Pse origjina beratase e Edi Ramës nuk ngjan e vërtetë dhe cilat janë pasojat politike të saj?

Postuar në 05 Qershor, 2017 14:55

E mbani mend një vit e ca më parë kur kryeministri Edi Rama akuzohej në Parlament nga Sali Berisha se ai ishte kushëri me Milena Hariton? D.m.th kjo mund të quhet akuzë vetëm në Shqipëri, në politikën e saj, pasi ç’përgjegjësi ka njeriu i shkretë se kë ka kushëri?

Berisha ia hidhte fjalën se Harito ishte bërë ministre vetëm si kushërirë. Mirëpo lidhjet familjare të analizuara me mendje nga ministrja nxorën se një farë lidhje gjaku mes të dyve na dilte në brezin e katërt apo të pestë. Që këtej kryeministri shtroi në mes të parlamentit pyetjen me të futme për Berishën:

Mirë ne dalim kushërinj deri në brezin e pestë, po ju që akuzoni deri ku mund t’I kërkoni rrënjët tuaja?

Pyetje me vend, që pasoi nga ulja e kokës. Arsyeja: Nuk dihet nga vijmë dhe çfarë kanë bërë gjyshërit. Mirëpo kjo garanci qytetare e hulumtimit të origjinës së largët sikur nuk përligjet nga përgjigja e kryeministrit dje në emisionin “Fakt” kur ai u vuri përballë dëgjuesve një memorie që shkon çuditërisht deri te stërgjyshi…Pra gjyshi i babait.

Tha Rama:

Kristaq Rama i I-rë është stërgjyshi im, i cili ishte një përfaqësues intelektual i shtresës së mesme të kohës, kishte pasionin e madh për të hapur shkolla të gjuhës shqipe në atë kohë, dhe ka bërë një rrugëtim nga Berati drejt Durrësit, ku ka qenë dhe në shpalljen e pavarësisë, dhe aty më pas përqendrua familja”.

Pra një lëvizje nga Berati që nuk na thotë gjë nga qyteti apo fshatrat dhe për origjinën. Më poshtë Rama këmbënguli me hollësi tek origjina e nënës së babait të tij, shkodrano – kroato - veneciane, ndërkohë që origjina e nënës së vet mbeti në fund, edhe ashtu e devlonjatizuar. Sipas Ramës vuniotësit janë mirditorë. Pra Rama është pak nga të gjitha por me origjinë nga Berati, me shpirt venecian, formim katolik dhe huqe tironsi. 

Më fal e ha njeri këtë? Ka njeri të mos kuptojë se te shkurtimi i origjinës te destinacioni beratas nuk qëndron një marifet për të acaruar Ilir Metën? Pse? Dihet rivaliteti dhe antipatia mes beratasve dhe skraparllinjve, antipati që rëndom thuhet se ka për bazë diferencën kulturore. I vetmi skraparlli i beratizuar me tamam është Cekja humoristi, edhe ai mu për shkak të profilit nuk acaron kënd. Si fis luftëtarësh dhe malësorësh në një vend ku nuk ka rend dhe ligj, skraparllinjtë kanë menduar se përherë e kanë fituar davanë në Berat, ndaj tani, Rama po kthen xhevap në emër të qytetarëve. Dhe i bëri këto jo pa qëllim menjëherë pasi Ilir Meta u sevdallis pas daulles në Kukës.

A e bën kjo mistrec Berati? Nëse shohim pasionin e tij për të provokuar, po, dhe arsyeja ta do që të besosh se një ujitje në Berat fisi i tij e ka patur. Profili psikologjik i këtij individi vjen dhe ndërlikohet kur edhe për këto çështje nuk merret vesh se ku nis e vërteta dhe ku mbaron gënjeshtra. Për krahasim, mashtruesi më profesionist i kombit shqiptar, Enver Hoxha, ishte më finok: ai ishte i dashuruar me qytetin e tij, Gjirokastrën. Berisha që pason atë edhe të dojë nuk fsheh dot gjë, ndërkohë që Meta është padyshim “rehabilituesi” i kapacitetit të skraparllinjve për të bërë punë të mëdha për mëmëdhenë, duke zbehur stigmën e njohur që i atribuohet Fan Nolit.

Po pse themi se edhe kjo deklaratë ishte e dyzuar? E para sepse nuk rrëfeu gjë në thellësi, e dyta sepse provokon kundërshtarin dhe e treta sepse nxori huq Lali Erin, beniaminin e PS-së që i del kësaj të fundit në horoskop si kryetar. Në një intervistë të vitit 2015, Veliaj shpjegonte origjinën e vet, duke i mëshuar aspektit proletar të fëmijërisë së tij. Ai përmend vetëm se nëna e tij ishte me origjinë nga Vlora, duke mos na thënë asgjë për origjinën e babait të vet. I cili mendohet se është nga…Ura Vajgurore. Pra nga një zonë me Ramën.

http://www.panorama.com.al/veliaj-rrefen-jeten-dhe-karrieren-ne-moshen-1...

Po pse Veliaj përmend Vlorën? E thjeshtë. Sepse ai ka menduar se Rama si deputet i Vlorës do të dukej më i afërt për të në sytë e elektoratit, pasi edhe ky del vlonjat. Pra dy vlonjatë në krye të PS-së. Arsyeja e dytë, sepse Veliajt i duheshin votat e Metës dhe kështu shmangu konfliktin e vjetër. Mos u çudisni që Veliaj pas intervistës së djeshme të dalë më beratas se kodikët, të cilët me siguri edhe mund të nisë t’i shfletojë duke parë me dyshim se mos i janë trashur gishtat e i janë bërë si të Metës nga Skrapari pas dashurisë së fundit politike me të.

Ja pra se përse politikanët nuk para preferojnë të tregojnë origjinën – sidomos liderët. Sepse sado çun tirone të jesh, manaferrat e kurbetit të fisit kanë lënë gjurmë.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.