh kanë marrë rrugën e zgjidhjes”. Që këtej ne hamendësojmë se bëhet fjalë për ligjin e luftës, varrezat e ushtarëve grekë dhe për pronat, ku hyn indirekt edhe çështja çame.
Nëse shohim me vëmendje z. Kotzias nuk ka thënë ndonjë gjë të madhe, por ai ka orinetuar mediat në raportimin e tyre, i ka dhënë një përmbajtje konkrete lajmit. Kjo na intereson edhe në Shqipëri, ku kemi një ministër që teksa vitin e kaluar u imponua ndaj të gjithë kabinetit qeveritar për lejen për vizitat jashtë vendit, nuk arrin dot të na vijë me staturën e një ministri të Jashtëm. Fjali të përgjithshme, një mbyllje e pakuptimtë, arsyet e të cilës mund t’i imagjinojmë: ose diçka nuk është e pëlqyeshme të thuhet, pse sihariqin e paqes strategjike greko-shqiptare e do ekskluzivitet tekanjozi i përkëdhelur i Ballkanit me emrin Edi Rama. Deri atëherë na mjafton të kemi Nikos Kotzias ministër të Jashtëm të Shqipërisë, part time. Të paktën për të na dhënë haberet se çfarë po vendoset për vendin ku jetojmë dhe sa kohë që ministri ynë sillet si nëpunës fanatik.
Add new comment