Show me atlete dhe kominoshe duhet injoruar

Postuar në 15 Korrik, 2017 09:35

Europa paska marrë një mesazh shumë të rëndësishëm emancipues në Samitin e Triestes dhe kjo nuk i ka shpëruar medias. Apo më saktë atyre që mund të quhen sazet “qytetare” të saj. Ky mesazh është përcjellë nga një palë atlete të bardha “Adidas” që kishin fatin të ishin veshur në këmbën e kryeministrit të Shqipërisë. 

“Stylish Rama 'Sending Message' To Europe About Albania” - ky është titulli i gjetur nga Balkan Insight që u vjen në ndihmë anglishtfolësve që të kuptojnë polisemizmin e veshjes së kreut të qeverisë shqiptare. 
Ja edhe një copëz që mundet fare mirë të quhet gjeneza e mënyrës admirative në ligjërimin shqip: 
“T-shirte të stampuara me trëndafila të kuq dhe pantallona të zeza u përdorën për të përcjellë një mesazh të thjeshtë: Jam i thjeshtë, jam një prej jush dhe ne jemi një familje; një familje ku dashuria dhe besimi janë të qëndrueshme dhe ku nuk ka nevojë për kostume dhe kravata formale”. 
Intepretim depërtues ky nga një pedagoge e quajtur Irena Myzeqari e që ushton profesionin e vet në Europianin Universitet të Tiranës. 
http://www.balkaninsight.com/en/article/albanian-pm-conveys-political-me...
Mungon vetëm fotomontazhi i Juncker me monokoël që sheh i mahnitur nga atletet e kryeministrit dhe ndihet aq i vjetër dhe mund të hamendësojmë, po aq kurvë sa vetë Europa plakë. 
Publicistikës shqiptare, por jo vetëm, i mungon një Malaparte për të profilzuar tjetrin përmes asaj që ka veshur, qëndrimit, lëvizjes së duarve apo fjalëve që zgjedh. Ndaj edhe në media gjejnë rrugë të tilla “analiza” për atletet, të cilat prej kohësh janë kthyer në një lloj simboli përfaqësues të refugjatit. Të rehatshme, të thjeshta, penetruese me disa stile veshjesh, ato janë shprehja e duhur e rehatisë dhe atij konsumizmi që teksa shpërndan mirëqenien bazike në të gjitha shtresat, befas mund të ushqejë ide të reja për veten. 

Dikush që shfaqet si përjashtimor me veshjen në një mjedis ku ka një kod të përcaktuar për këtë gjë, atëherë patjetër që ai dikush thjesht ka dhënë një shfaqje personale. Ai përfaqëson më shumë veten sesa të tjerët. Në mjedisin politik veshja ka evoluar: dikur uniforma oborresh, më tej kostume, më tej veshje ushtarake sërish, është eksperimentuar heqja e kravatës, por në përgjithësi norma është e gjithëpranuar. 
Sigurisht që veshja e Edi Ramës nuk përbën më asnjë çudi, edhe pse lojëra të këtilla të qëllimshme i dhurojnë atij kënaqësinë e lajmit që anashkalon çështjet e vërteta. Sepse jemi të dërgjegjshëm që ai mjedisi ku zotëria vesh t-shirt dhe atlete, nuk është i tiji. As për nga atë që përfaqëson Shqipëria, por edhe për atë që përfaqëson personalisht ai. 

Ndaj sajdisjet mediatike për europianin shqiptar që po na nderon janë një mënyrë për të gjetur paqe me frustracionin e kudohasur të të qenit të fundit në Europë, në rajon. Mesazhi i atleteve është ende enigmatik, nëse ka një të tillë ai është në të vërtetë këtu mes nesh, i sjellë me “analiza” anglisht që i flasin Europës për atë që ajo patjetër do ta ketë parë. Dhe duhet ta ketë parë, me sytë e integrimit sigurisht. 

Argëtuese edhe sepse kjo e veshjes të kujton atë historinë Konicës me brekët e mëndafshit nga Shijaku(në mos qofsha gabim) kur ai teorizonte se një cilësi e tillë mëndafshi i kishte sjellë idenë e një të ardhmeje të ndritur të industrisë tekstile në Shqipëri. Diçka që nuk ka mbërritur akoma. Por Konica hodhi ca radhë që mbetën. Tjetër punë tani. Sa më pak që të merresh me show-n e zotërisë, aq më pak do ndihet i përkëdhelur, aq më shumë do t’i mohohet ai konteksti i provincës që ndërtohet nga trajtime të këtilla si prej sazesh e që i lejon një shkëlqim treditor. Do të mbeten ato problemet e vërteta, që nuk janë pak, e për të cilat Europa ka 25 vite që dërgon të njëjtin mesazh. 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.