Kush gënjen për ekspertizën e Zharrëzës, Edi Rama apo Niko Peleshi?
Protesta e banorëve të Zharrëzës para Ministrisë së Energjetikës po hyn në ditën e tretë. Shkaku është bërë publik tashmë: operacionet e kompanisë Bankers Petroleum sipas tyre provokojnë lëkundje në zonë duke çuar në dëme materiale. Qeveria shqiptare aktuale, ka dështuar qartë në dhënien e një përgjigjeje shteruese në këtë drejtim, duke mbetur si jetime përballë një kompanie e cila përkohësisht thuhet se ka ndaluar operacionet e injektimit të ujit në tokë. Për të dhënë një shpjegim, qeveria ka vetëm një rrugë: të pyesë ekspertët dhe të pranojë ekspertizën e specializuar që mandej të hyjë në negociata me kompaninë për atë që do të vijojë, por edhe për dëmshpërblimet.
Lidhur me këtë çështje në datën 9 shkurt 2017, zv.kryeministri Peleshi, raportoi në Kuvendin e Shqipërisë se:
Sipas nesh, sipas institutit tonë, IGJEUM-it(Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit)shkaku i lëkundjeve vjen nga injektimi. Për këtë arsye kemi marrë masa dhe kemi bllokuar injektimin e mëtejshëm. I kemi kërkuar kompanisë që të paguajë dëmet. Nëse nuk e pranon vlerësimin tonë, ka të drejtën e vet, të drejtën e marrëveshjes, të kërkojë ekspertizë të huaj. Nuk ka asnjë problem. Ne po e nxisim kompaninë të reagojë menjëherë(min. 1.16 –video më poshtë)
BLUSHI PELESHI by trelosjermatis
Çka do të thotë se qeveria KA NË DORË PËRFUNDIMET E EKSPERTIZËS, por duket se kompania nuk i pranon ato. Dhe për këtë ka arsye.
Së pari sepse ajo nuk do të lejohet që të aplikojë më tej teknologjinë e saj aktuale dhe së dyti sepse mund të detyrohet të paguajë dëmshpërblimin.
Por ekspertiza për këtë temë nuk është e unifikuar. E unifikuar është historia e lëkundjeve sizmike aty. Në vitin 2012, në gazetën “Shekulli”, prof. dr. Shehu, i njohur në fushën e kërkimit të naftës në Shqipëri, publikonte një shkrim me titull: Shfrytëzimi i naftës dhe “tërmetet” në Marinës(http://shekulli.com.al/p.php?id=9907&), ku mes të tjerave thoshte:
Gjatë gjithë historisë së shfrytëzimit, para se të futej kompania aktuale e shfrytëzimit, nuk ka asnjë të dhënë që në zonën e përfshirë nga ky vendburim të këtë pasur fenomene të lëkundjes së tokës përveç rasteve ku ka pasur tërmete regjionale. Edhe vendburimi i Marinzës u zbulua në vitin 1957 nëpërmjet pusit të parë 542 i cili fontanoi gjatë përvetësimit dhe u shoqërua me një zjarr masiv që u administrua me ndihmën e specialistëve sovjetikë, eksperiencën e të cilëve e trashëguan më së miri specialistët tanë më mbrapa. Më tej shfrytëzimi i këtij vendburimi u realizua duke shfrytëzuar energjinë e shtresës (me vetëardhje- me fontanim ), me pompa thellësie me valvul dhe si metoda të dyta u përdorën injektimi i gazit në kapelën gazore, injektim i ujit në kontaktin naftë –ujë dhe injektimi i gazit karbonik. Gjatë fazës së parë të shfrytëzimit në këtë vendburim kanë ndodhur disa fontana të hapura dhe ka pasur raste që janë fundosur sondat e shpimit për shkak të kaverrnave që janë krijuar gjatë formimit të grifoneve nga fontana e hapur. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se gjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit duke përdorur një sërë metodash të njohura nga literatura, në zonën e Marinzës nuk ka pasur asnjë shqetësim në lidhje me lëkundjet e tokës nga banorët e kësaj zone
Konkluzioni del qartë: zona në fjalë nuk ka historik për lëkundje të tilla dhe mbetet në mundësinë më të madhe që lëkundjet të jenë të lidhura me teknologjinë e përdorur nga Bankers. Por te vlerësimi që do të bëhet nga ekspertët qëndron edhe interesi. Nëse Peleshi flet për ekspertizën shqiptare që pajtohet me konkluzionet e prof. Shehut, sot kryeministri Edi Rama thotë diçka të ndryshme. Dhe të ndryshme deri në atë pikë sa të paralajmërojë se Edi Rama në këtë konflikt nuk dëshiron të nxjerrë përgjegjëse kompaninë, por dëshiron të kalojë lumin duke blerë heshtjen për këtë çështje.
Ja se çfarë tha ai ndër të tjera në Komunikimin e Javës:
Zharrëza ndodhet pranë një zone naftëmbajtëse në Fier kur prej shumë vitesh operon një kompani e huaj. Banorët mendojnë se tronditjet vijnë për shkak të injektimit të ujit teknologjik në puset e naftës aty pranë...Qeveria e dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimin e tyre dhe angazhoi një ekspertizë, vendase dhe të huaj, për të analizuar shkencërisht shkakun, i cili sipas ekspertëve patjetër që lidhet me zonën naftëmbajtëse, por jo domosdoshmërisht me operacionet e sotme. Mundësia tjetër është që në vite të kenë ndodhur lëvizje të shtresave në thellësi që provokojnë të ashtuquajturat tërmete artificiale të zonave naftëmbajtëse. Presim konkluzionin përfundimtar të ekspertizës
Vihen re qartë diferencat në ato që thotë kryeministri me ato që thotë Peleshi në replikën e tij. I pari thotë se “presim ekspertizën” pa sqaruar se nga kush. Dhe kush i ka angazhuar ekspertët ndërkombëtarë: Bankers, apo qeveria shqiptare? I dyti thotë se e kemi vlerësimin e ekspertizës.Nëse ekspertiza shqiptare sipas zv.kryeministrit Peleshi, ka deklaruar se lëkundjet vijnë nga injektimi, atëherë nuk janë vetëm “banorët që mendojnë kështu”, siç përpiqet të relativizojë ngjarjen z. Rama. Ka disa inkoherenca në këtë shfaqje publike, e cila duket se bart vetëm një shqetësim: zhbërjen e protestës. Por ata banorë nëse çohen edhe kësaj radhe dhe ikin, askush nuk do t’i kujtojë më. Kjo është e qartë sidomos me një gënjeshtar dhe hipokrit si kryeministri aktual.
Add new comment