DASH mban në lojë Bashën dhe çadrën e opozitës

Postuar në 21 Prill, 2017 12:53

Mospjesëmarrja në zgjedhje e opozitës nuk është siç thotë kryeministri vetëm një vetëvrasje e Partisë Demokratike, por një handikap që komplikon situatat politike në Shqipëri. Këtë e di shumë mirë kryeministri Rama por edhe ndërkombëtarët, që deri më tani kanë testuar nervat e opozitës duke folur për respektim të datës kushtetuese për zgjedhjet.

Por së fundmi Nënsekretari i Departamentit të Shtetit Thomas Shannon bëri një deklaratë ambigue që legjitimon shqetësimin se zgjedhjet pa opozitën nuk do të ishin në përputhje me ambicjet demokratike të Shqipërisë. Kështu në deklaratë thuhet se "Nënsekretari Shannon, theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare" çka mund të interpretohet edhe si thirrje për opozitën për t'u futur në zgjedhje, por edhe si paralajmërim se çdo proces pa opozitën nuk do ishte i mirëpritur.  Deklarata e DASH nuk është e linjës së qeverisë se në zgjedhje mund të hyjë kush dëshiron apo që forca të caktuara të mos pengojnë zgjedhjet Demokratike, por bëhet e qartë se në zgjedhje duhet të marrin pjesë të gjithë pa përmendur data Kushtetuese kur duhet të mbahen zgjedhjet.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit, Shanon riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e gjyqësorit dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.