Në shtator filloj punë ministër
Mezi po prisja pushimet e verës. Pushimet e trurit, të mendjes.
Por një haber më prishi terezinë
Në shtator do jem në qeveri
Do jem ministër, zv.ministër, drejtor e zv. Drejtor
Do flas e do dëgjohem, do ankohem e do begenisem
Fjala ime do të ketë peshë.
Në shtator marr vesh se do qeveris, do jem pranë timonit,
ndoshta më lënë t’i bie edhe borisë
të rri në vend të parë një çikë, e të shoh nga xhami
jam nga ata që më zë vendi i fundit edhe në makinën e pushtetit
Do jem pjesë e koalicionit
Kolektiv më të madh nuk kisha imagjinuar
Mornica më shkuan sapo ky premtim preku shqisat
Nisa të imagjinoj pa frena…
Ndihem pak lësëist, më hanë duart
Pastaj pak pëdëist, sapo fshiva numrin e Flamur Nokës
Detyrohem të ndihem edhe socialist, e zorshme të luash Taulant Ballën
Sfidë për mua mbetet Nard Ndoka…i veshur me atlete.
Nuk pushoj dot. Truri nuk ia jep pushimet mendjes
Tani po kuptoj sesa e vërtetë është se pushteti është detyrë
Sa e zorshme të jesh shërbëtor
Vetëm se një pyetje ngulmon në kokë:
kujt do t’i shërbejnë 3 milionë qeveritarë?
Koalicioni me qytetarët më përfshin edhe mua
Ju siguroj që jam i legalizuar
Kam lindur i tillë, brenda vijës së verdhë
Thjesht nuk kam folur
Kam heshtur dhe kam parë punën time
Pa bërë zë, me mërzinë si pronë të paprekshme
Jo më. Lista ime sapo ka nisur…nga ato që nuk dihen
Jo nga hashashi, as nga hajnia, as nga prokurimet e gjobat
Ai që do të qeverisë vërtet nuk merret me gjëra të vjetra
Në shtator nis ndryshimi, ai i vërteti, unë dua të jem pjesë
Le ta nisim nga arrorët…bëj shaka
Të mbetemi dixhitalë, bilbilfryrës si vetë fjala edhe zanati
Të nisim letra, të shohim, mbajmë vesh…
Në mos ndodhtë gjë? Në vaftë çdo gjë sahat?
Kemi autokritikën, por edhe iniciativën
Do dal e do bëj ndonjë zullum se duhet një hurdhër
Në këtë kopshtin magjik të Europës Juglindore.
Pjesë nga Ditari i Shaptilografistit – kapitulli “Prolegomena të bashkëqeverisjes popull – popull”
Add new comment