“Dekriminalizimi është çështje etike, modeli turk për investimet”
Kryeministri doli në një konferencë interaktive me mediat dhe publikun njëkohësisht në rrjetet sociale për të bërë një bilanc të punës 3 vjeçare të qeverisë, e ndërtuar sipas modelit pyetje-përgjigje. Fillimisht kreu i qeverisë bëri një panoramë të sukseseve siç i quajti reformat e ndërmarra në këtë periudhë nga qeveria e tij, duke folur për një model ekonomik që për vitin e ardhshëm do të japë një rritje ekonomike 3.5 për qind dhe fokusohet në marrëdhëniet e Partneritetit Publik Privat, të njohura ndryshe si praktika e konçensioneve.
“E keni parë Turqia si i ka rrugët. Në këtë mënyrë i ka bërë. Pra ti shumëfishon buxhetin përmes privatit dhe e merr investimin në një kohë shumë të shpejtë. Kjo nuk do të ketë kosto shtesë për qytetarët”, tha ai.
I pyetur për raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar në kryeministri tha se “marrëdhënia me Fondin nuk do të ndërpritet, por do të hyhet në një fazë të re me një program tjetër me një natyrë krejt të ndryshme nga ky program korrektimi fiskal që përfundon në fund të këtij bashkëpunimi”
Kreu i qeverisë pranoi se qeveria e tij nuk ka përmbushur objektivin për një mbulim falas të Shërbimit Shëndetësor. “Për të shkuar te Shërbimi Shëndetësor Universal duhen krijuar disa mekanizma që do të kërkojnë kohën e tyre. Nuk është përmbushur objektivi, jemi drejt përmbushjes së objektivit”
Gazetari i “Ora News” kërkoi në mënyrë më të detajuar nga kryeministri të përmendë investimet e mëdha që ai përmendi se në këtë vit kanë shënuar shifrën më të madhe dhe shifrat e krahasuara të punësimit në raport me premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Përgjigjia e kryeministrit ishte se me këto shifra çdo kush mund të njihej në websitet e qeverisë.
Për çështjen e dekriminalizimit dhe shkarkimin e Elvis Rroshit, kryeministri tha se është një çështje etike, duke argumentuar se futjen e deputetëve me rekorde kriminale në lista ai nuk mundi ta parandalojë pasi dëshmitë e penalitetit nuk provonin implikime kandidatësh.
“Për mua procesi i ashtuquajtur i dekriminalizimit ka përfunduar kur kemi votuar ligjin. Kurrë nuk jemi bërë pengesë për zbatimin e asnjë ligji. Të gjithë ata që kanë hyrë në listën e deputetëve kanë sjellë dëshminë e penalitetit. Është e tuprshme t’u thuash kriminel mjerëzve për arsye faktesh të së shkuarës së tyre që mund të jenë dënuar ose mund të mos jenë dënuar hiç. Kur mes meje dhe miqve të mi hyn ligji për çështje etike ligji nuk kapërcehet. Askush nuk mund të më drejtojë mua gishtin në funksion të kriminalizimit të personit”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri e cilësoi një proces natyral numrin e madh të kërkesave për azil nga shqqiptarët në Europë, duke mos e lidhur atë me situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi.
“Është një proces natyral që ka pasur dallgë të mëdha, dallgë më të ulëta dhe këto kanë qenë janë dhe do jenë, nuk i shoh arsye për të vënë kujën. Refuzoj çdo lloj lidhje të këtij procesi me qeverisjen në Shqipëri”-theksoi kreu i qeverisë.
Add new comment