Kriza sistemike që prodhoi 25 qershori*

Postuar në 01 Korrik, 2017 09:36
Kastriot Islami

Gjithçka ndodhi në zgjedhjet e 2017-s u testua në zgjedhjet e pjesshme për kryetar Bashkie në Dibër, me të vetmin ndryshim që PS nxori mësimet nga ky “test”, duke marrë të gjitha masat për ta sofistikuar dhe maskuar të njëjtin skenar që u aplikua në shkallë kombëtare, veçanërisht për ta bërë të pakapshëm për vëzhguesit ndërkombëtarë. Madje, skema e “ministrave teknikë”, pavarësisht angazhimit maksimal të individëve të vetmuar ministra, shërbeu si një alibi e plotë maskimi.

Kurse opozita duket se nuk nxori mësimet e duhura nga “testi i Dibrës”, për rrjedhojë nuk arriti të merrte masat e duhura për ta parandaluar dhe apo së paku për ta denoncuar me prova e fakte, ndonëse mund të thuhet se opozita arriti t’i reduktonte disi efektet e saj, ndërkohë që maxhorancës i mjaftonte në dimension të reduktuar aplikimi i këtij testi. Madje, aktorët e testit të Dibrës e riaplikuan atë në Dibër, duke arritur rezultatin më spektakolar në këto zgjedhje, larg vëmendjes së opozitës dhe vetëm “të bezdisur” nga ish-aleati i tyre, LSI.

1. PËRMBLEDHTAS…

Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në Shqipëri janë abandonuar në shkallë të gjerë nga publiku, rreth 150 mijë votues më pak se në vitin 2013, ndërkohë që numri i zgjedhësve në listat e votimit është rritur me rreth 175 mijë. Tri partitë që kanë qenë në pushtet janë rritur së bashku, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013 me rreth 70 mijë vota, ndërkohë që rritjen më të lartë e ka pasur LSIja me rreth 45 mijë vota dhe PDIU me rreth 30 mijë vota, ndërkohë që PS së bashku me aleatët e tjerë ka arritur të grumbullojë pothuajse të njëjtën sasi votash sa në 2013-n.

Opozita, pra kandidatët e mbështetur nga PD-ja dhe aleatët e saj, kanë grumbulluar rreth 140 mijë vota më pak se në vitin 2013. Varfëria dhe papunësia ndërkohë kanë mbetur në të njëjtat shifra si para katër viteve, për të mos thënë janë rritur. Numri i shqiptarëve të larguar drejt vendeve të BE-së, për shkak të mungesës së shpresës dhe besimit, mund të jetë mbi 100 mijë, ndërkohë që rreth 200 mijë të tjerë kanë aplikuar në lotarinë amerikane dhe presin me padurim të largohen.

Kultivimi i kanabisit është kthyer në sport kombëtar, duke e kthyer Shqipërinë në vendin kampion në Europë. Në të gjithë artikujt ndërkombëtarë, Shqipëria stigmatizohet si vendi me korrupsion sistemik më të lartë dhe me lidhje të forta të krimit me shtetin e politikën. Parlamenti i para katër viteve, me imazhin e një Parlamenti të jo pak individëve me rekorde kriminale, të disa biznesmenëve shërbëtorë të politikës, të pasuruar përmes lejeve të ndërtimit, privatizimeve klienteliste të aseteve publike apo përfitimit selektiv e korruptiv të fondeve publike dhe personazheve mediokër me diploma false, duket se do të transformohet në një Parlament apolitik me jo pak “kukulla”,, fijet e të cilave orkestrohen nga lart.

2. ABSTENIM I LARTË I ZGJEDHJEVE, NË MASËN RRETH 55 PËR QIND…

Nga ata që kanë votuar në 2013 (1.724.779 votues) nuk kanë ardhur të votojnë në 2017-n rreth 149 mijë votues. Ndoshta një pjesë e tyre nuk janë më Shqipëri sepse kanë emigruar për në vendet e BE-së. Kjo situatë është edhe më e rëndë po të kemi parasysh që në listat e zgjedhësve të 2017-s janë shtuar 173.035 zgjedhës që do të duhet të votonin për herë të parë, por që ende nuk dihet se sa prej tyre kanë votuar.

Pjesëmarrja në votime ka qenë 46,80%, ose e thënë ndryshe abstenimi ka qenë në masën rreth 54,2 për qind, duke qenë një shifër rekord e ulët, ndonëse ende relativisht “e lartë” po të kemi parasysh se mbi 25 për qind e zgjedhësve në listat e votimit jetojnë e punojnë në emigracion.

3. RRITJE E PARTIVE QEVERISËSE, PS, LSI DHE PDIU…

Tri partitë kryesore të maxhorancës qeverisëse 2013-2017, PS, LSI dhe PDIU, së bashku kanë grumbulluar në zgjedhjet e 2017-s mbi 68 mijë vota më shumë se në 2013-n, ose me rreth 6,9 për qind më shumë. PS e vetme ka mbetur pothuajse e pandryshuar, duke u zvogëluar me vetëm rreth 4500 votues, nga rreth 713 407 vota që ka pasur në 2013-n, ose thënë ndryshe është zvogëluar me vetëm 0,6 për qind krahasuar me 2013-n. Rritjen më të lartë e ka arritur LSI-ja me rreth 45 mijë vota më shumë se në 2013-n, një rritje homogjene në të gjithë vendin.

Ndërkohë që PDIU është rritur me rreth 31 mijë vota, 29 509 nga të cilat është rritur vetëm në Dibër e Elbasan. Është interesante për publikun të bëhet me dije se PDIU-ja ka shënuar rritjen më të lartë në Elbasan me 17152 vota, nga 12110 vota që kishte në 2013-n. Kurse “çudia” ka ndodhur në Dibër ku PDIU, nga 248 vota që kishte në 2013-n, ka arritur në 12605 vota në 2017-n. Dhe e gjithë kjo shpjegon “surprizën” që kryetari i saj Idrizi nuk arrin të futet në Parlament, ndonëse ka grumbulluar rreth 12500 vota ose 2,98 për qind të votave në qarkun e Tiranës, ndërkohë që kjo parti siguron 2 mandate në Elbasan dhe 1 mandat në Dibër, madje kjo e fundit nuk ka qenë më parë “bastion” i kësaj partie.

3.”RRUDHJE” DRASTIKE E OPOZITËS…

Opozita “e bashkuar” në një koalicion me një fanellë, pra kandidatët e PD-së dhe të aleatëve të saj, kanë grumbulluar në zgjedhjet e 2017-s rreth 141 mijë votues më pak se në 2013 ose ndryshe, mund të thuhet se opozita është tkurrur në masën 23,6 për qind; gjë është reflektuar në uljen me rreth 25 për qind të numrit të deputetëve të opozitës, nga 57 mandate në 2013- n, në 43 mandate në 2017-n. Duke pasur parasysh që numri i votuesve në 2017-n është zvogëluar me rreth 149 mijë votues, duket se efektin më të madh mospjesëmarrja në zgjedhje e ka pasur mbi opozitën ose e thënë ndryshe, shumica e atyre votuesve që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë qenë në 2013-n votues të opozitës.

4. ÇFARË KA NDODHUR MË 25 QERSHOR 2017…?

Së pari mund t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje duke thënë se me të dhënat e disponuara nuk është e mundur të jepet një përgjigje e saktë.

Së dyti mund të thuhet se arsyet e një rezultati të tillë mund të jenë të ndryshme dhe të shumëfishta e për rrjedhojë duhet një analizë dhe hetim më i thelluar.

Së treti, ndërkohë që uljes së mbështetjes për opozitën mund t’i gjendet një përgjigje e thjeshtë, është e vështirë, madje gati e pamundur, t’i jepet përgjigje në mënyrë racionale pyetjes: si është e mundur që është rritur me rreth 70 mijë vota mbështetja elektorale për partitë qeverisëse, ndërkohë që perceptimi i publikut ndaj qeverisjes 2013- 2017, në të gjitha sondazhet është negative.

Apo ndërkohë që perceptimi i publikut është përkeqësuar lidhur me rritjen e papunësisë, varfërisë, represionit policor, korrupsionit, krimit të lidhur me politikën, kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave. I vetmi faktor që mbetet në këtë rast për të shpjeguar këtë rritje është “blerja e votës” dhe “kërcënimi i votuesve”, të cilët mbeten si dy nga shqetësimet kryesore edhe për këto zgjedhje, shqetësime të formuluara nga ndërkombëtarët në raportin e OSBE/ODIHR-it.

5. NJË ANALIZË “E SHPEJTË”…

Le të nisemi nga fakti që në 2017-n kanë votuar rreth 149 mijë votues më pak se në 2013-n. Duke pasur parasysh që vetëm PD është tkurrur në 2017-n me rreth 141 mijë vota, mund të mendohet në një bilanc të thjeshtë se shumica e atyre që kanë abstenuar kanë qenë në 2013-n votues të PD-së. Përse nuk kanë qenë të LSI-së apo PDIU-së? LSI, duke grumbulluar 224.877 vota në 2017-n, është rritur me 44407 votues, krahasuar me 2013-n kur kishte marrë 180.470 vota.

Pra, nëse bëhet një bilanc i thjeshtë, pa u futur në skema të komplikuara të lëvizjes së votuesve, mund të thuhet se LSI nuk preket nga mospjesëmarrja e rreth 150 mijë votuesve në 2017-n. Po e njëjta gjë mund të thuhet për PDIU-në, e cila duke grumbulluar 75591 vota, është rritur me 30634 vota po të kemi parasysh se në 2013-n kishte grumbulluar 44957 vota.

Ndërkohë që PD (së bashku me aleatët e saj që i përfshin në listat e PD-së në 2017) ka marrë 454.271 vota në 2017-n, duke u zvogëluar me 140.698 vota krahasuar me 2013-n, kur po i njëjti koalicion i PD-së kishte grumbulluar 594.969 vota. Zvogëlimi i votave me rreth 141 mijë vota për kandidatët e PD-së (ose më saktë të listës së PD-së ku përfshiheshin edhe disa kandidatë të partive aleate) ka ardhur ndoshta për 4 arsye kryesore:

i) shumë votues të PD të 2013 rezultojnë abstenues (shifra nuk mund të përcaktohet me saktësi), ndoshta se nuk kanë qenë në Shqipëri për shkak se kanë emigruar gjatë periudhës 2013-2017;

ii) shumë votues të partive aleate të PD-së kanë abstenuar dhe nuk kanë ardhur të votojnë për listën e kandidatëve të PD-së ku ishin edhe disa kandidatë të partive aleate për shkaqe të ndryshme; dhe

iii) një pjesë tjetër (jo e madhe e votuesve pragmatistë/të pavendosur/lëkundur të PD-së) e atyre që kanë votuar për PD-në në 2013-n mund të kenë votuar për arsye pragmatiste apo të joshur me mënyra të ndryshme për një parti qeverisëse ose kanë abstenuar nën “kërcënim”; dhe së fundmi

iv) jo pak votues pragmatistë të aleatëve të PD-së, duke mos gjetur në listën e qarkut të tyre asnjë kandidat të partisë së tyre, kanë votuar për parti të tjera. Lista e PS-së, e mbështetur nga aleatët e saj, ka marrë rreth 4500 vota më pak se në 2013; kjo mund të ketë ardhur me shumë gjasa nga tkurrja e aleatëve, por nuk përjashtohet edhe nga zvogëlimi i PS-së që mund të jetë kompensuar me rritjen e aleatëve apo në kurriz të uljes së opozitës përmes “blerjes së votës”.

6. NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI

Dukuritë dhe praktikat negative të aplikuara në zgjedhjet e 2013-s për “blerjen e votës” dhe “kërcënimin e votuesve” përmes reciprokisht përdorimit të parave të pista të gjeneruara nga korrupsioni qeverisës dhe nga kultivimi i kanabisit e trafiqet të drogës dhe vënia në lëvizje e “të fortëve” me rekorde kriminale të fshehura pas kandidatëve “kukulla” të mbrojtura prej tyre, kanë qenë prezente edhe në zgjedhjet e 2017-s, por më të maskuara dhe më të sofistikuara.

Veçanërisht të maskuara për sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Opozita nuk ka arritur as të (para)ndalojë dhe as të evidentojë/fotografojë/denoncojë me fakte e prova këto dukuri duke u penalizuar ashpërsisht nga votuesit e saj, të cilët e kanë shpërblyer atë kryesisht me abstenim masiv. Shqiptarët janë të çoroditur mes një shumice që nuk ka mbështetjen e saj, as legjitime e as të qenësishme të shqiptarëve (PS ka grumbulluar vetëm gjysmën e votave të më pak se gjysmës së votuesve që kanë shkuar në votime, pra rreth të 20 për qind të shqiptarëve) dhe një opozite të abandonuar masivisht (rreth 140 mijë votues të djathtë më pak kanë votuar në 2017) që nuk kanë as shpresë dhe as besim që opozita mund t’i ndalë këto dukuri.

Duket se po shkohet drejt një modeli autoritar me opozitë që po dobësohet/fragmentohet a mund të kthehet në fasadë dhe një “maxhorance” autoritare përfaqësuese e një pakice “oligarkësh” dhe “të fortësh”.

Dhe akoma më e rëndë dhe pa shpresë shfaqet situata kur partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë, të dominuar nga problemet e tyre të brendshme apo pikante globale, kanë një qasje “naive e dritëshkurtër” apo shpesh “ad hoc e spontane anti-emergjencë”, duke vendosur në plan të dytë apo dhënë peshë specifike të ulët demokracisë e mirëqeverisjes në llogaritë e tyre afatshkurtër të stabilitetit, ndërkohë që dukuritë negative, të korrupsionit elitar, lidhjes së krimit me drejtuesit më të lartë të shtetit apo të kapjes së elitës së shtetit nga krimi, dhe implikimit të drejtuesve të shtetit në drejtimin e trafiqeve të drogës janë shtrirë nga kupola më e lartë qeverisëse deri në nivelin kapilar “të të fortëve të lagjes” dhe/ose “hajdutëve të vegjël të votave”, duke rrezikuar seriozisht edhe stabilitetin, edhe demokracinë në periudhën afatmesme.

*Titulli origjinal: Në zgjedhjet e 2017-ës është aplikuar "testi i Dibrës"...

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.