Dështimi i takimit me Bashën dhe etiketimi i platformës shqiptare si një copë letër

Postuar në 10 Prill, 2017 23:02

Kryeministri Rama zbuloi detaje të negociatave për takimin  e dështuar mes tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. I ftuar në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” kryeministri ndonëse nuk bëri publike detaje të negociatave la të kuptohet se gjithçka u la pezull kur ishin përcaktuar modalitetet për formatin, orën dhe axhendën e bisedimeve.

Sipas tij, Partia Demokratike ndërpreu çdo komunikim kur pritej të bëhej publike dakordësia për takimin, ku do të diskutohej pa kushte përfshirë edhe kërkesën e opozitës për qeveri teknike. “Kishim caktuar vendin, orën dhe axhendën e takimit, por më pas Basha u tërhoq”-deklaroi Rama.

Takimi në tentativë shpjegon edhe retorikën e kreut të PD-së ditët e fundit se nuk pranon dialog farsë, ndonëse asnjë prej palëve nuk ka treguar transparencë për publikun lidhur me përmbajtjen e një dialogu të mundshëm. Me dështimin  e dialogut Partia Demokratike fitoi sërish kohë në funksion të synimeve të saj për të shtyrë zgjedhjet.

Rama u tregua i hapur për të diskutuar mbi reformimin e Kodit Zgjedhor, por i qëndroi të njëjtit version se  “Votimi elektronik është teknikisht i pamundur pasi sipas kryeministrit nevojitet një infranstrukturë me fibra optike në çdo cep të Shqipërisë, e cila nuk është e mundur”.

Rama u pyet edhe për nënshkrimin në Tiranë të një platforme që po çon në destabilizimin e Maqedonisë duke thënë se ajo që bëri Tirana zyrtare ishte bashkimi në një copë letër i pikave të cilat partitë shqiptare ishin dakord, duke u munduar të minimizojë efektin e nënshkrimit në Tiranë të kësaj marrëveshje.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.